Berisha nuk është më i dhunshëm se “qytetaria” që po e sulmon atë
Shkruan Pavjo Gjini
Socializmi lindi në vendin tonë shumë njerëz të rinj urban, bij dhe bija të partisë, klasë punëtore dhe nënpunës shtetëror, të nxënë e të gdhendur mirë, të cilët mbaheshin pas idesë se përparimi drejt komunizmit mbahej peng nga fshatarësia me zakonet e saj prapanike, të dhunshme, maloke, çeçene e të tjera emërtime përçmuese.
Ky matriks enverist e mbante shpirtin gjallë me një rezentiment/urrejtje gjithnjë në akselerim e sipër ndaj fshatarësisë; aq sa avancimi i socializmit matej me avancimin e luftës kundër fshatarësisë.
Nëse diçka nuk shkonte me socializmin kjo ishte shenja se fshatarësia po e mbante peng atë.
Berisha është sigurisht i vjetër, ende autoritar dhe ende i dhunshëm, mirëpo “qytetaria” që po e sulmon atë për arsyet e gabuara si i dhunshëm ngaqë është fshatar malok e i pagdhëndur, është një traditë edhe më e vjetër edhe më e dhunshme se Berisha.
Qytetaria lindur e gdhendur në maternitetet, zyrat dhe fabrikat enveriste sot duket si bluzat prej pambuku e me babagjyshë të Erion Veliajt, ama s’duhet të ngatërrohemi, shumë pak duhet me i pa sesi vdesin për içik ose shumë dajak mbi fshatarin rrugëve të Tiranës, unazave apo në zyrat e partisë opozitare.
Edhe demokracinë këta bij e bija industriale dhe urbane të një materniteti gjigand partiak janë të gatshëm ta hedhin tutje veç të munden t’u hiqen fshatarët e sidomos ata malokët nga sytë.
Rruga Press