KryesoreLajme

Blair në Kosovë: Bombardimet e NATO-s ishin gjëja e duhur

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, iu drejtua të hënën deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke kujtuar, siç tha, “vendimin e vështirë për të ndërmarrë veprime për të ndalur luftën në Kosovë”, më 1999.

Blair, i cili po qëndron në Prishtinë në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, tha se vendimi i atëherëshëm për sulmet e NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, “kishte efekte më të gjera sesa vetëm çlirimi i popullit të Kosovës”.

“Nëse do të kishim lejuar që populli i Kosovës të brutalizohej edhe më tutje, që të drejtat t’i merreshin dhe që e ardhmja t’i vidhej, edhe e ardhmja jonë do të zbehej”, tha Blair.

Lexo më shumë  Kurti niset për në Austri, merr pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës

Si kryeministër, ai ishte njëri nga njerëzit kyçë që vuri në lëvizje intervenimin e NATO-s në Kosovë, me qëllim ndaljen e dhunës nga forcat serbe.

Fushata e bombardimeve zgjati 78 ditë dhe përfundoi më 10 qershor, 1999 – një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat e atëhershme jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja.

Blair, përpara se t’i drejtohej Kuvendit, takoi edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Është një moment i emocionit të thellë që të jem sërish këtu”, tha ai.

Lexo më shumë  Sot nis verifikimi i​ votave me postë të mërgatës së Kosovës

“Unë kam besuar se [fushata e NATO-s] ka qenë gjëja e duhur për t’u bërë atëherë, dhe besoj edhe tani se ka qenë gjëja e duhur”, tha Blair në një konferencë për media bashkë Osmanin.

“Më 1999, roli juaj si kryeministër britanik ishte vendimtar. Sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës, lirisë e demokracisë, edhe sot jeni hero i paqes”, tha Osmani duke iu drejtuar Blairit.

Kjo është vizita e tretë e Blairit në Kosovë që nga viti 1999.

Rruga Press

YouTube player