Lajme

Bie Qeveria e Malit të Zi, çfarë parashikon Kushtetuta?

Me 43 vota të deputetëve të opozitës dhe të grupit parlamentar “Bardhezi” është votuar mocioni i mosbesimit të Qeverisë së Malit të Zi. Kundër rrëzimit të Qeverisë votuan 11 deputetë.

Para votimit, deputet e partive proserbe u larguan nga salla plenare.

Qeveria e Zdravko Krivokapiqit u rrëzua 14 muaj pas formimit. Ajo u zgjodh më 4 dhjetor 2020.

Zëvendëskryeministër i kësaj qeverie ka qenë Dritan Abazoviqi që synon krijimin e qeverisë së pakicës.

Sipas Kushtetutës së Malit të Zi, Qeveria e Krivokapiqit do të vazhdojë të punojë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

Votimi i mosbesimit i hap rrugë procesit të negociatave për formimin e Qeverisë së re.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti në Graçanicë ua dorëzon çelësat e banesave 56 familjeve të komunitetit joshumicë

Mocioni i mosbesimit është iniciuar nga URA, udhëheqës i së cilës është zëvendëskryeministri i deritashëm, Dritan Abazoviq.

Në deklaratën e tij të fundit publike më 3 shkurt, kryeministri Krivokapiq tha se është i vetëdijshëm se nuk do të jetë më kryeministër dhe se Qeveria e tij do të rrëzohet. Ai akuzoi zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq se kishte planifikuar të rrëzonte Qeverinë shumë kohë më parë dhe se presidenti malazez, Milo Gjukanoviq është gjithashtu pjesëmarrës në këto marrëveshje. Nga ana tjetër, Abazoviq ka thënë se pas rënies së Qeverisë së Krivokapiqit do të fillojnë bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv dhe se ka disa opsione, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.

Lexo më shumë  Rastet e dhunës dhe intimidimit nga politika - Gazetarët protestojnë para Kuvendit të Shqipërisë

Të pakënaqura me nismën për rrëzimin e Qeverisë, disa parti politike dhe organizata të afërta me Kishën Ortodokse Serbe kanë nisur protesta në rrugë duke kërkuar që partitë e shumicës aktuale parlamentare të arrijnë marrëveshje për formimin e qeverisë së re.

Zëvendëskryeministri dhe koordinatori i shërbimeve të sigurisë, Dritan Abazoviq, ka thënë se gjendja e sigurisë në Mal të Zi është e rregullt.

Rruga Press

YouTube player