Bideni i jep leje Ukrainës të sulmojë brenda Rusisë me armë amerikane
Presidentit amerikan, Joe Biden, i ka dhënë leje Ukrainës që të sulmojë brenda territorit rus me armë amerikane, edhe pse ka kushtëzuar përdorimin e tyre. Sipas dy zyrtarëve amerikanë, armët amerikane janë lejuar të përdoren mbi kufirin afër Kharkivit, pasi Rusia avancoi dukshëm në pjesën verilindore të shtetit.
“Presidenti ka urdhëruar direkt ekipin e tij që të sigurohet se Ukraina mund t’i përdorë armët amerikane me qëllim të kundërpërgjigjes në Kharkiv, ashtu që Ukraina të godasë forcat ruse që veçse po godasin apo po përgatiten për t’i goditur”, ka thënë një nga zyrtarët.
Kjo paraqet ndryshim të madh në qëndrimin politik amerikan. Kthesa vjen pas presionit të madh që iu bë Bidenit ditëve të fundit.
Një numër i aleatëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë dhënë sinjale këtë javë se janë të hapura për këtë mundësi.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar për “pasoja serioze”, veçanërisht për ato që i ka quajtur “shtete të vogla” në Evropë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se qëndrimi i Washingtonit për këtë çështje “do të përshtatet” bazuar në ndryshimin e kushteve të fushëbetejës. Blinkeni ndodhet aktualisht në kryeqytetin çek, Pragë, për një Takim të Ministrave të Jashtëm të NATO-s.
Ndërkaq, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka deklaruar të mërkurën vonë se ndonëse mbështetja e SHBA-së për Kievin është rritur “tani për tani, nuk ka ndryshim në politikat tona”.
Ukraina ka qenë duke u përballur me një ofensivë ruse në lindje të vendit, ndërsa qyteti i Kharkivit ka pësuar javë të tëra sulmesh vdekjeprurëse, shpesh të nisura nga Rusia nga postat ushtarake pranë kufirit ukrainas.
Deklarata e Blinkenit, gjatë një udhëtimi në Evropë, pasoi komentet e drejtpërdrejta të bëra në fillim të kësaj jave nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili ka thënë se Ukraina duhet të “lejohet” të përdorë armët e furnizuara nga Perëndimi kundër zonave ushtarake në territorin rus – edhe pse rreptësishtë jo në objektivat civile. Macroni ka mbrojtur qe një kohë idenë e ndërhyrjes më të drejtpërdrejtë në luftën e Ukrainës – por edhe liderë të tjerë perëndimorë duket se po ndryshojnë qasje në këtë drejtim.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, vazhdon të mbetet më i kujdesshëm në këtë aspekt, por një zëdhënës në Berlin ka thënë se “veprimi mbrojtës nuk kufizohet në territorin e dikujt, por përfshin edhe territorin e agresorit”.
Javën e kaluar shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka thënë “The Economist” se Perëndimi duhet ta lejojë Ukrainën të mbrohet duke goditur bazat ushtarake në Rusi.
“Ukraina ka të drejtë të mbrohet. Dhe kjo përfshin objektivat goditëse në territorin rus”, ka deklaruar Stoltenberg.
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Lord Cameron, ka thënë në fillim të këtij muaji se i takon Ukrainës të vendosë se si t’i përdorë armët britanike, ndërsa këtë javë zëvendësministri polak i Mbrojtjes u shpreh se ukrainasit mund të përdorin armë polake “siç e shohin të arsyeshme”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë më parë se ishte “e padrejtë” që vendet perëndimore të vendosin kufizime në përdorimin e armëve të tyre, ndërsa ka pranuar se Ukraina nuk mund të rrezikonte mbështetjen e partnerëve të saj.
Rusia ka reaguar me zemërim ndaj perspektivës që armët perëndimore të përdoren kundër objektivave në territorin rus.
“Në Evropë, veçanërisht në vendet e vogla, ata duhet të jenë të vetëdijshëm se me çfarë po luajnë”, ka theksuar presidenti Vladimir Putin, duke vënë në dukje se shumë vende evropiane kanë “territor të vogël” dhe një “popullsi të dendur”.
Udhëheqësi rus shtoi se përgjegjësia për çdo sulm brenda territorit të vendit të tij do të binte tek furnizuesit perëndimorë të armëve, edhe nëse forcat e Ukrainës do të kryenin sulmet.
Rruga Press