Lajme

Besnik Pula flet për Fondin Sovran: Ndërmarrjet publike do të ristrukturohen para kalimit në Fondin Sovran

Besnik Pula, kryetari i Komisionit për hartimin e koncept-dokumentit për Fondin Sovran ka deklaruar se ndërmarrjet publike, të cilat do të kalojnë nën menaxhimin e këtij fondi, fillimisht do t’i nënshtrohen një procesi të ristrukturimit.

I ftuar të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Pula ka thënë se disa prej këtyre ndërmarrjeve veçse kanë filluar ristrukturimet.

Pula ka shtuar se ndërmarrjet kryesore të cilat do të kalojnë në këtë fond janë KEK-u, Telekomi, Posta e Infrakosi.

“Parashihet që ndërmarrjet të kalojnë një proces ristrukturimi para kalimit në Fond. Disa ndërmarrje kanë filluar ristrukturimet dhe janë profitabile, p.sh KEK-u dhe Telekomi janë në gjendje të mirë dhe profitabile. Ndërmarrjet si Infrakosi janë në gjendje më të rëndë dhe kanë nevojë për investime”, është shprehur ai.

Lexo më shumë  Kurti: Trashëgimtarët e Millosheviqit në Beograd refuzojnë t’i hapin arkivat për t’i zbuluar lokacionet e varrezave masive

Pula ka njoftuar se ky Fond do të operojë si korporatë në pronësi të Republikës së Kosovës dhe jo si agjenci publike apo entitet tjetër i pavarur. Ai ka shtuar se ndërmarrjet të cilat do të kalojnë në këtë Fond, do të duhet t’i plotësojnë disa kritere si evitimi i humbjeve e menaxhimi i nivelit të kredive, si dhe të kenë një plan strategjik komercial.

“Fondi Sovran do të operojë si korporatë, do të jetë i regjistruar si shoqëri aksionare në pronësi të Republikës së Kosovës, nuk do të jetë agjenci publike ose entitet tjetër i pavarur. Në koncept-dokument janë propozuar disa ndërmarrje dhe kriteret për llojet e ndërmarrjeve që mund të kalojnë te Fondi. Kushti i parë është që ndërmarrja të ketë karakter komercial, të operojë në një treg. Ka kritere edhe të performancës së ndërmarrjeve, kërkohet që në minimum ndërmarrjet të evitojnë humbjet, të menaxhojnë nivelin e kredive dhe të kenë një plan strategjik-komercial”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  “Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

Pula ka deklaruar se Fondi do ta ketë edhe statutin e vet, i cili do të hartohet në baza të ekspertizës.

“Fondi do ta ketë edhe statutin e vet që do të hartohet në baza të ekspertizës dhe do të fillojë procesi i vlerësimit të aseteve që do të kalojnë te Fondi. Është një proces pak i ndërlikuar dhe i gjatë, prandaj edhe ligji jep një periudhë për ta nisur këtë proces. Por shpresoj që të aprovohet ligji në mënyrë që ta kemi shumë shpejt kornizën dhe bërthamën e fondit”, ka theksuar ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *