Lajme

Bislimi e njofton Sorensenin se Serbia po i bllokon mjetet e Kosovës për Luginën: Po cënohen të drejtat e shqiptarëve të Luginës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi thotë se e ka njoftuar përfaqësuesin e BE-së për dialogun, Peter Sørensen se Serbia po i bllokon mjetet e Kosovës të destinuara për Luginën e Preshevës.

Bislimi në një postim në Facebook, ka thënë se Serbia tre herë radhazi ka bllokuar të hollat e dërguara nga Kosova dhe i ka refuzuar ato pa asnjë bazë ligjore.

“3,650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35.448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Qeveria jonë ka zbatuar plotësisht dhe në kohë të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale. Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304.511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSH-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të tre rastet, transferi është refuzuar. Mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore”, ka shkruar Bislimi.

Lexo më shumë  Shqipëria mes braktisjes dhe refugjatëve, Rama e sheh shpopullimin si 'fitore'

Kryenegociatori Bislimi më tutje ka thënë se “E njëjta qasje është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të KKSH-së për programin e subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë, pavarësisht se të gjitha procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar plotësisht”.

Bislimi po ashtu ka njoftuar se Institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion Bashkimit Evropian të gjitha provat dokumentare: komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentacionin e vendimeve qeveritare.

Lexo më shumë  OSBE dënon gjuhën seksiste ndaj Matoshit: Retorikë kundër standardeve

“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit të dialogut, por nuk mund të qëndrojë indiferente kur mekanizmat administrativë përdoren për të cenuar të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, shprehet në fund zëvendëskryeministri Bislimi.

Rruga Press

YouTube player