Uncategorized

Bislimi thotë se Lajçaku qëllimshëm fshehu refuzimin e Serbisë për zbatim të Marrëveshjes

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori Besnik Bislimi ka thënë se vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë manipuluar me qëndrimin se Serbia ka ofruar propozime për planin e sekuencimit të Marrëveshjeve Bazë dhe të Ohrit.

Në një intervistë për emisionin “60 Minuta” në KTV, Bislimi ka thënë se Serbia nuk ka dorëzuar asnjëherë propozime.

Sipas tij, në takimin e fundit që ka pasur me Petar Petkoviqin në Bruksel, Kosova ka kërkuar nga ndërmjetësi, emisari Miroslav Lajçak, që me palët t’i ndajë propozimet e palës tjetër.

“Të na tregojë neve se cilat kanë qenë propozimet e deritashme të Serbisë dhe e kemi lejen tonë që propozimet tona t’i ndajë me Serbinë, me idenë që të shohim se a ka pas propozime nga Serbia sepse edhe vendet anëtare janë manipuluar duke thënë se ka pasur propozime nga Serbia dhe e dyta të shohim se sa janë larg qëndrimet tona. Vetëm atëherë kur i kemi  ne propozimet e Serbisë dhe Serbia propozimet tona do të mund ta dimë se a është versioni i 10-të versioni i fundit apo do të kemi edhe versionin e 27-të. Duhet të dimë se ku qëndrojmë për me ditë pak a shumë se çka na pret në takimin e radhës në Bruksel por kjo nuk është mbështetur e unë e ka pak a shumë se pse nuk është mbështetur. Ideja është që të mbulohet fakti që Serbia asnjëherë nuk ka dërgu propozime”, ka thënë ai.

Bislimi ka thënë se pa u ditur propozimet e Serbisë mund të ketë edhe takime të tjera e propozime të reja. Ai ka thënë se qëndrimi i Serbisë lidhet vetëm me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Bislimi ka konfirmuar se Kosova ka dërguar tashmë propozimet e veta në lidhje me draftin e dhjetë të planit të sekuencimit të ndërmjetësit. Ai ka thënë se bëhet fjalë për dokument shtatëfaqësh të dërguar nga Kosova.

Në takimet në Bruksel, sipas Bislimit, Kosova në vazhdimësi ka bërë thirrje për tri siguresa. Këto lidhen me formalizim të marrëveshjes – që ajo të nënshkruhet, që të ketë tërheqje të letrës refuzuese të marrëveshjes nga ana e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq apo që BE-ja ta refuzojë shkrimin si të pavlerë, dhe e treta që të mos ketë interferencë në punët e brendshme e të dorëzohet kryekrimineli Milan Radoiçiqi dhe grupi i tij terrorist tek institucionet e Kosovës.

Bislimi ka kritikuar ndërmjetësin Lajçak, duke thënë se ai ka bërë shkelje të disa parimeve “për të cilat jemi dakorduar që para fillimit të versionit të parë të drafteve të sekuencimit”.

“Për shembull aty parim kryesor ka qenë që palët duhet në mënyrë simultane të bëjnë diçka në zbatimin e marrëveshjes në mënyrë që të mos jetë vetëm njëra palë ajo që kryen obligimet e saj dhe pala tjetër përfituese dhe për shembull te një pikë ku thuhet pala kosovare e pranon draftin e statutit si kundërshpërblim apo nga Serbia z. Lajcak ka vendos që edhe pala e Serbisë e pranon draft-statutin që ka qenë e palogjikshme. Ne kemi thënë që kjo duhet të largohet për arsye se as nuk i dihet dialogut as nuk përbën kurrfarë përfitimi për Kosovën, por duhet të vendosen me ato elemente të cilat janë të parapara në marrëveshje, siç janë njohja e simboleve nacionale, pasaportave dhe të gjitha dokumenteve të tjera”, ka thënë Bislimi.

Bislimi ka thënë po ashtu se ka pasur devijime nga parimet e marrëveshjes për dokumentet dhe se “ka pasur tendencë të Lajçakut që në vazhdimësi të zbehet ose të zhvendoset në listë të obligimeve, obligimi i Serbisë për ta respektuar pikën e katërt të marrëveshjes që ka të bëjë me mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare”.

Sipas tij, në dokumentin e dorëzuar një ditë më parë, Qeveria ka thënë se “ka narrativë të gabuar dhe gabim të qëllimshëm të prezantimit të zhvillimeve rreth zbatimit të marrëveshjes bazike nga ana e Brukselit”.

“Për arsye se ka tendencë që të thuhet se asnjëra nga palët nuk është e interesuar dhe nuk ka filluar zbatimin e marrëveshjes duke prezantuar segmente të dokumenteve të mëparshme, për shembull versionin e datës 4 prill dhe 26 prill. Ne kemi demantuar këtë konstatim dhe kemi kërkuar nga z. Lajçak që të dalë me të vetmin konstatim të logjikshëm që thotë: pala kosovare ka kryer një pjesë të obligimeve të saj mirëpo pala e Serbisë kësaj përmbushje të obligimeve nga ana e Kosovës i është përgjigjur me shkelje të marrëveshjes jo me kryerjen e obligimeve nga ana e saj”, ka thënë tutje Bislimi.

Sipas tij, në takimin e fundit Petkoviqi si kryenegociator i Serbisë ka thënë se e ka pranuar që letra refuzuese e Serbisë për Marrëveshjen është pozicion politik i Serbisë dhe Vuçiqit. “Ai ka thënë që Serbia nuk do ta zbatojë marrëveshjen në tërësi. Problemi është që z. Lajçak nuk e ka thënë këtë publikisht”, ka shtuar ai.

“BE-ja e ka rastin e artë për rishikim të krejt procesit të dialogut”

Fundin e mandatit të Lajçakut, Bislimi e ka parë si periudhë që do të mbulohet me konstatimin se dialogu po ecën apo po mbahet gjallë. Megjithatë, sipas tij, periudha deri në ardhjen e emisarit të ri, duhet të shfrytëzohet për t’i bërë rishikim të krejt procesit të dialogut.

“Mendoj që dikush në Bruksel e ka tani mundësi të artë të pyes njerëzit vendimmarrës aty se si ka mundësi një proces i cili ka filluar që në vitin 2011 ende nuk po shpie në finalizim dhe në fakt një proces i cili është dashur t`i afrojë palët me njëra tjetrën në fund ka shkaktuar të kundërtën. Mendoj që Kosova dhe Serbia sot nuk janë më afër me njëra-tjetrën se sa që kanë qenë në vitin 2011. Kjo nënkupton që sado që kryenegociatori të jetë neutral, të ketë një vizion, të ketë një qasje korrekte ndoshta diçka është keq me procesin. Atëherë është e padrejtë që të merret në qafë edhe një politikan tjetër, edhe dy shtete anëtare, por të refuzohet dhe të trajtohet vetë procesi i negociatave në Bruksel apo i dialogut në Bruksel dhe në këtë proces Kosova është e gatshme të kontribuojë shumë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kosova ka mundësi të ndihmojë në përmirësimin e procesit të dialogut, duke shtuar se ky përmirësim do të bënte që të binte në rend të dytë se kush është kryenegociator.

“Për shembull tani nuk është diskutuar aq shumë se sa është i mirë ky kryenegociatori por është thënë z. Borrell është nga Spanja, z, Lajçak është nga Sllovakia, z. Stano është nga Sllovakia, janë vende mosnjohëse. Kjo ka ndodhë për arsye se kryenegociatori në mungesë të një procesi ndoshta të dizajnuar mirë ka pas hapësirë ndoshta më shumë se që është dashur të ketë dhe kjo pastaj ka rezultuar në një imponim të figurës dhe karakterit të tij. Në qoftë se procesi dizajnohet mirë atëherë personi mbrapa procesit është i rëndësisë sekondare”, ka thënë ai.

Bislimi ka folur edhe për Marrëveshjen për Energjinë. Ai ka thënë se ka tendencë nga Brukseli që të thuhet se ka suksese në dialog e se këtu hyn edhe çështja e energjisë. Ai ka thënë se situata aktuale është ndryshe prej 20 vjetësh më parë, por sipas tij ka përshtypje që Elektroseverit po i pamundësohet ose vështirësohet puna nga ndërhyrjet e kompanisë amë në Serbi.

Bislimi ka thënë se ka pak shpresa që në Bruksel ka vullnet që të punohet për çështjen e të pagjeturve.

Bislimi ka thënë se pala serbe në dialog për çështjen e dinarit ka dhënë si argument se “sa i madh është problemi” me “shqetësimin e madh të Gabriel Escobarit pasi i vizitoi këto familje”.

“S’mund të ketë as draft afrikan, as evropian, as latino-amerikan…”

Bislimi ka thënë se Kosova i ka përmbushur detyrat për anëtarësim në Këshill të Evropës. Sipas tij, kushtëzimi me Asociacionin nuk mund të pranohet duke e cilësuar si të padrejtë.

Ai ka thënë se në Aneksin e Ohrit nuk parashihet që palët jashtë Kosovës e Serbisë të merren me shkrim të draft-statuteve.

“Nuk mund të ketë as draft afrikan, as draft evropian, as draft latino-amerikan të statutit për arsye se kjo del jashtë marrëveshjes bazike. Në asnjë moment, në asnjë diskutim në asnjë platformë asnjë palë nuk i ka dhënë mandatin dikujt jashtë me shkru një draft statut”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nuk mund të ketë draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe pa u dakorduar për planin e sekuencimit të marrëveshjeve.

Bislimi ka vlerësuar se insistimi për Asociacionin ka të bëjë me “keqinformim të palëve”.

“Unë mendoj që në një masë të madhe kjo ndërlidhet me narrativen të cilën Brukseli ju shpërndan vendeve anëtare. Për shembull unë kam raporte ku ndërmjetësi vendeve anëtare u thotë ka qenë e qartë që nga fillimi që Asociacioni është pjesa kruciale e marrëveshjes. Askund nuk shkruan se kjo është më e rëndësishme se Kadastri për shembull. Janë 39 marrëveshje.. është një keq informim i palëve”, ka thënë ai.

“Unë mendoj që interesi është të mos ekspozohet Serbia si shkelëse e marrëveshjes e të thuhet, por ja edhe Kosova nuk po e zbaton një pjesë të obligimeve të saj. Kosova ka thënë ne jemi ta zbatojmë në tërësi për atë po kërkojmë nënshkrim por nuk duam të zbatojmë sipas qejfeve të z. Vuciq të cilat pastaj shndërrohen në kërkesa të ndërmjetësit por sipas asaj që dakordohemi në Bruksel. Në qoftë se për z. Vuciq Asociacioni është pjesa kruciale për neve është njohja de-facto. Për shembull vendeve anëtare u thuhet nuk mund të ketë normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë  pa u kriju Asociacioni, ne mendojmë që nuk mund të kemi normalizim të raporteve pa njohje reciproke”, ka thënë më tej Bislimi.

YouTube player