Biden tërhiqet nga gara presidenciale, Osmani dhe Kurti vlerësojnë rolin e tij për Kosovën
Presidenti aktual i SHBA-ve, Joe Biden njoftoi të dielën se do të tërhiqet nga gara presidenciale, duke thënë kështu se mbështetja e tij do të jetë për Kamala Harris, e cila aktualisht mbanë pozitën e zëvendëspresidentes.
E ndaj një vendimi të tillë nuk kanë munguar as reagimet e krerëve të shtetit të Kosovës, presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
Presidentja Osmani ka vlerësuar lartë mbështetjen që Biden i ka dhënë Kosovës.
“Nga ditët e tij si senator amerikan deri në mandatin e tij si zëvendëspresident dhe tani si President, Joe Biden gjithmonë ka mbrojtur lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Mirënjohja e popullit të Kosovës do të mbetet gjithmonë e thellë. I urojmë Presidentit Biden një vazhdim të suksesshëm të mandatit të tij dhe gjithë të mirat për të, për Jill Biden dhe familjen e tij në vitet në vijim”, ka shkruar Osmani në “X”.
E kryeministri Albin Kurti ka thënë se Joe Biden ka qenë njëri nga miqtë më të mëdhenj të Kosovës.
“Për dekada me radhë, Jose Biden ka qenë një nga miqtë më të mëdhenj dhe avokuesi më i palodhur i Kosovës. Njoftimi i presidentit Biden shënon fundin e një epoke. Bota — dhe veçanërisht Kosova — është një vend më i mirë dhe më i sigurt për shkak të kontributeve të tij të jashtëzakonshme. Për këtë, ne do të jemi gjithmonë mirënjohës”, ka shkruar Kurti në “X”.
Rruga Press