BallinaLajme

Borrell: Nuk mund të jemi aktorë globalë pa zgjidhur problemet në Ballkan

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell ka paralajmëruar se zgjidhja e problemeve në Ballkan është një përgjegjësi e unionit dhe se nga kjo varet edhe roli global i BE-së.

“Nëse nuk mund të zgjidhim problemet në Ballkan atëherë si mund të jemi aktor i rëndësishëm global”, ka thënë Borell.

Ai i bëri komentet në një debat kushtuar dhjetëvjetorit të krijimit të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, një lloj shërbimi i përbashkët diplomatik evropian, ku morën pjesë edhe dy paraardhës të tij, Javier Solana dhe Federica Mogherini.

Borrell foli për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe përsëriti se ky problem duhet të zgjidhet në kuadër të perspektivës europiane. Në anën tjetër, ai mirëpriti edhe gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në këtë proces.

“Na vjen mirë që SHBA-të duan të ndihmojnë, por është BE-ja ajo që udhëheq këtë proces. Vetëm BE mund të negociojë për njerëzit atje”, ka thënë Borell.

Javier Solana, ish-sekretar i përgjithshëm i NATO-s dhe përfaqësuesi i parë i lartë i BE-së prej kur është krijuar ky post, ka thënë se problemi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhet përmes dialogut, por edhe duke i ofruar një rrugë më të shpejtë Serbisë drejt BE-së. Këtë Solana e ka lidhur edhe me ndikimin e Rusisë në rajon e sidomos në Serbi.

Pas një ndërprerjeje prej më shumë se 20 muajsh, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, rinisi më 16 korrik të vitit 2020.

Në takimin e parë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, u tha se biseduan për çështjen e të pagjeturve, të zhvendosurve dhe për çështjet ekonomike. Hoti dhe Vuçic, po ashtu janë takuar edhe në muajin shtator. Por, që atëherë nuk ka pasur më raunde të reja të bisedimeve në nivelin e lartë dhe BE-ja ka thënë se bisedimet do të rinisin pasi të lejojnë kushtet, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Lexo më shumë  Parlamenti britanik miratoi mocionin e Alicia Kearns për Kosovën
YouTube player