Lajme

Bislimi para eurodeputetëve: Asociacioni si organizatë joqeveritare, jo qeverisje ekzekutive

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk nënkupton një nivel të ri qeverisjeje në Kosovë. Sipas tij, kjo është vetëm një organizatë joqeveritare që koordinon mekanizmin e koordinimit mes komunave me shumicë serbe. Në fjalimin para deputetëve evropianë në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, Bislimi ka thënë se me marrëveshjet e kaluara parashihet që t’u jepen të drejta shtesë vetëqeverisëse disa prej komunave me shumicë serbe, por ka thënë se kjo s’ka të bëjë me autonomi territoriale.

“Marrëveshjet e kaluara nuk bëjnë thirrje për autonomi të veriut. Vetëm listojnë mekanizmin që do të mundësojnë koordinimin mes komunave me shumicë serbe në formë të Asociacionit që do të jetë organizatë joqeveritare që koordinon këtë mekanizëm, por jo si autonomi territoriale për veri a për jug… të drejta shtesë për vetëqeverisje për disa prej komunave me shumicë serbe, por jo autonomi. Është vetëm decentralizim asimetrik, për edukim, për kujdes shëndetësor edhe për siguri… Por kemi vetëm dy nivele ekzekutive dhe nga qendrori kalon te lokali dhe s’mundet lokali ta bartë te një tjetër trup”, ka deklaruar Bislimi.

Lexo më shumë  Shënohet 81-vjetori i lindjes së Ukshin Hotit, Kurti: Detyra e tij ishte t’ia thotë të vërtetën popullit

Në fjalimin e tij, Bislimi të martën ka thënë se një ditë më parë është arritur dakordimi që të mos negociohet më propozimi evropian. Sipas tij, tash fokusi është te procesi i dizajnimit të aneksit të duhur për implementimin e planit.

“Tash duhet të specifikohen obligimet e të tria palëve e të caktohen data për secilën pikë dhe të shohim cili do të jetë mekanizmi mbikëqyrës”, ka thënë tutje Bislimi duke përsëritur se Kosova ishte e gatshme për ta nënshkruar marrëveshjen, por jo edhe Serbia.

Bislimi ka pranuar se çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe përfshihet në kuadër të nenit të dhjetë, ku përmendet zotimi i palëve për implementim të marrëveshjeve të kaluara. Ai ka thënë se për këtë pikë duhet të bëhet një përmbledhje e të gjitha marrëveshjeve e të shihet çka duhet të intervenohet pasi, sipas Bislimit, “s’ka logjikë të insistohet për stikera në targa a diçka tjetër, kur marrëveshja specifikohen njohjen e dokumenteve”.

Ka përmendur marrëveshjet për shuarjen e strukturave paralele serbe në Kosovë, ndërsa ka theksuar se marrëveshja e re parasheh që Serbia s’duhet ta bllokojë rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Te kjo çështje ka shtuar se Serbia duhet t’i tërheqë letrat për pesë shtetet mosnjohëse që të bllokojnë rrugën e Kosovës.

Ai ka thënë se për Asociacionin duhet të merren parasysh tri elemente. Ka përmendur një letër të ish-ndërmjetëses, Federica Mogherini.

“Duhet të jetë në përputhje me legjislacionin e Kosovës, duhet të jetë në përputhje me qëndrimin e Bashkimit Evropian, që në një letër drejtuar ish-kryeministrit tonë nga Federica Mogherini specifikohet se çfarë mund të jetë e çfarë jo dhe sipas letrës, s’do të ketë kompetenca ekzekutive. Pika e tretë është se s’duhet të jetë nivel i tretë qeverisës”, ka thënë Bislimi.

Të hënën Kosova dhe Serbia, sipas Bashkimit Evropian, u pajtuan për përmbajtjen e planit evropian. Megjithatë, siç ka thënë Qeveria e Kosovës, ka qenë Serbia ajo që s’ka qenë e gatshme ta nënshkruajë. Propozimi është publikuar në uebfaqen e Bashkimit Evropian.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *