Bota

Bideni po mendon ta dërgojë në Kiev një anëtar të lartë të administratës së tij

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha të enjten se është duke punuar me ekipin e tij për të vendosur nëse duhet të dërgojë një anëtar të lartë të administratës së tij në Ukrainë.

“Jemi duke e shqyrtuar këtë mundësi tani”, tha Biden, kur u pyet nëse do të dërgonte një zyrtar të lartë në Ukrainë, raportoi CNN-i.

I pyetur se kë do të dërgonte, Biden iu kthye gazetarit dhe pyeti nëse ai ishte i gatshëm që të shkonte.

Qëkur forcat ruse u tërhoqën nga rajoni përreth Kievit, një numër liderësh perëndimorë kanë shkuar në kryeqytetin ukrainas për të demonstruar mbështetjen.

Lexo më shumë  Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Zyrtarët amerikanë kanë zhvilluar diskutime paraprake për dërgimin e një anëtari të lartë të administratës në Ukrainë, sipas një burimi të njohur me bisedimet.

Ndonëse Bideni dhe nënpresidentja Kamala Harris nuk ka gjasa të vizitojnë vetë Kievin së shpejti, zyrtarët kanë diskutuar dërgimin e sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin ose sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, bëri një vizitë të papritur në Kiev fundjavën e kaluar. Zyrtarët amerikanë thanë më pas se Bideni aktualisht nuk po planifikonte një udhëtim të tij atje.

“Ne nuk jemi duke planifikuar një udhëtim të presidentit të Shteteve të Bashkuara në Ukrainë”, tha të hënën sekretarja e shtypit Jen Psaki. Ajo shtoi se më e rëndësishme se një vizitë presidenciale është furnizimi i vazhdueshëm me armë.

Lexo më shumë  OBSH: Deri në vitin 2050, rreth 1,2 miliardë njerëz mund të zhvendosen prej klimës

“Ajo që është më e rëndësishme për udhëheqjen ukrainase është se ne po përshpejtojmë dërgimin e armëve dhe po u ofrojmë ndihmën dhe sistemet e sigurisë që u nevojiten”, tha ajo.

Në një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të mërkurën, Biden e informoi homologun e tij për një paketë të re ndihme sigurie prej 800 milionë dollarësh, duke përfshirë 11 helikopterë Mi-17, 300 dronë Switchblade dhe pajisje për t’u mbrojtur nga sulmet kimike.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *