Bislimi takohet në Shtëpinë e Bardhë me Michael Carpenter: Serbia të ndëshkohet që të mos përsëritë sulme të tjera
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar me Drejtorin e lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare të administratës Biden, ambasadori Michael Carpenter, në Shtëpinë e Bardhë.
Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen ndaj Kosovës, Bislimi ka falënderuar SHBA-në për partneritet.
Në takim u bisedua mbi perspektivën e dialogut dhe rrugën përpara në normalizimin e marrëdhënieve, me theks në zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit të Ohrit, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
“Zëvendëskryeministri Bislimi tha se edhe sulmi i fundit terrorist javën e kaluar në Varagë të Zubin Potokut në kanalin e Ibër Lepencit, është tregues i radhës se Serbia nuk është e gatshme për normalizim të marrëdhënieve dhe fqinjësi të mirë. Ai theksoi dhe nevojën që akti i agresionit i Banjskës i shtatorit të vitit të kaluar si dhe sulmi i fundit në Ibër Lepenc të ndëshkohen me masa konkrete, në mënyrë që të parandalohet që Serbia të përsëritë sulme të përmasave të tilla që minojnë sigurinë e vendit dhe të rajonit”, thuhet në njoftim.
Bislimi u prit edhe nga Drejtorja për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Jugore, Colleen Hyland.
Rruga Press