BËNJA/ Masakër! Edhe kryekëput pa shije!
Shkruan Kreshnik Merxhani, arkitekt dhe restaurator
Kohë më parë, gropat ujëmbledhëse kanë qenë vetëm me mure me gurë të thatë, ku uji filtrohej. Nuk kishte llum në fundin e tyre dhe, sado të laheshe, uji nuk turbullohej.
Pastaj Anesti ia futi me një mur me gurë, por me llaç. Bazamenti u mbush me llum dhe, kur futeshe, të zhyteshin këmbët dhe uji turbullohej. Megjithatë, uji rridhte dhe nuk detyrohej që rrjedha të gjente damarë të tjerë.
Pas Anestit, Këmbora ia futi me beton! Dhe, me sa shikoj, ka betonuar edhe krejt burimet e tjera termale në luginë, të cilat ishin për bukuri ashtu të ashpra dhe piktoreske, e mbi të gjitha funksionale.
Tani betoni i ka detyruar ujërat të gjejnë damarë të tjerë dhe, logjikisht, ato do të dalin më poshtë në afërsi, në mos në mes të rrjedhës së Langaricës. Aty nuk përdoren dot më.
Por Këmbora, edhe një herë, e gjen kohën të vendosë ca foto manipuluese për diçka tejet pa shije, banale dhe me pasoja për një vendndodhje kaq emblematike sa Bënja.
Si për ta bërë edhe më keq, nga punimet e tanishme — siç e ka postuar dhe argumentuar një ish-specialist i DRKK-Gjirokastër — seriozisht e kërcënuar mbetet Ura e Katiut, që lidh njërin breg me bregun tjetër pikërisht në këtë pjesë.
Siç ia doli Këmbora që të rrëzonte me amatorizmin e saj Urën e Hoshtevës, së shpejti do t’i bashkëngjisë edhe atë të Katiut.
Kur të rrëzohet edhe ura, do të dalë prapë e do të thotë: “Spekulime, spekulime…”
Rruga Press

