KryesoreOpinion/Aktualitet

Borrelli le t’i nënshtrohet shantazhit të Vuçiqit, por këtë s’ka pse t’ia kërkojë edhe Albin Kurtit

Nga Flamur Shala

Pas takimit tetë orësh në Bruksel na u tha se nuk është arritur ndonjë marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, lidhur me targat.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, në konferencën për media të mbajtur të hënën pas takimin, qënka shprehur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka pranuar marrëveshjen që të pezullohet vendimi i Qeverisë për targat.

“Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti, edhe pas 8 orësh diskutimesh, nuk kane arritur marrëveshje. Vuçiqi e pranoi propozimin, por Kurti jo. Ne presim që Kosova të pezullojë vendimin për targa”, është shprehur Borrelli.

Por, cili ishte propozimi të cilin e refuzoi Kurti dhe e pranoi Vuçiqi?

Josep Borrell ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pranuar marrëveshjen që Serbia të mos e furnizojë veriun e Kosovës me targa KM.

Dhe ky, pa mëdyshje, mund të quhet një propozim absurd nga ana e përfaqësuesve të BE-së, Borrell dhe Lajçak.

Vuçiqi pranon të mos lëshojë targa të reja serbe në Kosovë, por atij nuk i kërkohet që targat serbe të cilat qarkullojnë në Kosovë të nxirren jashtë përdorimit. Me pak fjalë, Vuçiqit nuk i kërkohet që ai ta shohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Për përfaqësuesit spanjoll dhe sllovak të BE-së qasja serbe që e trajton Kosovën entitet brenda kornizës ligjore të shtetit serbe është e pranushme, kurse pranimi nga ana e Vuçiqit që të pezullojë përkohësisht shtimin e targave serbe në Kosovë, por jo heqjen e tyre, është gjë e lavdërueshme.

Lexo më shumë  Kurti: Ulqini më shumë se sa qytet bregdetar, është shembull i rezistencës për të ruajtur identitetin dhe kulturën

Nga ana tjetër, ushtrimi i sovranitetit të Kosovës nga ana e kryeministrit të saj, këtyre përfaqësuesve u duket mungesë hapjeje për kompromis.

Në thelb, cili është propozimi?

Serbia të mos shtojë targa të reja serbe në Kosovë, kurse Kosova të mos heqë targat ekzistuese serbe në Kosovë, pa treguar e pa u zotuar se çfarë ndodh nëse vendimi i Qeverisë së Kosovës pezullohet për 10 muaj, pa e përllogaritur në kuadër të një marrëveshjeje më te gjerë, e cila ka në qendër njohjen reciproke Kosovë-Serbi. Pra, thelbi i propozimit për marrëveshje është: Targat serbe të kohës së Millosheviqit në Kosovë të qëndrojnë.

Sigurisht që Vuçiqi do e pranojë këtë propozim, dhe sigurisht që Kurti do e refuzojë, sepse ai propozim paraqet interesin dhe kërkesën e shtetit serb, gjë që shtyn pafundësisht njohjen reciproke Kosovë-Serbi, e cila u jep zgjidhje përfundimtare të gjithë problemeve, edhe atij të targave.

Propozimi është asimetrik, nuk përmban logjikën që mundëson kompromis, sepse kompromisi është më së pari balancim i fitoreve dhe humbjeve mes palëve. Ndërkohë, në këtë rast, fitues do të ishte qëndrimi serb që pretendon se Kosova nuk është shtet i pavarur dhe sovran, por entitet brenda Serbisë, prandaj dhe targat serbe duhet të qarkullojnë në Kosovë.

Josep Borrell ndoshta do e shihte kompomisin dhe fitoren te fakti i shtensionimit. Por, çfarë kompromisi është ai kur Beogradi me strukturat e veta paralele nxit tensione vetëm e vetëm që të ketë pozita të forta në tavolinën e kompromisit? Strukturat kriminale që nxisin destabilitet nuk mund të jenë avantazhi i Vuçiqit në tavolinë. Kjo duhet të trajtohej nga përfaqësuesit e BE-së si disavantazh për të. E pse jo, t’i bëhej e qartë se përsa kohë nxit destabilizim dhe bën presion mbi qytetarët serbë në Kosovë përmes bandave të tij në Veri nuk do të mund të ulet në tavolinën e dialogut.

Lexo më shumë  Ndalimi i policëve dhe qytetarëve në Serbi, kryeministri Kurti: Kjo gjë u paralajmërua nga Vuçiqi

Këtë “tolerancë” absurde presidenti serb ka vite që e përdor dhe i funksionon. Shantazhi i Vuçiqit ndaj BE-së (Ma jep këtë e atë, përndryshe destabilizoj përmes këlyshëve të Radojçiqit dhe Veselinoviqit) shndërrohet në presion të BE-së ndaj Kosovës dhe kryeministrit të saj, Albin Kurti.

Dhe ky i fundit ka të drejtën e gjithë botës që ta refuzojë e të mos i nënshtrohet shantazhit të presidentit serb, shantazh që prezantohet nga gojët e spanjollit Borrell dhe sllovakut Lajçak.

Borrelli është i lirë t’i nënshtrohet shantazhit të Vuçiqit, por këtë liri nuk e ka edhe Albin Kurti. Borrelli nuk humb gjë, ai vetëm përfiton duke kapitalizuar “arritje” në karrierën e tij diplomatike në kuadër të BE-së, kurse Albin Kurti humb sovranitetin e vendit të tij; vend që e zgjodhi dhe e çoi atje në tavolinën e dialogut, që të mos ketë më frikë se mos pas 8 orësh mbyllur në një dhomë vijnë si realitet i imponuar zgjidhje shkatërruese të tipit të Gjykatës Speciale, Asociacionit një-etnik apo ndarje të Kosovës, siç ka ndodhur më parë.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *