Blegtoria- Shqipëria po zbrazet edhe nga kafshët
Blegtoria në ‘rënie të lirë’
Në Shqipëri, blegtoria është zyrtarisht në krizë të thellë. Dekadën e fundit, numri i gjedhëve është përgjysmuar. Rënie drastike raportohet për numrin e lopëve, deleve dhe dhive. Ekspertët i bëjnë thirrje qeverisë të kthejë ‘sytë’ nga blegtoria, në të kundërt me këto ritme sektori rrezikon ‘zhdukjen’.
Esmeralda Topi
Blegtoria në Shqipëri po përjeton krizë të thellë, vit pas viti. Por kryeministri Edi Rama refuzon ta pranojë tkurrjen e sektorit dhe shfaqet mosbesues ndaj pakësimit të lopëve, deleve dhe dhive. Dy vite më parë, në kulmin e debatit publik mbi ciklin rënës të blegtorisë, kryeministri ironizonte shqetësimin e ekspertëve mbi uljen e numrit të bagëtive në vend.
“…kanë ngordhur të gjithë lopët, janë zhdukur të gjitha delet, janë arratisur të gjitha dhitë? Kush e bën këtë qumësht, mushkat apo e bëjnë analistët që dalin atje e skërmiten në mënyrën më të shëmtuar, duke i hedhur edhe më shumë benzinë një zjarri që është ndezur gjetkë dhe që rrezikon të përcëllojë dhe të djegë gjithë dynjanë?”, deklaronte kryeministri Edi Rama në tetor të vitit 2022.
Por përtej ironisë, shifrat zyrtare tregojnë se Shqipëria po zbrazet edhe nga kafshët vit pas viti.
Blegtoria në krizë
Të dhënat zyrtare për blegtorinë nga Instituti i Statistikave tregojnë se numri i gjedhëve në shkallë vendi zbriti në 263 mijë gjithsej në fund të vitit 2023. Në vitin 2013, ky numër ishte 498 mijë. Pra, dekadën e fundit, numri i gjedhëve është përgjysmuar.Referuar shifrave zyrtare, rënien më drastike e kanë pësuar delet, më pas dhitë dhe lopët. Në harkun kohor të dhjetë viteve të fundit, numri i deleve në shkallë vendi u pakësua me 400 mijë krerë, numri i dhive ka rënë me 145 mijë krerë ndërsa lopët janë pakësuar me 124 mijë krerë gjithsej.
Për ekspertët këto të dhëna janë alarmante.
“Sektori ka përjetuar një rënie të frikshme dhe të rrezikshme, që mund të ketë ndikime të rënda në ekonominë tonë rurale dhe furnizimin me ushqime. Kjo situatë kërkon ndërhyrje urgjente dhe politika të reja për të mbështetur fermerët dhe për të stabilizuar sektorin.”, sugjeron Ervin Resuli, ekspert për çështje të bujqësisë dhe blegtorisë.
Cikëlin rënës të blegtorisë, Eduard Sharka e sheh si pasojë të mungesës së mbështetjes dhe politikave të gabuara fiskale.
“Blegtoria është në vështirësi serioze. Shkaku kryesor i rënies së numrit të krerëve janë politikat e gabuara fiskale. Një tjetër arsye janë dhe subvencionet, pasi skemat janë diskriminuese.”- Eduard Sharka, Kryetar i Shoqatës së Fermerëve.
Dëshpërimi i blegtorëve
Altin Kajo, blegtor nga fshati Vajkan i Madh në Fier u kthye nga Italia në 2018 dhe investoi të gjitha kursimet në një fermë blegtorale. Gjashtë vite më parë ai ndoqi gjumrët e të atit që gjithë jetën ishte marrë me blegtori, por sot Altini është penduar.
“Kam 90 lopë, por do ti zhduk. Këta qumështin po na e marrin me 60 lekë për litër, grurin se kam korrur ende se duan të na e marrin për dy lekë, subvencione s’kemi…Jemi në mëshirë të fatit, këta tallen me ne.”, shprehet i trishtuar blegtori.
Ndërsa, Bedri Mema me profesion agronom, ka pasur një nga fermat më të mëdha në Kashar të cilës i vuri drynin dy vite më parë.
“Ferma ime dikur ka numëruar 530 kokë lopë qumështi, sot nuk ka asnjë kokë. Ishte krejt e pamundur t’i mbaja pasi humbja ishte shumë e madhe.”- kujton ai.
“Kështu si është nisur me këtë rënie për 10 vjet s‘ka blegtori. Tjetër gjë nëse ndryshon mënyrat e subvencioneve, por e thënë troç blegtori pa ndihmën e shtetit nuk ka!” – thekson Dema.
Përfundim
Braktisja e fshatrave, mbështetja e ulët me subvencione dhe politikat e gabuara fiskale po shtyjnë sektorin e blegtorisë në një cikël rënie të paprecedentë. Eksperët i bëjnë thirrje qeverisë të marrë masa urgjente, në të kundërt, blegtoria rrezikon shfarosjen. Të dhënat zyrtare të INSTAT duhet të jenë këmbanë alarmi për qeverinë dhe kryeministrin- këshillojnë ekspertët. Sipas tyre, blegtoria ka nevojë për mbështetje dhe masa konkrete./Faktoje.al
Rruga Press