Opinion/Aktualitet

Berisha sulm me foltore, Basha kundërsulm me veting/ A ka zgjidhje për PD-në?

Nga Rruga Press

Partia Demokratike gjithmonë ka pasur një krizë përfaqësimi të drejtë të antarëve të saj, por sot më shumë se kurrë ajo është dhe evidente. Lidhja e fortë e anëtarësisë së gjerë të PD-së historikisht me Sali Berishën, ka bërë që të mos ndihet aq shumë kriza e përfaqësimit nga deputetët, anëtarët e kryesisë së partisë apo edhe kandidatët për zgjedhje lokale, për sa kohë Berisha ishte kryetar partie.

Me te dhënë dorëheqjen Berisha nga kryetar i PD-së, u hap fusha e të vepruarit dhe u rritën kërkesat nga çdokush, edhe pse shumë shpejt, kuptuam që Basha bëri të njejtat shtrëngime dhe nuk la që partia të demokratizohet. Arsyeja pse kjo gjë u bë shumë e dukshme dhe u ndje edhe në elektorat është fakti se Basha nuk e kishte, e akoma nuk e ka simpatinë që Berisha ka patur gjithmonë në anëtarësinë e gjerë të partisë.

Pas shpalljes non-grata nga Sekretari i Shtetit të ShBA-ve, Antony Blinken, të Sali Berishës, një lëvizje filloi nga brenda partisë dhe ky i fundit e hodhi dhe në gjykatë këtë vendim. Ambasadorja e ShBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, është shprehur disa herë se Departamenti i Shtetit zotëron prova për korrupsion, me të cilat akuzohet Berisha, por akoma nuk ka asgjë publike.

Ambasadorja Kim kërkoi që PD-ja të përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar dhe Berisha tha që pas shantazheve të Kim, Basha u detyrua ta përjashtojë.

Lexo më shumë  Qeveria e Ramës po i kryen punët e jashtme të Serbisë

Hapi që ndërmori Berisha, me të kuptuar që ka mbështetje të gjërë të anëtarësise, rishkoi tek ata, për të justifikuar rikthimin e tij në pozitat drejtuese të partisë si gjest demokratik. Berisha po përdor argumentin e sovranitetit dhe demokratizimit, si dy pikat më të forta për t’i dalë kundër Bashës.

Ndërkohë, Basha i kapur totalisht gafil, me legjitimitet të humbur në bazë dhe nga një pjese e konsiderueshme e grupit parlamentar, me mungesë të argumentimit mbi arsyen se pse vendosi ta përjashtojë Berishën edhe se pse s’ka prova publike, e vetmja rrugë shpëtimi i mbeti përjashtimi edhe juridik i Berishës nga jeta politike.

Vetingu i gjyqësorit në Shqipëri është dirigjuar nga ambasada e ShBA-ve në vend. Nisur nga ky fakt, sëbashku me faktin se provat që kurrë nuk i pamë mbahen nga ShBA-të, Basha kërkon veting në politikë.

Çështja është se nuk po merremi me problemet e vërtetë.

A duhet Berisha të dënohet? Padyshim. Në karrierën e tij të gjatë politike, Berisha ka qenë figurë kryesore e shumë krimeve që i kanë ndodhur shqiptarëve, forma korruptive ekonomike, politike, juridike, e deri tek humbja e jetës së civilëve. Berisha duhet të dënohet pa ndonjë reformë specifike për politikanët.

Thënë kjo, nuk ka asnjë arsye që parlamenti i Shqipërisë të kalojë një ligj vetingu të politikanëve, nëse ai ligj nuk kap dhe Bashën pas aferave korruptive të shumta, me në krye aferën në Rrugën e Kombit.

Lexo më shumë  Dialog?! Për çfarë? Për ta rikthyer Serbinë në Kosovë?

Problemi i vërtetë i PD-së nuk po shtrohet asnjë moment.

PD-ja, si parti e formuar në frymën e çlirimit nga sistemi diktatorial i Enver Hoxhës, nuk ka bërë asgjë të dallueshme për evidentimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit.

PD-ja si parti që për parim të shenjtë ka pronën private, u sigurua shumë që prona e shtetëzuar gjatë diktaturës të mos kthehej tek pronari, përveç rasteve tepër të rralla, apo kur pronari ishte anëtar partie i niveleve të larta.

Mund të futemi dhe në shumë argumente të tjera, për të treguar se PD-ja, si parti, ka tradhëtuar që heret kushtet mbi të cilat është krijuar. Nuk mund të ketë aspak besim e besueshmëri tek kjo parti, nëse emrat e vetëm të lakuar për kryetarë janë Basha e Berisha, apo njerëz pranë tyre. Nesë shpresa e vetme në vitin 1991 ishte dekriminalizimi i shtetit nga enveristët, sot në PD e vetmja shpresë është dekriminalizimi i PD-së nga salistët (përfshirë dhe Bashën).

Nëse mbas këtij dekriminalizimi ngelet diçka, ajo është ç’ka vlerë dhe çka i’a vlen. Në rast se nuk ngelet gjë, a ia vlen të ngelë akoma PD-ja?!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *