Biden: Sipas Nenit 5 të NATO-s, vendet anëtare të obliguara të ndihmojnë
Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur për të dërguar mijëra trupa në Evropë për të forcuar aleatët e NATO-s, në kohën e rritjes së tensioneve pas pozicionimit të mbi 100 mijë trupave ruse afër kufirit të Ukrainës.
Perëndimi dyshon se trupat ruse mund të pushtojnë shpejt Ukrainën.
Pentagoni ka njoftuar se do të dërgojë rreth 3,000 trupa në Poloni, Rumani dhe Gjermani këtë javë, vendim që presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se është konsistent me atë që i ka treguar edhe presidentit rus, Vladimir Putin dhe se përfaqëson “një detyrim të shenjtë”, siç e parasheh Neni 5 i NATO-s.
“Për aq kohë sa ai (Putin) vepron me agresivitet, ne do të sigurohemi se mund të garantojmë aleatët e NATO-s dhe Evropën Lindore se jemi aty dhe Neni 5 është obligim i shenjtë”, ka thënë Biden për një gazetar të kanalit CNN më 2 shkurt.
Sipas Nenit 5 të NATO-s, të gjitha vendet anëtare janë të obliguara të ndihmojnë një vend tjetër anëtar, sovraniteti dhe integriteti territorial i të cilit mund të kërcënohet.
Rreth 2,000 trupa luftarake do të pozicionohen nga Shtetet e Bashkuara në Poloni dhe Gjermani, derisa rreth 1,000 trupa që tani janë në Gjermani, do të kalojnë në Rumani, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
Dërgimi i trupave “është sinjal i pagabueshëm para botës se ne jemi të gatshëm” për të mbrojtur aleatët e NATO-s dhe lëvizjet e trupave nuk janë veprimi i vetëm parandalues që do të marrë SHBA-ja, ka thënë Kirby.
“Është e rëndësishme që ne të dërgojmë sinjal të fuqishëm te Putini dhe bota se NATO-ja ka rëndësi për SHBA-në dhe ka rëndësi për aleatët tanë”, ka thënë Kirby në një konferencë për media.
Ai ka përsëritur qëndrimin se Shtetet e Bashkuara mbesin të hapura ndaj përpjekjeve diplomatike për të ulur tensionet e shkaktuara nga pozicionimi i trupave ruse dhe nuk beson se konflikti është i pashmangshëm.
Tensionet ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit për Ukrainën janë rritur për javë të tëra, pasi Perëndimi akuzon Moskën se po përgatitet për pushtim të mundshëm.
Rruga Press