Bislimi: Lajçaku doli me propozim të ri, Serbia vazhdoi “lojën”
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar pas takimit në Bruksel me homologun serb, Petar Petkoviq, se Serbia kishte “qëndrime shqetësuese” për çështjen e transferimit të mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë.
Ai ka deklaruar për KTV-në në Bruksel se takimi i sotëm ishte më i konkretizuar, e ndërmjetësuesi evropian, Miroslav Lajçak, dha një propozim të ri.
Pas takimit me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, Bislimi tha se tani ndërmjetësi evropian, Miroslav Lajçak do të dalë me një propozim të ri rreth zgjidhjes së kësaj çështjeje.
“…Pas disa orë bisedime, Lajçaku ka dalë me propozim të ri që duhej të ishte propozimi i fundit që del nga Lajçak e ne duhet t’i japim komentet e fundit. Propozimi është një përafrim, shkon në drejtim të duhur, por kërkon kohë për palët t’i analizojnë elementet ligjore e të ngjashme. Si të mundësohet financimi i shkollave dhe i ambulancave, e kanë kërkuar të furnizohen nga struktura paralele, por pa treguar se cilat janë këto struktura. Ideja e tyre (palës serbe) ishte se duhet të financohen derisa të themelohet Asociacioni, e pastaj do të ishte kompetencë e Asociacionit. Natyrisht kjo s’ka hasur në mirëkuptimin e Lajçakut e as në të tonin”, ka thënë Bislimi.
Sipas Bislimit, deklarimet e palës serbe “ishin brengosëse”.
“Fatkeqësisht i kemi dëgjuar disa deklarata brengosëse nga ana e Serbisë që kanë bërë që qëndrimet të largohen. Për herë të parë kemi parë haptas nga Serbia se si ata e shohin kërkesën e krijimit të Asociacionit, e për bashkësinë ndërkombëtare dhe Kosovën është nënkuptuar si mekanizëm që ndihmon komunat me shumicë serbe t’i koordinojnë në ushtrimin e disa veprimeve. Serbia sot tregoi se e sheh si mekanizëm për legjitimim e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë. Vazhdoi loja e vjetër me tendenca për të siguruar metoda që do të merrnin garanci për licencimin e institucioneve ilegale”, ka potencuar kryenegociatori i Kosovës.
Rruga Press