Opinion/Aktualitet

Birra, Bregoviç & Ballkan i Hapur

Shkruan Boiken Abazi

Goran Bregoviç njihet njëkohësisht si “Led Zeppelin” i ish-Jugosllavisë dhe si një prej baballarëve të turbofolkut. Shpesh në skenë, në 30 vitet e fundit, ai ka zhvilluar një lloj simulimi të atomosferës së kafeneve ballkanike ku pihet alkool pa masë. Duke nxitur edhe publikun të pijë, gjatë koncerteve ai mban në dorë ndonjë gotë me uiski, apo “sljivovica” (raki kumbulle), ose shampanjë. Mirëpo Edi Rama, Bashkia e Korçës, Baton Haxhiu dhe bisnesmenë si Irfan Hysenbelliu me shokë, këmbëngulin se Bregoviçi shkon edhe me birrë në Festën që mbahet në Korçë. Lidhja mes muzikës dhe qëndrimeve të Bregoviçit nga njëra anë, dhe projektit Vuçiç- Rama- Zaev për Ballkanin e Hapur nga ana tjetër, është e menjëhershme. Nuk mund të kishte një figurë simbolike më përfaqësuese të kopjes “kitsch” (kiç) të ish-Jugosllavisë – Ballkani i Hapur – sesa jugonostalgjiku Bregoviç, mjeshtër i kiçit postmodern ballkanik. Bregoviçit po i bëjnë gati skenën e pijetores më të madhe në Shqipëri, në fund të natës së fundit të Festës së Birrës, ku synohet që publiku të dalldiset me birrë dhe muzikën e hiper-realitetit të rajonit tonë të ekzotizuar. “Rama, juris (yrysh)”!

Pa dyshim, Bregoviçi është ndër muzikantët më të njohur të rajonit në nivel ndërkombëtar. Karriera e tij nisi me grupin “Bijelo Dugme” (Kopsa e bardhë) në stilet “pop-rock” dhe “folk-rock”, ku bashkonte rokun me muzikën folk të popujve të ish-Jugosllavisë. Por akuzat ndaj tij për plagjiaturë dhe përvëtësim këngësh nisën herët. Kënga “Blues za moju bivsu dragu” (1975) i ngjan tej mase këngës së “Led Zeppelin” që titullohet “Since I’ve been loving you” (1970). Për të kuptuar nga vjen kënga “Zamisli” (1986) mjafton të dëgjosh këngën e grupit “Red Hot Chilly Peppers” të titulluar “Jungle Man” (1985). Kënga “Plijuni i zapjevaj, moja Jugoslavijo” (1988) ka marrë shumë nga kënga e grupit “Survivor”, titulluar “Eye of the Tiger” (1983), që u bë e famshme në filmin “Rocky III”, e kështu me radhë. Por plagjiaturat e tij nuk kanë të sosur.

Pavarësisht plagjiaturave, Bregoviçi u bë i famshëm në ish-Jugosllavi edhe sepse grupi “Bijelo Dugme” përfaqësonte linjën e Lidhjes (Partisë) Komuniste Jugosllave, ku Bregoviçi ishte anëtarësuar prej vitit 1971. Tito dëshironte të shfaqej si më liberal, dhe ku më mirë se përmes një grupi djemsh muzikantë si ata të “Bijelo Dugme”-s, që e kishin shpallur veten publikisht si “Partizanët e rinj” dhe si “Rinia socialiste e Titos”. Kur në Kosovë nisën protestat e viteve 1980 për barazi mes kombeve të ish-Jugosllavisë, nën thirrjen “Kosova Republikë”, policia dhe ushtria jugosllave vrau me dhjetëra shqiptarë, duke plagosur dhe burgosur me qindra, por “Partizanët e rinj” nuk thanë asnjë fjalë. Ata performuan një këngë dashurie (1983) në shqip – “Kosovska” – me muzikë rok dhe pak motive shqiptare, ku i tregonin një vajze shqiptare se si të vishej e krihej bukur. Mbulimi i padrejtësive dhe ultranacionalizmit serb me propagandën bosh multikulturore të “Vllaznim-Bashkimit” jugosllav është tipike për repertorin e Bregoviçit.

Bregoviçi nuk ishte interesant jashtë Ballkanit me kopjet direkte të muzikës rok që e ndërthurte me atë folk. Ai u bë i famshëm në Perëndim kur nisi një lloj riinterpretimi dhe ripërfaqësimi të muzikës folk të Ballkanit. Në studimin e saj të doktoraturës në Universitetin e Amsterdamit, A. Markoviç tregon se si 74% e gjithë këngëve të Bregoviçit në vitet 1990-2010 janë arnime, riciklime dhe riorganizime të burimeve të mëhershme. Në albumin e fundit

të “Bijelo Dugme”-s u publikua edhe kënga “Xhurxhevdan”, e njohur edhe si “Ederlezi”, një kopje e një kënge të kënduar edhe nga romët, që sipas Bregoviçit bazohet mbi muzikën tradicionale shqiptare. Një version të kësaj kënge e kishte kënduar para “Bijelo Dugme”-s edhe këngëtarja rome nga Maqedonia, Vesna Jankovska. Kjo këngë ka rëndësi ngaqë nuk është thjesht një prej më të njohurave por edhe shënon fillimin e karrierës së tij të mëvonshme si riprodhues i muzikës rome nëpërmjet instrumenteve frymore. Në vitin 1989, atëherë kur rrëzohej Muri i Berlinit dhe “ëndërra” e Jugosllavisë komuniste ishte kthyer në makth jo vetëm për shqiptarët, Bregoviçi deklaroi publikisht se krijimtaria e tij do përqëndrohej te muzika etnike, gjithnjë me synime pro jugosllave. “Bum, bum!”

Bregoviçi bashkëpunoi me regjisorin Emir Kusturica, që në nivel ndërkombëtar u bë shumë i njohur me filmin “Arizona Dreams”. Kënga më e famshme e kolonës zanore të këtij filmi ishte “In the Deathcar”, e “kompozuar” nga Goran Bregoviçi me tekst dhe interpretim të Iggy Pop. Kusturica fitoi disa çmime ndërkombëtare me filmat e tij duke ekzotizuar Ballkanin dhe romët në forma raciste dhe ka qenë në vazhdim një justifikues i krimeve të Serbisë dhe mbështetës i Putinit. Më në fund, në vitin 2016, Festivali i Filmit në “Cannes” e refuzoi filmin e tij pavarësisht çmimeve të mëhershme, sipas Kusturicës, për shkak të qëndrimeve të tij. Sakaq, doli që kënga “In the Deathcar” e Bregoviçit, ishte përvetësuar nga francezi Enrico Macias, që kishte përshtatur në versionin francez këngën “Solenzara”. Kënga origjinale “Solenzara”, në fakt, ishte kompozuar edhe më herët nga Dominique Marfisi në stilin rumba të Korsikës, interpretuar nga dyshja “Régina dhe Bruno”. Muzikantët që ligjërisht përfitonin nga të ardhurat e kësaj këngë ngritën padi kundër Bregoviçit dhe për përvetësimin e saj u bë edhe një dokumentar nga Pascal Regoli.

Lexo më shumë  Kush është me Serbinë?

Jo shumë i njohur është fakti se gjatë shekullit XIX dhe XX u hapën shumë kopshte zoologjike njerëzore në Perëndim ku ekspozoheshin “popullsitë ekzotike”. Ata ishin njerëz të marrë prej kolonive, të cilët ekspozoheshin nudo ose gjysëm të veshur në kafaze hekuri apo në natyrë për t’u shijuar nga syri soditës kolonizator si dhe për arsye “edukative”, që tentonin të provonin superioritetin e kolonizatorit përkatës. Aq të popullarizuar ishin kopshtet zoologjike njerëzore sa që në vitin 1931, brenda 6 muajve miliona njerëz vizituan në Paris “Ekspozitën Koloniale”. Ekspozita e fundit e tillë me njerëz si në kopsht zoologjik u organizua në Francë në vitin 1994, ku ekspozoheshin gjysëm të zhveshur njerëz nga Afrika që imitonin jetën në një fshat të Bregut të Fildishtë, e që për arsye komerciale u quajt “Fshati Bamboula”. Kompania që organizonte ekspozitën njerëzore e kishte rikrijuar fshatin si metodë marketingu për të rritur shitjet e biskotave “Bamboula”, që prodhoheshin nga kakao dhe kishin si imazh steriotipizues në paketim vizatimin e një fëmije “ekzotik” nga Afrika, të veshur me një lëkurë leopardi. Ekspozita u mbyll pas shumë kritikave që mori nga vetë francezët.

Në kohën e “Fshatit Bamboula” në Francë dhe luftrave në ish-Jugosllavi, Bregoviçi iku nga Sarajeva për të jetuar mes Beogradit dhe Parisit. Ai nuk mund të çonte në Paris në kopshte zoologjike popullsinë “ekzotike” të Ballkanit, as biskota me kakao ballkanike, por ai e kishte kuptuar se mund të sillte aty muzikën e ekzotizuar të popujve ballkanikë. Jo muzikën tradicionale, por muzikën e dekontekstualizuar, të përvetësuar, të prerë, të ngjitur e ringjitur, të ricikluar disa herë, të arnuar dhe (ri)paketuar për t’u shitur si mall ekzotik sipas shijeve evropiane, që i kishin parë prej shekujsh popujt e Ballkanit si Tjetrin e egër dhe të prapambetur brenda Evropës. “Hajde, hopaaa”!

Këtu duhen bërë disa dallime. Ajo që ka bërë Bregoviçi nuk është njëlloj me atë që bën Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, që edhe kur bënte përpunime të muzikës popullore përpiqej të ruante kontekstin historik dhe motivet kulturore të vendit. Nuk është njëlloj as me muzikantë bashkëkohorë që përpunojnë, p.sh., muzikën tradicionale shqiptare duke e shkrirë me rryma të tjera muzikore. Këto përpunime muzikore bashkëkohore nuk kanë për synim transformimin e muzikës folk dhe paraqitjen e popujve nga është marrë kjo muzikë si popuj ekzotikë. Ajo që Bregoviç ka bërë rëndom është bashkimi i melodive dhe i teksteve të këngëve të ndryshme të muzikës folklorike të Ballkanit në të njëjtën këngë. Pastaj, prerja dhe riprerja e tyre, rotacioni nga një kolazh te tjetri, që krijon në (ri)punimet postmoderne atë që njihet si “pastiche” – një lloj prodhimi seri me muzikë të zbrazët nga historia dhe konteskti, neutrale dhe dy-dimensionale (pa thellësi) për t’u tretur sa më lehtë nga publiku. Muzika e Bregoviçit tenton t’i zhdukë dallimet mes këngëve që ai i merr copa-copa për të krijuar një këngë të re – një kolazh i tipit Frankeshtajn që shkakton përfytyrimin se ajo është muzika autentitke e Ballkanit. Nga ana tjetër, veshi i ballkanasve dallon në muzikën e Bregoviçit motive të njohura nga këngë të ndryshme, kështu që i duket muzikë e afërt dhe e çuditshme njëkohësisht, duke krijuar një përfytyrim auto-ekzotizues. Kjo kopje e zbrazët e fabrikimit të reales krijon nostalgji për realen duke glorifikuar një histori të (ri)prodhuar, që nuk ka ekzistuar kurrë.

Duhet bërë edhe një tjetër dallim. Procesi i krijimit artistik që shpesh mbështetet në mënyrë të pavetëdijshme, apo edhe frymëzohet në mënyrë të vetëdijshme, nga krijime të mëparshme artistike, dallon nga kolazhi postmodern që riciklon Bregoviçi duke përvetësuar me vetëdije të plotë pjesë të këngëve të ndryshme të shkrira bashkë në një. Stili i Bregoviçit e zbeh historinë duke krijuar (për)punime sipërfaqësore, në formë imazhesh që krijojnë një realitet të ri të intensifikuar, një “hiper-realitet”, që sipas sociologut francez Baudrillard është “prodhimi i modeleve të reales pa origjinë apo realitet”. Kështu (ri)prodhohet si mall për konsum të gjerë ekzotizimi i muzikës dhe kulturës ballkanike, që e kanë bërë të pasur Bregoviçin. Ajo që bën Bregoviçi me muzikën e tij nuk është imitimi i një modeli që ndodh në jetën reale. Jo. Bregoviçi e shndërron realitetin në shenjues të zbrazët duke ndërtuar atë që Baudrillard ka quajtur “simulacra”, një kopje e diçkaje që nuk ekziston dhe që nuk ka një origjinal. Në rastin e Bregoviçit, ai fabrikon edhe kopjen kiç të historisë së “bashkëjetesës së lumtur” mes popujve në ish-Jugosllavi, për të cilën ai e deklaron hapur nostalgjinë e tij.

Lexo më shumë  Kajsiu: Pensionet nxjerrin bllof modelin e qeverisjes Rama

Muzika e Bregoviçit sheshon dallimet mes nacionalizmit shoven serb dhe nacionalizmit shqiptar që synon çlirimin nga dominimi i nacionalizmit serb. Bregoviç ende synon “Vllaznim-Bashkimin” pa vendosur drejtësi, duke i nxjerr të gjithë ballkanasit pak fajtorë, e të gjithë pak viktima, për shkak të kulturës së tyre, jo për shkak të programit shekullor shtetëror të Serbisë për kolonizimin e Kosovës. E njëjta tezë përsëritet edhe sot nga propaganda zyrtare e Serbisë, e cila meqë nuk i mbulon dot krimet e kryera nga Serbia, shtyn përpara pretendimin se në ish-Jugosllavi ishin të gjithë pak kriminelë e të gjithë viktima. Pas rrafshimit të padrejtësive dhe të dallimeve ekonomiko-politke, ballkanasit shfaqen rëndom në këngët e Bregoviçit si njerëz të pacivilizuar, ekzotikë dhe pak të egër kulturalisht, që dehen e se kanë për gjë të vriten me njëri-tjetrin. “Kallashnikov, Eeeeeeeeeeh …”

Bregoviç mund të pretendojë se është auto-ironik (paçka se bazohet mbi formula raciste ndaj romëve), por këngët e tij të famshme bëjnë thirrje për ta harruar e shfrenuar veten në “stilin ballkanik”. Kjo “shkathtësi” e (për)punimeve postmoderne të Bregoviçit, që zhduk etikën, kundërthëniet e brendshme, historinë dhe krijon një hiper-realitet dalldisës, nuk habit që është pëlqyer shumë nga ushtarët dhe paramilitarët serbë gjatë masakrimit dhe përdhunimeve të

shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit. Në disa intervista të bëra me kriminelë lufte ultranacionalistë serbë, ky shfrenim në krime gjatë luftës u përcillte një ndjenjë lirie dhe ishte një nga arsyet madhore që i joshte të rekrutoheshin si paramilitarë. Hiper- realiteti ahistorik i Bregoviçit i shkon për shtat edhe Ballkanit të Hapur – kopjes kiç të ish-Jugosllavisë. Në vitin 2006, Edi Rama e ka nderuar Bregoviçin me “Çelsin e Tiranës”, ndërsa sivjet Aleksandar Vuçiç e ka dekoruar me medaljen e “Yllit të Urdhërit të Karaxhorxheviçit” – dinastisë serbe që themeloi “Mbretërinë Jugosllave”, sërish me masakra ndaj shqiptarëve dhe popujve të tjerë ballkanikë. Por muzika e Bregoviçit nuk shërbeu si frymëzim për shqiptarët në luftën për çlirim, dhe as sot në përpjekjen aktuale për të vendosur marrëdhënie të bazuara mbi reciprocitetin dhe respektin e ndërsjellë. Pavarësisht nostalgjisë së Bregoviçit, nuk duhet harruar se ish-Jugosllavia u themelua bazuar mbi nacionalizmin kolonizator të Serbisë, u mirëmbajt përmes tij dhe u shkatërrua po për shkak të tij.

Organizatorëve të Festës së Birrës në Korçë nuk po u interesojnë lutjet për të mos e ftuar Bregoviçin, lutje këto që erdhën nga të mbijetuarit e masakrave në Kosovë dhe nga gra të përdhunuara nga ushtria dhe paramilitarët serbë nën tingujt e këngëve të Bregoviçit. Sot e kësaj dite nuk është dënuar askush në Serbi për këto përdhunime që u përdorën si mjet lufte ndaj shqiptarëve. Serbia nuk ka kërkuar falje, nuk po i kthen të pagjeturit dhe nuk i njeh as masakrat që ka kryer në Kosovë e as pavarësinë e saj. Sot e kësaj dite Serbia po spastron etnikisht Luginën e Preshevës nga shqiptarët. Kundër ftesës për Bregoviçin nuk mjaftoi qoftë dhe intervista e dhënë prej tij në vitin 2011, ku deklaron se kultura në Kosovë është serbe dhe se në Kosovë fillon kultura serbe. Nuk ka fakte, thonë, kundër Bregoviçit edhe pasi u bënë publike videot ku ai organizonte koncerte kundër ndërhyrjes së NATO-s në luftën për çlirimin e Kosovës. Nuk u mjaftoi as organizimi i koncertit të Bregoviçit në vitin 2015 në Krimenë e pushtuar nga Rusia e Putinit, ku Bregoviçi nderoi publikisht “madhështinë e Rusisë”. Ata po bëjnë çmos ta sjellin Bregoviçin në Korçë që të na “civilizojnë”.

Muzika e kiçit postmodern ballkanik të Bregoviçit, qëndrimet jugonostalgjike që shfajësojnë Serbinë për gjenocidet në emër të “Vllaznim-Bashkimit” dhe deklaratat pro-ruse e bëjnë atë një figurë përbashkuese të autokratëve ballkanikë, mafias multikulturore, oligarkisë transnacionale dhe kriminelëve serbë të luftës. Rama dhe Vuçiç janë kopja kiç e politikës së vjetër të Ballkanit, që ngulmon të paraqiten si e ardhmja. Por ata nuk e sjellin dot të renë. Janë bërë bashkë për projekte të vjetra si Ballkani i Hapur, që ripaketohen për t’u shitur si të reja, ama përdorin simbolet e së shkuarës si 71 vjeçari Bregoviç. Ata që duan ta sjellin në Festën e Birrës në Korçë Bregoviçin, si dhe ai vet, kanë në thelb të njëjtin mesazh për shqiptarët: harrohuni dhe harbohuni në ahengun e mirëkuptimit të alkoolizuar ndërkulturor – shfrenohuni në Ballkanin e Hapur ndaj ekspansionit serbo-rus. “Rama! Stoj (ndal)!” ©lapsi.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *