KryesoreLajme

Bislimi: Vendimi i Serbisë për njohjen e targave RKS, s’është konstruktivitet por maskim për të mbuluar dështimet

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka reaguar pas vendimit të Serbisë që t’i lejojë në territorin e saj automjetet me targat RKS pa stikers.

Bislimi ka thënë se me këtë vendim po shkon drejt fundit një proces i gjatë i çështjes së targave e mosnjohjes së tyre nga pala serbe.

Sipas Bislimit, ky nuk tregon konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është maskim që duan të kamuflohen pas dështimit në Banjskë.

Ai ka shtuar se kjo çështje tash e dy vjet e pazbatuar, është përdorur si mjet për eskalim dhe destabilizim.

“Çështja e targave mbi 10 vjet ka qenë marrëveshje e pazbatuar e për 2 vite marrëveshje e përdorur si mjet dhe qëllim për eskalim e destabilizim. Me vendimin për njohjen e targave RKS nga ana e Serbisë, shkon drejt fundit një proces i gjatë i çështjes së targave e mosnjohjes së tyre nga pala serbe. Në shtator 2021, Serbia e përdori këtë çështje për të kërcënuar Kosovën e fluturuar Mig-at përreth kufirit tonë. Ky nuk është konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është vetëm maskim që ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë dhe dështimit të narrativës së tyre të ushqyer për kaq shumë kohë në Bruksel”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Bislimi ka shtuar se janë nevojitur 18 muaj me tensione për të arritur në përfundimin që është i njëjtë me propozimin fillestar të Kosovës.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

“Fatkeqësisht, është dashur të kalojnë 18 muaj me tensione e barrikada nga ana e Serbisë, rezistencë dhe insistim në nivel teknik që stikersat të jenë zgjidhje permanente, si dhe tërheqje nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar, për të ardhur në përfundimin që është i njëjtë me propozimin fillestar të Kosovës. Ky është tregues se të gjitha destabilizimet që i ka bërë Serbia, kanë qenë të palogjikshme e të panevojshme, sepse prapë kemi arritur në situatën e njëjtë ku targat janë konvertuar në ato ekzistuese legale dhe tashmë nga 1 janari, Serbia i njeh ato”, ka shtuar ai.

YouTube player