KryesoreLajme

Bojkot në Bashkinë Rrogozhinë, punonjësit ngrihen kundër reformës territoriale: Nuk pranojmë bashkimin me Kavajën

Punonjësit e Bashkisë Rrogozhinë bojkotuan këtë të hënë punën në shenjë kundërshtimi ndaj draft-propozimit të Partisë Socialiste, i cili parashikon shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Kavajës në kuadër të reformës së re territoriale.

Rreth orës 09:00, punonjësit lanë vendet e punës në shenjë proteste, duke e cilësuar nismën si të padrejtë dhe duke kërkuar që Rrogozhina të vijojë të funksionojë si bashki më vete. Sipas tyre, bashkimi me Kavajën do të cenonte identitetin, historinë dhe përfaqësimin e qytetit.

Një prej punonjësve deklaroi se Bashkia Rrogozhinë i plotëson të gjitha kriteret për të mbetur njësi vendore më vete, si nga burimet njerëzore ashtu edhe nga ato financiare. Ai tha se bashkia numëron rreth 43 mijë banorë dhe se qytetarët janë kundër ndryshimit të hartës territoriale. Sipas tij, Rrogozhina ka 35 vite histori si bashki dhe nuk është krijuar nga reforma territoriale e vitit 2015. Ai shtoi se të dhënat e paraqitura për bashkinë nuk janë të sakta dhe se nuk ka asnjë arsye që ajo të shkrihet.

Lexo më shumë  Sveçla konfirmon se u gjet varr tjetër masiv në Jabukë të Zubin Potokut

Një tjetër punonjës i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama, Presidentit Bajram Begaj dhe Komisionit të Reformës Territoriale që të rishikojnë propozimin, duke theksuar se Bashkia Rrogozhinë duhet të konsiderohet një aset për komunitetin dhe se shkrirja e saj do të ndikonte negativisht në shërbimet ndaj qytetarëve.

Protestuesit argumentuan gjithashtu se Rrogozhina ka potencial të rëndësishëm zhvillimi, duke përmendur plazhin e Spillesë dhe Kalanë e Vilë Bashtovës si pasuri që kërkojnë më shumë investime nga qeveria. Sipas tyre, qyteti ka nevojë për mbështetje dhe zhvillim, jo për t’u bashkuar administrativisht me Kavajën.

Lexo më shumë  Liqeni i Ohrit nën kërcënim, UNESCO i jep Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut 5 vite për të zbatuar rekomandimet

Punonjësit e mbyllën protestën duke përsëritur se nuk do të pranojnë shkrirjen e Bashkisë Rrogozhinë dhe kërkuan që propozimi të rishqyrtohet.

YouTube player