KryesoreLajme

Bislimi: Raporti i Borrellit “do të rekomandojë heqjen e masave”

Raportimi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në Komisionin për Integrim Evropian nuk ka kaluar pa debate e përplasje. Temat që u ngritën e menaxhimi i takimit nxitën diskutime mes vetë anëtarëve, e po ashtu edhe mes opozitës dhe zëvendëskryeministrit. Në këtë mbledhje Bislimi foli edhe për mundësinë e heqjes së masave nga BE-ja.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë të enjten se ka informacione se raporti i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, do të jetë pozitiv dhe se me të “do të rekomandojë heqjen e masave”.

Gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian, Bislimi u shpreh se raporti është dashur të dorëzohej të martën, por, siç tha, figura të caktuara brenda komisionit kanë kërkuar shtyrje.

“Në bazë të informatave që neve na kanë ardhur, raporti i z. Borrell që është parakusht për trajtimin nga ana e Këshillit Evropian,është përpiluar që në muajin prill, mirëpo ka pasur hezitim që të hiqen masat ndaj Kosovës dhe vazhdon ta dëmtojë Kosovën. Raporti është dashur të dorëzohet pardje, por një pjesë e komisionit apo figura të caktuara brenda komisionit kanë kërkuar edhe pak shtyrje dhe unë besojë që do të dërgohet për aprovim në Këshill gjatë javës së ardhshme”, ka thënë Bislimi.

Informata të kundërta nga ato të zëvendëskryeministrit tha të ketë deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi. Sipas saj, me këtë raport do të kërkohet vazhdimi i masave ndaj Kosovës.

Krasniqi e Bisilimi disa herë patën përplasje verbale gjatë diskutimit. Më të ashpra ishin ato në lidhje me punën që Qeveria ka bërë për integrimin evropian.

BE-ja i vendosi masa Kosovës pas protestave të dhunshme të serbëve në veri, nëpërmjet të cilave kundërshtohej vendosja në zyre komunale e kryetarëve të katër komunave që u zgjodhën në një proces elektoral të bojkotuar nga serbët. Por BE-ja vendosi t’i rishqyrtojë masat, pasi serbët bojkotuan edhe votimin që Kosova e organizoi në veri, me të cilin mundësohej shkarkimi i kryetarëve.

Lexo më shumë  Sërish thirrje, Federata e Kosovës padit sërish Serbinë në UEFA

Zëvendëskryeministri, i cili është edhe kryenegociator për dialog me Serbinë, ka theksuar se masat e BE-së kanë ndikuar indirekt në imazhin e Kosovës dhe në integritetin e BE-së.

“Ajo që unë mendoj që është shumë me rëndësi të thuhet është ndikimi indirekt i masave në imazhin e Kosovës e por edhe në kredibilitetin e BE-së. Ka ekspozuar njëanshmërinë e vet në gjithë këtë proces dhe po ashtu ka dërguar sinjale të gabueshme te investitorët potencial. Ka pasur një tendencë që masat të keqpërdoren”, është shprehur Bislimi.

Listën e projekteve të cilat janë prekur prej vendosjes së masave që nga qershori i vitit të kaluar e kërkoi edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.

“Sa herë ky komision ka kërkuar prej juve si zëvendëskryeministër me na i sjellë cilat janë ato projekte me të cilat është sanksionu Kosova për shkak të masave, ju nuk na i keni sjellë asnjëherë por i kemi, i kemi gjetë dhe mundemi me ju tregu”, ka thënë deputetja Kadrijaj.

“Nuk po kuptoj a më keni thirrë ju me raportu a unë juve”, iu kundërpërgjigj ai.

“Nuk është pezulluar asnjë projekt i BE-së. Asnjë projekt që ka qenë duke u zbatuar nuk është pezulluar… IPA 2023 nuk është prekur fare. IPA 2024 është duke u diskutuar në BE, por ajo nuk është miratuar për shkak të masave”, ka deklaruar Bislimi.

Ai është pyetur nga deputetë opozitarë se a do të përfitojë Kosova nga 6 miliardë eurot e ndara nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Në fakt, janë 5.4 miliardë euro për shkak se 600 mijë euro janë për sigurimin e financimit e ne ato nuk i shohim. 882 milionë euro i përfiton Kosova prej të cilave gjysma shkon në mbështetje direkte buxhetore, derisa pjesa tjetër për projekte investive. Këto mjete janë të lidhura me reforma”, ka thënë Bislimi. “Kur i listova masat thashë që BE-ja ka qenë shumë specifike. Nuk preket Plani i arritjes”.

Lexo më shumë  Serwer: Dodik dhe Vuçiqi mund të tentojnë në Bosnjë një sulm si në Banjskë

Diskutimet nga deputetët opozitarë nuk iu pëlqyen atyre të pushtetit.

Deputetja e Vetëvendosjes, Fjolla Ujkani, kishte vërejtje që diskutimi, sipas saj, mori kah tjetër.

Ujkani kritikoi që Bislimi është ftuar në mbledhje për një tjetër temë, e po flitet për diçka tjetër, ndërsa kryetarja e Komisionit, deputetja e LDK-së Rrezarta Krasniqi, publikoi ftesën që i është bërë Bislimit për raportim në Komision.

Në mbledhjen e Komisionit për Integrim Evropian, zëvendëskryeministri Bislimi raportoi për nivelin e zbatimit të Agjendës për Reforma Evropiane, ERA II, dhe zbatimin e Programit Kombëtar për Integrim Evropian.

Tek ka folur në këtë temë, ai ka theksuar se një numër i madh i reformave konkrete janë realizuar dhe po zbatohen.

E, pas mbledhjes së Komisionit për Integrime Evropiane, Bislimi ka deklaruar se gara për Kosovën për anëtarësim në BE në krahasim me vendet e tjera të rajonit nuk është e njëjtë.

“Ka zëra brenda Komisionit Evropian të cilët besojnë që në rast se Kosova do të garonte me kushtet e njëjta me vendet e tjera të rajonit, do të ishte mbase vendi i parë ose i dytë nga i gjithë Ballkani që mund të marrë statusin e anëtarit të plotë të BE-së, por fatkeqësisht gara për Kosovën s’është e njëjtë”, ka thënë ai. “Nëse e shihni se gara e vendeve të tjera është një garë 400 metra sprint, Kosova e ka 600 metra dhe me pengesa dhe ka vende brenda Komisionit që vendosin pengesa të vazhdueshme në këtë rrugëtim”.

YouTube player