Bota

Bolton: SHBA-ja do të largohet nga NATO nëse president bëhet sërish Trumpi

Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare amerikane, John Bolton, ka akuzuar ashpër ish-shefin e tij dhe kandidatin kryesor republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, duke thënë se SHBA-ja ka mundësi të tërhiqet nga NATO nëse zgjedhjet i fiton Donald Trump.

Në një intervistë për gazetën Hill, Bolton kritikoi politikën e jashtme të ish-presidentit duke e cilësuar sjelljen e Trumpit “të çrregullt, irracionale dhe të pakufizuar”.

“Donald Trump nuk ka vërtet një filozofi, siç e kuptojmë ne në terma politik”, tha Bolton.

Bolton, i cili ishte këshilltar i Trumpit për sigurinë kombëtare nga prilli i vitit 2018 deri në shtator të vitit 2019, kritikoi gjithashtu 77-vjeçarin për trashëgiminë politike të jashtme në lidhje me aleancën.

Lexo më shumë  Ushtria amerikane publikon videon misterioze “Ghost in the Machine” për rekrutimin e ushtarëve të njësisë speciale

“Ai kërcënoi ekzistencën e NATO-s dhe mendoj se në mandatin e dytë, ka mundësi të tërheqjes nga NATO”, tha ai.

Pas shkarkimit në vitin 2019, Bolton botoi librin “The Room Where It Happened”, në të cilin kritikoi ashpër udhëheqjen e Trumpit. Në fillim të këtij viti, Bolton e quajti ofertën presidenciale të Trumpit si “helm” për partinë republikane.

Që nga muaji mars i këtij viti, Trump është paraqitur tre herë para organeve të drejtësisë në lidhje me blerjen e heshtjes së aktores së filmave për të rritur Stormy Daniels, dërgimin e dokumenteve të klasifikuara në resortin e tij në Florida dhe me pretendimet se ka pasur dorë në përpjekjet e paligjshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ku humbi kundër Joe Bidenit.

Lexo më shumë  Britania sanksionon grupe dhe individë izraelitë për dhunën në Bregun Perëndimor

Trump është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura kundër tij.

Rruga Press

YouTube player