Bota

Bosnja në 2021 gjen më shumë të zhdukur nga koha e luftës

Eshtrat e 80 personave të zhdukur nga lufta e viteve 1990 në Bosnje dhe Hercegovinë janë gjetur këtë vit – një rritje në krahasim me vitin e kaluar, kur kërkimet u ngadalësuan nga pandemia e koronavirusit.

Instituti Boshnjak i Personave të Zhdukur tha se gjithsej 76 zhvarrime dhe 28 kërkime sipërfaqësore në vende të dyshuara si varre të viktimave të luftës u kryen nga janari deri në fund të nëntorit të këtij viti, dhe u gjetën dukshëm më shumë eshtra viktimash në krahasim me vitin 2020.

Gjatë këtyre 11 muajve u zbuluan eshtrat e 80 viktimave të luftës, krahasuar me 53 viktima në të njëjtën periudhë të vitit 2020, tha për BIRN zëdhënësja e Institutit të Personave të Zhdukur, Emza Fazliç.

Fazliç tha se u identifikuan eshtrat e 71 viktimave të luftës, 60 për qind më shumë krahasuar se në të njëjtën periudhë të vitit 2020, kur pandemia ngadalësoi kërkimin për të zhdukurit e kohës së luftës.

Lexo më shumë  Macroni ripërsërit se nuk e përjashton dërgimin e trupave në Ukrainë

“Duke përmbledhur rezultatet deri në fund të nëntorit të këtij viti, dëshiroj të theksoj se gjatë gjithë vitit ne kemi intensifikuar aktivitetet tona dhe kemi arritur rezultate shumë më të mira në çdo aspekt krahasuar me një vit më parë”, tha Fazliç.

Vitin e kaluar, shpërthimi i pandemisë së koronavirusit vonoi kërkimin prej dekadash për disa mijëra njerëz, trupat e të cilëve nuk janë gjetur që nga fundi i luftës në 1995.

Ferida Nisiç, sekretare e Shoqatës për Gjurmimin e të Kapurve dhe të Zhdukurve nga Hadzici, tha se asnjë nga 74 personat nga zona e Hadzicit, eshtrat e të cilëve ende po kërkohen, nuk janë gjetur në vitin 2021.

“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë”, tha Nisiç, duke shpjeguar se për shkak të kalimit të kohës, të afërmit e viktimave të luftës po vdesin pa gjetur kurrë eshtrat e të dashurve të tyre.

Lexo më shumë  NATO akuzon Rusinë për kërcënim të sigurisë në territorin e Aleancës

Mladen Zivkoviç i Shoqatës së Familjeve të të Kapurve dhe të Zhdukurve të Republikës Srpska, ngriti shqetësime të ngjashme.

“Tani po gjenden shumë më pak njerëz. Gjithnjë e më shumë njerëz po vdesin”, tha Zivkoviç.

Ai shtoi se mungesa e informacionit për varrezat e fshehura mbetet një problem i madh.

“Kam folur me hetuesit nga Ministria e Punëve të Brendshme që merren me krimet e luftës, dhe ata më thanë se marrin informacione vetëm nga njerëz që janë në prag të vdekjes”, tha ai.

Sipas Institutit Boshnjak të Personave të Zhdukur, 32,000 njerëz u zhdukën gjatë luftës dhe më shumë se 7,000 prej tyre ende nuk janë gjetur./balkanisnight/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *