Opinion/Aktualitet

Berishizmi si anti-opozitarizëm

Nga Blendi Kajsiu

Berishistët mendojnë se janë e vetmja opozitë e vërtetë në Shqipëri, pasi të tjerët janë të gjithë laro të Ramës. Për mjaft gazetarë, qytetarë dhe intelektualë Berisha, pavarësisht mëkateve, përfaqëson shumicën e popullit opozitar dhe është i vetmi politikan që mund të frenojë sadopak diktaturën ramiste.

I gjithë arsyetimi i mësipërm bazohet tek përkufizimi i opozitës thjesht si denoncuese e pushtetit dhe jo si roje e demokracisë. Nëse opozitën në demokraci do ta reduktonim tek denoncimi apo urrejtja ndaj kryeministrit dhe elitës në pushtet, atëherë pa dyshimn që berishizmi është opozita më e fortë. Anti-elitizmi është marka dalluese e berishizmit, ndaj vajza e doktorit duhet të deklarojë se janë thjesht shtresë e mesme, pavarësisht pasurisë që kanë.

Ama nëse opozitarizmin nuk e reduktojmë thjesht tek denoncimi i pushtetit, por e përkufizjomë si roje politike të demokracisë, atëherë berishizmi nuk është opozitë, por anti-opozitë. Opozita si roje e demokracisë nënkupton dy funksione bazë. Së pari, mbrojtja dhe ofrimi i standarteve demokratike që kufizojnë pushtetin. Së dyti, ofrimi i një alternative superiore ndaj pushtetit si në efikasitetin qeverisës edhe në standartet demokratike. Këtu denoncimi i pushtetit nuk është qëllim në vetvete, por në funksion të ruajtjes së demokracisë (standarti demokratik) dhe përmirësimit të qeverisjes (alternative qeverisëse).

Berishizmi sot nuk kryen asnjë nga dy funksionet e mësipërme, Së pari, as mbron dhe as ofron standarte demokratike. Përkundrazi ofron standartin e kultit të individid brenda një force politike. Të liderit të padiskutueshëm që rikonfirmohet në krye të partisë me 99% të votave, pasi ka humbur zgjedhjet, dhe që nuk e njeh autoritetin e sistemit të drejtësisë në vend.

Natyrisht të shumtë janë atë që pretendojnë se mungesa e demokracisë brenda nuk redukton aftësinë e një partie për të ruajtur demokracinë jashtë saj. Le ta pranojmë për momentin këtë argument, duke lënë mënjanë faktin se kredibiliteti i opozitës fitohet me shembull dhe jo me fjalë.

Problemi është se lufta e opozitës berishiste për të mbrojtur standarte demokratike themelore, siç janë komisionet hetimore, ka dështuar tërësisht. Dhunimi flagrant që shumica socialiste, me në krye Edi Ramën, po i bën komisioneve hetimore të opozitës nuk ka marrë përgjigje efikase nga ana e opozitës berishiste. As flakadanët në parlament dhe as përplasja me gardën nuk kanë prodhuar ndonjë efekt politik për të ndalur një shkelje kaq të rëndë të parlamentarizmit në Shqipëri.

Kjo nuk është rastësi por rezultat i faktit se aksioni kryesor i opozitës berishiste është halli i liderit dhe jo standarti demokratik në parlament.
Protesta kundër SPAK-ut u shkri me protestën për mohimin e komisioneve hetimore, ndaj kjo e fundit u perceptua në publik më shumë si një justifikim sesa si një shqetësim real. Ky perceptim forcohet nga fakti që opozitarët i drejtohen më shpejt Gjykatës Kushtetuese për të vënë në dyshim arrestimin e Berishës sesa për refuzimin e komisioneve hetimore.

Lexo më shumë  Kush është me Serbinë?

Në këto kushte opozita berishiste as nuk ofron dhe as nuk mbron dot standartet më bazike demokratike. Nga ana tjetër standarti që ajo ofron është më i ulët se standarti anti-demokratik i pushtetit. Përballë një kryeministri që përpiqet të kapë dhe deformojë sistemin e drejtësisë kemi një kryeopozitar që haptas deklaron se nuk njeh vendimet e gjykatës dhe sulmon publikisht prokurorët dhe gjyqtarët që po e hetojnë.
Për këtë arësye opozitarizmi berishist nuk ofron alternativë as në standarte dhe as në efikasitet qeverisës. Problemi nuk është thjesht tek mungesa e kredencialve demokratike dhe anti-korrupsion, por tek mungesa totale e një alternative qeverisëse.

Kush është alternativa berishiste ndaj djegies së plehrave dhe termocentraleve ndotës me naftë që socialistët kanë parkuar në Gjirin e Vlorës? Po ndaj ligjit për investitorët strategjik që është përdorur për të dhuruar mijëra hektarë tokë publike? Aq më tepër kur të njëjtat politika janë ndjekur nga qeveria Berisha dje kur toka publike dhurohej me ligjin “Shqipëria 1 euro”.
Pa ofertën dhe mbrojtjen e standarteve demokratike dhe pa alternativë qeverisëse nuk ka opozitë por thjesht zhurmë politike. Dhe kjo është mënyra se si berishizmi kryen funksionin e tij anti-opozitar. Ai shërben si zhurmues dhe si një vrimë e zezë që thith dhe zhduk çdo embrion opozitarizmi alternativ. Autoparlanti berishist sfumon skandalet e qeverisë Rama teksa delegjitimon çdo kritikë alternative ndaj pushtetit socialist, si tradhëtare, fasadë, të shitur apo të blerë, sepse lufta e vërtetë e opozitarizmit berishist nuk është rrëzimi i Ramës por monopoli i opozitarizmit.

Ndaj berishizmi imponohet vazhdimisht në qendër të debatit publik. Ai është jo vetëm burimi por edhe fokusi i pothuajse çdo lajmi politik. Në këtë aspekt është shumë i ngjashëm me Trumpismin që forcën kryesore e ka jo tek mbështetja e gjerë popullore (edhe pse Trump ka më shumë mbështeje elektorale se Berisha) por tek përkufizimi i vazhdueshëm i axhendës politike dhe mediatike.
E thënë ndryshe Berisha nuk është thjesht burim lajmi, por lajmi vetë. Kjo e bën akoma më të vështirë përqëndrimin e kritikës tek pushtetit socialist. Nuk kemi të bëjmë me rastësi apo me konspiracion. Tek fenomeni Berisha përkon interesi berishist dhe ai socialist. Berishës i duhet vëmendja mediatike për të mbetur faktor politik. Harresa publike është armiku i tij kryesor. Ramës gjithshtu i shërben vëmendja permanente e mediave tek Berisha për ta devijuar nga degradimi i qeverisjes socialiste.
Me të drejtë shumë kolegë gazetarë kritikojnë kritikuesit e berishizmit, si puna ime, se nuk fokusohen sa duhet tek pushteti. Përse, pyesin ata me të drejtë, merreni më shumë me Berishën se me Ramën? Duke lënë në ajër nënkuptimin se nuk kemi të bëjmë me opozitarizëm të vërtetë.

Lexo më shumë  Kajsiu: Pensionet nxjerrin bllof modelin e qeverisjes Rama

Por është pothuajse e pamundur të mos merresh me Berishën sepse ai prodhon lajm çdo ditë. Bën një kongres ku prezanton vajzën e tij si aktiviste imagjinare të PD-së, thjesht për të krijuar spekullimin mediatik “është apo jo Argita pasardhësja e tij?”. Ç’ka prodhon debatin shterpë “duhet apo s’duhet ta trashëgojë Argita PD-në?”.
Çdo akt politik i Berishës ndërtohet (me apo pa qëllim, pak rëndësi ka) për t’i bërë hije pushtetit. Deklaratat dhe qëndrimet e tij janë gjithnjë më bombastike dhe absurde se ato të pushtetit. Nëse Rama bën një argumentim thellësisht anti-demokratik për të legjitimuar bllokimin e komisioneve hetimore të opozitës Berisha deklaron publikisht se nuk e njeh vendimin e gjykatës për tu paraqitur përpara oficerit gjyqësor, menjëherë pasi ka deklaruar se askush nuk e respekton ligjin dhe kushtetutën më shumë se ai. Ec e merru me arsyetimin anti-demokratik të Ramës!
Të hënën Berisha denoncon Blinkenin, të martën Ramën dhe Sorrosin, të mërkurën ambasadoren amerikane, të enjten bën zjarr dhe tym në kuvend, ndërsa në fundjavë prezanton të bijën në politikë teksa denoncon gazetarin e radhës. Çdo ditë doktori kryen një veprim që teksa pretendon se denoncon pushtetin, në fakt, thjesht tërheq projektorët e medias tek vetja.

Berisha është Ronaldo i politkës shqiptare ndeshjet e të cilit transmetohen dhe komentohen në të gjitha kanalet tona televizive: Berisha vs. Rama, Berisha vs. SPAK, Berisha vs. Basha, Berisha vs. Soros/Blinken/SHBA-të, Berisha vs. Britania e Madhe, Berisha vs. Alibeaj dhe së fundmi Sali Berisha vs. Argita Berisha, pse jo edhe një ndeshje politike miqësore për të mbajtur gjallë interesin mediatik. Çdo betejë e tij është një ndeshje politike sa e parezistueshme për median aq edhe komode për pushtetin.
Nuk janë beteja për vendosjen apo ruajtjen e standarteve demokratike aq më pak për krijimin e një alternative qeverisëse. I gjithë aksioni politik dhe mediatik i berishizmit ka vetëm një mesazh: “Më shikoni mua! Unë jam këtu dhe këtu do vazhdoj të jem!” Në këtë aspek berishizmi më shumë se një alternativë qeverisëse është një telenovelë politike (me dhëndër, me trashgimtarë, me konspiracione ndërkombëtare dhe me besë-prerje), që ushqehet si nga kritikët edhe nga mbështetësit, dhe që zë hapësirën mediatike dhe politike ku duhej të shfaqej opozitarizmi i vërtetë.

YouTube player