Lajme

BIRN: Pas një rasti të dyshuar kontrabande në Shqipëri shfaqet ‘flota hije’ e Kremlinit

Në një ditë të ngrohtë dimri të shkurtit të vitit 2023, një anije-cisternë nafte që lundronte me emrin Grace Felix mbërriti në gjirin e Durrësit, duke transportuar 21 mijë tonë gazoil.

Dokumentet që mbante kapiteni rus i anijes deklaronin se karburanti kishte origjinë nga Azerbajxhani, por autoritetet shqiptare dyshuan se itinerari dhe të dhënat e lëvizjes së saj në Mesdhe tregonin një tjetër histori.

Ngarkesa ishte transferuar në bordin e Grace Felix në Gjirin e Lakonisë, pranë brigjeve të Greqisë, nga një tjetër anije-cisternë që ishte nisur disa javë më herët nga porti rus Novorossiysk, në Detin e Zi. Transferimi nga një anije në një tjetër – një praktikë e përdorur shpesh për të fshehur origjinën e ngarkesës – ngriti dyshime se nafta ishte në fakt ruse dhe, si e tillë, subjekt i sanksioneve.

Anija u ndalua dhe ngarkesa e saj iu nënshtrua inspektimeve.

Kjo nuk do të ishte hera e fundit që Grace Felix, e riemërtuar më pas Mestral, do të dyshohej për transportim të paligjshëm të produkteve energjetike ruse, tregtia e të cilave kufizohet nga sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e G7+.

Shërbimet ukrainase të inteligjencës e akuzojnë kompaninë administruese të anijes, Cymare Shipmanagement Ltd, si dhe personat që qëndrojnë pas saj, se janë pjesë e së ashtuquajturës “flota hije” ruse [shadow fleet], një burim kyç të ardhurash për makinerinë ushtarake të Kremlinit në Ukrainë.

Në vitin 2025, autoritetet ukrainase vendosën sanksione ndaj anijes-cisternë dhe kapitenit të saj, duke i përfshirë në një listë të zezë të hartuar nga Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës, GUR.

Kjo listë përfshin qindra anije të dyshuara për transportimin e produkteve energjetike ruse, armëve dhe drithërave të vjedhura nga territoret ukrainase të pushtuara.

Të paktën një duzinë prej tyre kanë vizituar portet shqiptare që prej nisjes së pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022, duke ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e sanksioneve të vendosura nga qeveria shqiptare kundër Moskës.

Zbatimi i kufizimeve tregtare ndaj Rusisë dhe produkteve të saj energjetike mbetet një sfidë për komunitetin ndërkombëtar, veçanërisht për Shqipërinë, e cila ndërkohë e ka dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë me tone të ashpra.

“Vende si Shqipëria, ku gjurmimi i naftës kontrabandë nuk është në nivelet më të mira… janë vulnerabël për naftën kontrabandë që mund të vijë nga Rusia.,” tha Ledion Krisafi, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare.

“Por, në thelb, për tregun shqiptar nuk ka shumë rëndësi nëse është naftë ruse kontrabandë apo nga ndonjë vend tjetër, sido që të jetë ngelet kontrabandë dhe institucionet duhet të bëjnë punën e tyre.”

Përmes një avokati, Cymare Shipmanagement Ltd mohoi kategorikisht akuzat ukrainase që lidhin anijet e saj me një “flotë hije” ruse.

“Nuk ka absolutisht asnjë bazë për pretendimet se anija ‘Mestral’ (ish-‘Grace Felix’) apo ndonjë anije tjetër e administruar nga Cymare është përfshirë në aktivitete që bien ndesh me rregulloret dhe kërkesat e sanksioneve të Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar apo Shteteve të Bashkuara,” tha kompania në një përgjigje me shkrim.

Duke kritikuar ndalimin e anijes-cisternë në Shqipëri në vitin 2023, Cymare theksoi se asnjë akuzë apo procedurë formale nuk ishte ngritur ndonjëherë kundër anijes, pronarëve apo ekuipazhit të saj.

“Nuk kishte asnjë provë që të tregonte se nafta në bordin e ‘Grace Felix’ ishte me origjinë ruse dhe testet zyrtare të kryera nga organi shtetëror përkatës treguan të kundërtën,” deklaroi kompania. “Anija dhe pronarët e ngarkesës së saj kanë pësuar humbje të konsiderueshme gjatë kësaj periudhe.”

Sanksionet ndaj energjisë

Në prill, Bashkimi Evropian miratoi paketën e njëzetë të sanksioneve kundër Rusisë, këtë herë të përqendruar tek e ashtuquajtura “flotë hije”. Deri tani, blloku ka futur në listën e zezë më shumë se 630 anije, kryesisht cisterna të vjetra me struktura pronësie jo transparente, duke ua ndaluar hyrjen në portet evropiane. Një embargo mbetet në fuqi për importet detare të naftës ruse dhe nënprodukteve të saj, ndërsa vendet e G7+, përfshirë Kanadanë, Japoninë dhe Britaninë, kanë vendosur një tavan çmimi prej 44 dollarësh për fuçi për blerjet e naftës ruse.

Elisabeth Braw, studiuese e lartë në Atlantic Council në Uashington, tha se “flota hije” është thelbësore që Rusia të vazhdojë shitjen e eksportit të saj kryesor.

“Rusia mund të eksportojë ligjërisht naftë nën çmimin tavan të vendosur, por kjo është shumë më pak fitimprurëse ose gjeneron të ardhura të kufizuara,” tha Braw. Me “flotën hije”, Rusia mund të transportojë dhe eksportojë naftë mbi kufirin e lejuar të çmimit.”

“Prandaj është e qartë se Rusia ka interes të madh në përdorimin e kësaj flote.”

Gonzalo Saiz Erausquin, studiues në Royal United Services Institute në Londër, tha se flota është zgjeruar në mënyrë eksponenciale që prej sanksioneve të vendosura në vitin 2022.

“Vlerësohet se flota hije e Rusisë mund të përbëhet nga rreth një mijë anije,” tha Saiz Erausquin për BIRN, duke vënë në dukje se numri mund të luhatet pasi disa prej anijeve u shërbejnë edhe vendeve të tjera nën sanksione, si Irani.

Saiz Erausquin tha se është e vështirë të përcaktohet sasia e naftës që transportohet nga kjo flotë apo të ardhurat që ajo gjeneron për Rusinë, por shtoi: “Në kulmin e saj, ajo transportonte rreth 80 për qind të naftës bruto ruse të eksportuar në rrugë detare.”

Gjurmimi i lidhjeve mes flotës hije ruse dhe shtetit mbetet një nga sfidat kryesore për hetuesit, tha Saiz Erausquin. Sipas tij, megjithëse ekzistojnë dyshime për përfshirjen e shërbimeve ruse të inteligjencës, si FSB apo GRU, provat e drejtpërdrejta janë të vështira për t’u siguruar.

“Natyra e sofistikuar e këtyre operacioneve lë të kuptohet qartë për përfshirje shtetërore,” tha ai. Por, shtoi më tej, rrjeti nuk kontrollohet ekskluzivisht nga shteti.

“Me shumë gjasa, kemi të bëjmë me një kombinim aktorësh shtetërorë dhe jo shtetërorë të përfshirë në ekosistemin më të gjerë të flotës hije.”

Transferimi nga anija në anije

Anija Grace Felix u nis nga porti i Rouenit në Francë në janar 2023 dhe hyri në Mesdhe, duke ndjekur një itinerar përmes Ngushticës së Gjibraltarit drejt Peloponezit. Në të njëjtën periudhë, sipas dokumenteve gjyqësore, një cisternë me emrin Fidan, që lundronte nën flamurin e Turqisë, mori një ngarkesë në portin rus të Novorossiyskut dhe u drejtua përmes Dardaneleve drejt Egjeut.

Në fillim të muajit pasues, sipas dosjes hetimore, dy cisternat u takuan në ujëra ndërkombëtare në Gjirin e Lakonisë, pranë qytetit Kalamata në Greqi, ku kryen një transferim “nga anija në anije”, ose STS (ship-to-ship).

Lexo më shumë  Sekuestrohen rreth 300 fishekë dhe uniformë me logo të Serbisë në Zubin-Potok

Operacioni u zhvillua jashtë porteve dhe pa mbikëqyrje të drejtpërdrejtë doganore.

Më pas, Grace Felix u drejtua drejt ujërave territoriale shqiptare dhe mbërriti në terminalin e naftës në Porto Romano, në Durrës, në mesin e shkurtit 2023, por nuk u ankorua. Autoritetet shqiptare u njoftuan për dyshime mbi dokumentacionin e ngarkesës dhe një task-forcë hipi në anije për të kryer inspektim.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Durrësit, dokumentet shoqëruese për gazoilin deklaronin se karburanti kishte origjinë nga Azerbajxhani dhe ishte në pronësi të një kompanie me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, të quajtur Solid Energy Solution DMCC.

Megjithatë, të dhënat e itinerarit të analizuara nga Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD), e cila monitoron ujërat detare shqiptare, ngritën dyshime mbi origjinën e karburantit.

Kompania shqiptare që kishte porositur ngarkesën, AV International Group, refuzoi ta finalizonte blerjen, duke përmendur dokumentacionin e paplotë. Më 21 shkurt 2023, Prokuroria e Durrësit hapi një hetim penal ndaj kapitenit rus të Grace Felix nën dyshimin për kontrabandë.

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial i Shqipërisë analizoi mostrat e gazoilit të transportuar nga Grace Felix, por prokurorët nuk arritën të provojnë përfundimisht se ai kishte origjinë ruse.

Pas më shumë se një viti hetimesh dhe procedurash gjyqësore, prokuroria vendore i rrëzoi akuzat, duke përmendur mungesë provash të mjaftueshme. Gjykata e Durrësit e mbylli çështjen në prill 2025, ndonëse gjyqtari Rexhep Bekteshi theksoi në vendimin e tij: “Pas shqyrtimit të dosjes dhe provave, gjykata konstaton se kjo nuk është një çështje ku provohet se i pandehuri është i pafajshëm.”

Krisafi, studiuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, tha se rasti i Grace Felix tregon nevojën për një qasje më të koordinuar dhe më vigjilente nga autoritetet shqiptare.

“Ajo që qeveria shqiptare mund të bëjë është koordinimin më i mirë me vendet si Greqia dhe Italia që janë fqinje dhe që kanë mundësi më të mëdha gjurmimi, për çdo anije që ka qoftë dhe dyshimin më të vogël,” tha ai.

“Gjithashtu çdo anije e tillë që vjen në portet shqiptare duhet kontrolluar imtësisht, por ama rregjistrimi dhe pronësia e tyre shpesh është në një rrjet të ndërlikuar që duhet kohë për ta shqyrtuar”, shtoi ai.

Lufta dhe sanksionet

E ndërtuar në vitin 2008, Grace Felix menaxhohej nga kompania me bazë në Qipro, Cymare Shipmanagement Ltd kur u ndalua nga autoritetet shqiptare në shkurt 2023. Në korrik të vitit 2023, menaxhimi i anijes kaloi te Cymare Navigation FZC, e regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në janar 2024, emri i anijes u ndryshua në Mestral dhe, sipas platformës së të dhënave të anijeve Equasis, ajo është në pronësi të Mestral Shipping Ltd, me seli në Limasol të Qipros. Aktualisht ajo lundron nën flamurin e Panamasë.

Nën emrin Mestral, cisterna është akuzuar nga autoritetet ukrainase për përfshirje në të paktën dy raste eksporti të naftës bruto dhe produkteve të naftës me origjinë ruse gjatë vitit 2025.

Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës (GUR), anija ka lundruar në mënyrë të përsëritur me sistemin e identifikimit automatik AIS të fikur gjatë dy viteve të fundit dhe është përfshirë në lëvizje të dyshimta pranë porteve ruse në Detin e Zi, si dhe në ujërat pranë Greqisë, Turqisë dhe Libisë.

Në shtator 2025, sipas GUR, cisterna transportoi rreth 30,500 tonë produkte nafte nga porti rus i Tamanit drejt Turqisë. Një muaj më vonë, ajo ngarkoi gati 30,000 tonë nënprodukte nafte nga terminali Sheskharis në portin e Novorossiyskut, me destinacion Tunizinë. Në atë rast, sipas GUR, dërgues ishte kompania ruse e sanksionuar PJSC Lukoil, ndërsa operohej me qira nga njësia tregtare Litasco.

Autoritetet ukrainase raportojnë gjithashtu se Mestral ka ndaluar në porte në territore të pushtuara ukrainase, përfshirë portin Kamysh-Burun në shtator 2025. Më 11 prill 2025, Ukraina sanksionoi kapitenin e anijes, Sergei Smaznov. Në dhjetor të vitit të kaluar, Kievi sanksionoi edhe vetë anijen.

Sipas GUR, Mestral nuk është e vetmja anije e “flotës hije” e lidhur me Cymare Navigation FZC. Kompania administron disa cisterna nafte që autoritetet ukrainase besojnë se përdoren për të shmangur embargon ndërkombëtare ndaj Rusisë.

Ndër drejtorët e Cymare figuron Nikolay Spichenok, shtetas britanik, i cili ka qenë drejtues i departamentit teknik të menaxhimit të flotës në kompaninë ruse të sanksionuar, PJSC Sovcomflot në periudhën 2012–2015.

Sovcomflot është kompania më e madhe shtetërore ruse e transportit detar, që ofron shërbime për prodhimin ‘offshore’ të hidrokarbureve dhe transportin e naftës, produkteve të naftës dhe gazit të lëngshëm. Anijet e saj u shërbejnë kryesisht kompanive dhe tregtarëve më të mëdhenj rusë të naftës dhe gazit.

“Që nga viti 2023 e deri më sot, flota e cisternave e grupit të kompanive Cymare Shipmanagement Ltd (Qipro) dhe Cymare Navigation FZC (EBA) ka furnizuar vazhdimisht Rusinë me të ardhura nga nafta për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës, duke maskuar operacionet përmes regjistrimeve të kompanive në shtetet anëtare të BE-së,” tha GUR në një deklaratë në janar.

Spichenok është aktualisht ose ka qenë drejtor i dy kompanive të tjera detare në Qipro – Peremoga Investment Ltd dhe SCF Management Services. Kjo e fundit zotëron jahtin Olympia, i cili sipas disa raportimeve mediatike, i është dhuruar Vladimir Putin në vitin 2005 nga miliarderi dhe ish-pronari i klubit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich. Përfaqësuesit e të dyve i kanë mohuar këto raportime.

Jahti 57 metra i gjatë është ndër 100 më të mëdhenjtë në botë dhe vlerësohet rreth 50 milionë dollarë. Në qershor 2022, Shtetet e Bashkuara e vendosën Olympia-n në listën e pasurive të bllokuara në kuadër të sanksioneve ndaj Rusisë.

Cymare i hodhi poshtë akuzat ukrainase si të pabaza. Sipas kompanisë, besueshmëria e informacionit të shërbimeve ukrainase të inteligjencës është “shumë e ulët, në mos e diskutueshme”, duke i akuzuar ato për aplikim të “logjikës ekonomike të luftës”.

“Është e vetëkuptueshme se agjencitë e inteligjencës ukrainase janë, sipas përkufizimit, sekrete dhe manipuluese, shpesh duke përdorur mediat për të formësuar opinionin publik ose për t’i shërbyer interesave strategjike kombëtare, dhe për të avancuar narrativën e tyre si mjet agjende,” tha kompania.

“Grupi Cymare operon në mënyrë transparente, të hapur dhe në përputhje të plotë me regjimin e sanksioneve të OFAC (Zyra Amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja), BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, dhe nuk ka pasur asnjëherë kritika apo pretendime nga asnjë institucion perëndimor apo organizatë ndërkombëtare detare.”

Sipas saj, çdo transport i ngarkesave me origjinë ruse kryhet në përputhje me rregulloret e sanksioneve dhe gjithmonë brenda kufijve të çmimeve të lejuara, i shoqëruar me dokumentacion përkatës. Kompania shtoi se të gjitha këto operacione janë njoftuar dhe miratuar nga siguruesit P&I dhe H&M Insurers.

Lexo më shumë  Konjufca dhe Bajrami diskutojnë me Sorensenin për avancimin e dialogut për normalizimin e marrëdhenieve me Serbinë

Cymare mohoi gjithashtu që anijet e saj të fikin sistemin AIS, duke theksuar se “ndërprerje të sinjalit ndodhin herë pas here për shkak të humbjes së lidhjes në Detin e Zi dhe nuk janë rezultat i fikjes së qëllimshme nga ekuipazhi”.

“Deti i Zi aktualisht është zonë lufte dhe anijet që operojnë aty i nënshtrohen ndërhyrjeve periodike në frekuenca radioje, të cilat mund të shkaktojnë humbje ose ndërprerje të AIS, GPS dhe sinjaleve LRIT.”

Cymare tha se punësimi i Spichenok ka përfunduar në vitin 2020, ndonëse të dhënat e regjistrit të biznesit në Qipro ende e listojnë atë si drejtor kompanie.

Kompania që zotëronte karburantin e ngarkuar në Grace Felix në shkurt 2023 është gjithashtu e dyshuar për lidhje me flotën hije që i shërben Kremlinit. Solid Energy Solution DMCC, me bazë në Dubai, zotëron dy cisterna të sanksionuara nga autoritetet ukrainase.

Solid Energy Solution DMCC nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Kërcënim mjedisor

E ashtuquajtura “flotë hije” e Rusisë nuk është një strukturë formale, por një rrjet anijesh që transportojnë mallra të sanksionuara, tha Elisabeth Braw nga Atlantic Council.

Këto nuk janë linja të rregullta transporti detar dhe pronarët e tyre synojnë të mbeten anonimë, duke zotëruar zakonisht vetëm një ose dy anije dhe duke operuar përmes adresave fiktive në juridiksione ‘offshore’ si Emiratet e Bashkuara Arabe apo ishujt Seychelles.

Roli i juridiksioneve offshore shpesh keqkuptohet, tha Braw. Në këtë rast, qëllimi nuk është shmangia e taksave, por regjistrimi në vende ku autoritetet e shteteve që vendosin sanksione kanë aftësi të kufizuara ndërhyrjeje.

“Pra, nuk do të doje të ishe pronar i një anijeje të flotës hije me bazë në Mbretërinë e Bashkuar apo në Xhersi, sepse autoritetet mund të ndërmarrin veprime kundër teje,” tha Braw për BIRN.

Edhe kur identifikohen, megjithatë, hapësira për veprim mbetet e kufizuar. Autoritetet mund të ndërhyjnë vetëm në rastet e shkeljeve teknike, si mungesa e sigurimit apo problemet e sigurisë detare, të cilat nuk përbëjnë domosdoshmërish vepra penale.

“Nuk është e paligjshme të operosh apo të zotërosh një anije të flotës hije,” tha Braw, duke theksuar se sanksionet ndaj Rusisë nuk janë globale.

“Këto janë sanksione të vendosura vetëm nga vendet perëndimore,” tha ajo. “Anijet ende lundrojnë ligjërisht midis Rusisë, Indisë dhe Kinës.”

Fshehja e pronësisë dhe manipulimi i gjurmëve të tregtisë janë në thelb të mënyrës si funksionon flota hije, tha Gonzalo Saiz Erausquin nga Royal United Services Institute.

Sipas tij, kompanitë që menaxhojnë këto anije shpesh janë struktura fiktive, të krijuara në disa juridiksione njëkohësisht, me qëllim fshehjen e pronarëve përfitues dhe shmangien e përgjegjësisë ligjore.

Një nga praktikat më të zakonshme është ndryshimi i vazhdueshëm i flamurit të anijeve – “flag hopping” – duke i regjistruar ato në shtete me mbikëqyrje më të dobët. Kur këto shtete tërhiqen nën presion diplomatik, anijet kërkojnë regjistrim gjetkë, ndonjëherë duke përdorur edhe flamuj të rremë dhe, në disa raste, duke u kthyer praktikisht në anije pa shtetësi.

Në të njëjtën kohë, zinxhirët e furnizimit fshihen përmes transferimeve nga një anije në një tjetër në det të hapur dhe përzierjes së naftës, duke ndryshuar përbërjen e saj kimike dhe duke e bërë të vështirë përcaktimin e origjinës. Këto praktika shoqërohen me dokumente të falsifikuara që pretendojnë përputhje me tavanet e çmimeve ose burime jo të sanksionuara.

“Pasi e përzien deri në një nivel ku ndryshohet përbërja molekulare, bëhet shumë e vështirë të vlerësohet origjina e saktë e asaj nafte,” tha Saiz Erausquin, duke theksuar se ky kompleksitet e bën verifikimin teknik dhe ligjor të ngarkesës jashtëzakonisht të vështirë.

“Flota hije” e Rusisë përbën një kërcënim për Ukrainën, sigurinë detare dhe mjedisin, paralajmëroi Braw, e cila tha se roli i saj kryesor është gjenerimi i të ardhurave nga nafta për të financuar luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Pa flotën hije, Rusia do të kishte shumë mungesë parash dhe me shumë gjasa nuk do të ishte në gjendje ta mbante këtë luftë kundër Ukrainës,” tha ajo.

Por në rajone si Deti Balltik dhe Deti i Zi, numri i madh i anijeve të vjetra dhe shpesh të pasigurta rrit rrezikun e aksidenteve.

“Këto anije, për shkak se janë në gjendje të dobët, përbëjnë kërcënim për mjedisin kudo që shkojnë,” tha Braw. “Dhe kemi parë derdhje nafte në vende të ndryshme, dhe çdo derdhje e tillë është e tepërt.”

Gruri i vjedhur i Ukrainës

Sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë nuk synojnë vetëm produktet energjetike ruse, por edhe tregtinë me territoret e pushtuara ukrainase.

Në fund të vitit 2023, Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) miratoi një rezolutë që dënon agresionin rus dhe u bëri thirrje shteteve anëtare të informojnë anijet tregtare, pronarët, operatorët dhe siguruesit e tyre për statusin e mbyllur të porteve ukrainase në këto territore.

Megjithatë, kjo nuk e ka ndalur Rusinë nga eksportimi i drithrave dhe produkteve të tjera nga rajonet e pushtuara, shpesh duke e fshehur origjinën e tyre.

“Dërgesat direkte nga portet e pushtuara – Sevastopol, Feodosia, Kerch, Berdyansk dhe Mariupol – kryesisht shkojnë drejt Sirisë, Egjiptit dhe Turqisë,” tha Katerina Yaresko, gazetare investigative me bazë në Kharkiv në projektin SeaKrime (Myrotvorets Center), duke shtuar se raste janë identifikuar edhe për Jemenin, Iranin, Algjerinë dhe vende të tjera.

Sipas Yaresko-s, metoda të tjera përfshijnë edhe transportet tranzit të grurit përmes porteve ruse si Kavkaz, si dhe falsifikimin e certifikatave të origjinës dhe dokumenteve fitosanitare.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha ka akuzuar Rusinë se ka vjedhur më shumë se dy milionë tonë drithra nga territoret e pushtuara vetëm në vitin 2025, dhe rreth 15 milionë tonë që prej vitit 2022.

Ndryshe nga nafta, importet e grurit rus nuk janë të ndaluara dhe në vitin 2025, Shqipëria importoi rreth 30 milionë euro mallra nga Rusia. Megjithatë, ngjashëm me importet e naftës, disa prej anijeve që transportojnë grurë drejt porteve shqiptare janë të sanksionuara, nën dyshime për transportim të drithrave të vjedhura nga territoret e pushtuara ukrainase.

Të paktën nëntë anije mallrash të identifikuara nga GUR si të përfshira në tregtinë e paligjshme të grurit kanë vizituar portet shqiptare gjatë katër viteve të fundit.

Për Yaresko-n, fakti që këto anije nisen nga portet ruse në rajonet e Detit të Zi dhe Detit të Azov duhet të shërbejë si sinjal për të nisur kontakte me institucionet shtetërore ukrainase për të sqaruar statusin e tyre.

“Në Ukrainë ka disa procedime penale penale ndaj këtyre anijeve,” tha ajo. “Nxjerrja e burimeve nga territoret e pushtuara ukrainase është krim lufte.”/ BIRN/ 

Rruga Press

YouTube player