Bislimi: Aplikimin në KiE e bëmë në koordinim me partnerët tanë
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, u shpreh të hënën në mbledhjen e Qeverisë se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në koordinim me partnerët.
Bislimi, që udhëhoqi mbledhjen e Qeverisë në mungesë të kryeministrit Albin Kurti, tha se ishte koha e duhur për aplikim.
“Besojmë fuqishëm që të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës i gëzohen avancimit të vendit tonë dhe do ta mbështesin këtë rrugëtim”, ka thënë ai. “Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm përpara me dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Pas anëtarësimit, qytetarët e Kosovës do të kenë edhe një instancë evropiane për të adresuar çështjet e tyre”.
Bislimi foli edhe për vizitën e Kurtit, tash e sa ditë, në SHBA.
“Kryeministri Kurti po zhvillon takime shumë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave”, shtoi ai.
Kosova aplikoi për pranim në Këshill të Evropës të enjten që shkoi.
Rruga Press