Lajme

Borrell: Zgjedhjet në Rusi nuk ishin të lira dhe demokratike

Zgjedhjet presidenciale në Rusi kanë shkaktuar të reagime nga të gjithë udhëheqësit perëndimorë.

Teksa bashkëpunëtorët e Putinit kanë qenë të shpejtë me duartrokitje pas rezultateve të votimit, Perëndimi i ka denoncuar ato si të paligjshme.

Rezultati nënkupton se Putin, 71 vjeç, do të nisë tani mandatin e tij të pestë presidencial. Nëse ai përfundon mandatin e tij të ardhshëm gjashtëvjeçar, ai do ta kalojë Jozef Stalinin për t’u bërë udhëheqësi më jetëgjatë i Rusisë në më shumë se 200 vjet.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ka folur në emër të Bashkimit Evropian, ka këmbëngulur se zgjedhjet në Rusi nuk ishin “të lira dhe të drejta” duke theksuar se nuk kishte opozitë të vërtetë dhe nuk kishte as vëzhgues ndërkombëtarë të pranishëm.

“Këto zgjedhje janë bazuar në represion dhe frikë”, ka theksuar Borrelli.

Ai tha se zgjedhjet presidenciale të mbajtura në Rusi më 15-17 mars u zhvilluan në një mjedis shumë të kufizuar të përkeqësuar edhe nga lufta e paligjshme e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.

Sipas tij, autoritetet ruse kanë vazhduar të rrisin represionin e brendshëm sistematik duke goditur politikanët e opozitës, organizatat e shoqërisë civile, mediat e pavarura dhe zërat e tjerë kritikë me përdorimin e legjislacionit represiv dhe dënimeve me burgim të motivuar politikisht.

Borrell ka theksuar se vdekja tronditëse e politikanit opozitar, Alexei Navalny në prag të zgjedhjeve është një tjetër shenjë e represionit të përshpejtuar dhe sistematik.

Lexo më shumë  Osmani takohet me zv/presidentin e MCC-së, e falënderon për grantin 200 milionësh për energji

“Zgjedhjet u zhvilluan në një hapësirë politike gjithnjë në tkurrje, e cila ka rezultuar në një rritje alarmante të shkeljeve të të drejtave civile dhe politike dhe ka penguar shumë kandidatë të konkurrojnë, duke përfshirë të gjithë ata që kundërshtojnë luftën e paligjshme të agresionit të Rusisë, privoi votuesit rusë nga një zgjedhje reale dhe e kufizoi shumë qasjen e tyre në informacion të saktë. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë punën e rëndësishme të organizatave të shoqërisë civile ruse, mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe mediave të pavarura”, ka thënë ai.

Borrell ka deklaruar se Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për vendimin e autoriteteve ruse për të mos ftuar vëzhguesit e OSBE/ODIHR në procesin zgjedhor.

Ai ka thënë se kjo bie ndesh me angazhimet e OSBE-së të Rusisë dhe sipas tij kjo u ka mohuar votuesve dhe institucioneve të Rusisë një vlerësim të paanshëm dhe të pavarur të këtyre zgjedhjeve.

Për më tepër, Borrell ka thënë se Bashkimi Evropian dënon fuqishëm mbajtjen e paligjshme të të ashtuquajturave “zgjedhje” në territoret e Ukrainës që Rusia ka pushtuar përkohësisht: Republikën Autonome të Krimesë dhe qytetin e Sevastopolit, si dhe në pjesë të Donetskut, Luhanskut, Zaporizhzhias dhe në rajonet Kherson.

Lexo më shumë  Ministrja Nagavci tregon cilët mësimdhënës do t’i nënshtrohen të parët provimit për licencë të avancuar

“Të ashtuquajturat “zgjedhje” në këto territore përfaqësojnë një tjetër shkelje të dukshme nga Rusia të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë Kartën e OKB-së, dhe të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Duke iu referuar dy rezolutave të OKB-së të 12 tetorit 2022 dhe 27 marsit 2014, ne i bëjmë thirrje Rusisë të respektojë kufijtë dhe sovranitetin e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës. BE-ja përsërit se nuk e njeh dhe nuk do të njohë as mbajtjen e këtyre të ashtuquajturave “zgjedhje” në territoret e Ukrainës dhe as rezultatet e tyre. Ato janë të pavlefshme dhe nuk mund të prodhojnë asnjë efekt juridik. Udhëheqja politike e Rusisë dhe ata që janë përfshirë në organizimin e tyre do të përballen me pasojat e këtyre veprimeve të paligjshme”, ka deklaruar ai.

Borrell ka thënë se Bashkimi Evropian përsërit mbështetjen e tij të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

“Rusia duhet të ndërpresë luftën e saj të paligjshme të agresionit kundër Ukrainës dhe të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte forcat dhe pajisjet e saj ushtarake nga i gjithë territori i Ukrainës”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Rruga Press

YouTube player