KryesoreLajme

BIK kërkon hetimin e dokumentit “Top Sekret” në dosjen e Shehollit

Kryetari i Bashkësisë Islame  të Kosovës, Naim Tërnava, ka kërkuar nga organet e drejtësisë të hetojnë dokumentet e publikuara si “Top Sekret” në lidhje me Fatmir Shehollin, ku ndër tjerash përmendet një plan për radikalizimin islam të të rinjve në Kosovë dhe ndërtimin e xhamive në vende të dukshme.  

Ai theksoi se cdo pretendim duhet të verifikohet dhe të zbulohet se kush e ka hartuar dokumentin dhe për çfarë qëllimi. 

“Sipas asaj që është bërë publike, në të Bashkësia Islame e Kosovës paraqitet si një institucion gjoja nën ndikimin ose kontrollin e shërbimeve të sigurisë së shtetit serb, ndërsa xhamitë dhe medresetë paraqiten si të ndërtuara apo të financuara nga Serbia, me pretendimin se përmes Bashkësisë Islame të Kosovës synohej shndërrimi i Kosovës në “Kandahar”. Këto janë pretendime jashtëzakonisht të rënda. Për këtë arsye, ato nuk mund të trajtohen as si të vërteta të mirëqena dhe as të mbeten vetëm në nivelin e interpretimeve apo deklarimeve publike. Ato duhet t’i nënshtrohen verifikimit të plotë institucional, mbi bazën e fakteve, dokumenteve dhe provave”, ka thënë Tërnava.

Lexo më shumë  GJKKO lë në fuqi masën “arrest me burg” për Ergys Agasin

Tërnava po ashtu të rëndësishme e ka cilësuar sqarimin se në çfarë mase ky dokument, apo materiale të tjera të ngjashme, janë përdorur gjatë viteve të fundit “si bazë për akuza, fushata apo veprime kundër Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj, xhamive, medreseve, teologëve, imamëve dhe udhëheqësve të saj”.

“Nëse një dokument i tillë është përdorur për të ndërtuar akuza apo për të ndikuar në opinionin publik, edhe kjo është çështje që meriton të sqarohet nga institucionet kompetente”.

Në telefonin e Fatmir Shehollit, Prokuroria ka gjetur një fotografi me mbishkrimin “Top Sekret 2” e cila përmban një tekst në gjuhën serbe, që sipas prokurorisë, është plan veprimi që synon ta paraqesë Kosovën si shtet të radikalizuar dhe ekstremist.

Lexo më shumë  Mbetjet mortore të gjetura në Zubin-Potok dërgohen për ADN në Hagë

“Pasi të bëjmë marrëveshje me operativet tanë në Kosmet, mbledhjen e fondeve nga ambasadat islamike në Beograd, shumica e këtyre parave do të investohen në ndërtimin e xhamive. Xhamitë duhet të ndërtohen në vende të dukshme si afër autoudhave, shkollave, qendrave tregtare, ndërsa xhamitë në fshatrat e mëdha duhet të dyfishohen dhe trefishohen”, thuhet në aktakuzën e ngritur ndaj tij.

Në këtë dokument konfidencial, thuhet se në Kosovë duhet të krijohet atmosfera që njerëzit të ndihen sikur po jetojnë në shtet të huaj, ku një pjesë e të rinjve të ikë jashtë Kosovës dhe një pjesë të vendosin për fenë islame.

Në dokument thuhet se qëllimi është të ndryshojë mendimi i fuqive perëndimore për Kosovën dhe kështu të mundësohet që vendi të kthehet nën juridiksionin e Serbisë.

YouTube player