Lajme

Ben Blushi i kallëzuar për falsifikim dokumentash, gjyqtarja Shefkie Demiraj në provë integriteti

Gjyqtarja e Tiranës, Shefkie Demiraj, është në një provë integriteti, pasi ditën e nesërme pritet të shqyrtojë një kërkesë të Prokurorisë së Tiranës për pushimin e hetimeve ndaj Ben Blushi, i kallëzuar penalisht nga biznesmeni Andon Dhima për “falsifikim dokumentash”.

Blushi, një ish-politikan dhe ish-drejtues mediatik me influencë, është kallëzuar nga biznesmeni se ka falsifikuar nënshkrimin e të bijës së tij në një kontratë blerje për një pronë në qendër të qytetit të Korçës.

Sipas Dhimës, prona, e cila është njësi shërbimi, kushton rreth 300 deri në 400 mijë euro. Por, sipas tij, Blushi, nëpërmjet së bijës, ka nënshkruar në kontratë se e ka blerë në vlerën 30 mijë euro.

Situata ndërlikohet akoma më shumë, pasi biznesmeni Andon Dhima ka vënë në dispozicion të Prokurorisë së Tiranës të dhëna zyrtare, në bazë të të cilave rezulton se vajza e Blushit nuk ka qenë fare në Shqipëri kur është nënshkruar kontrata e shit-blerjes, përpara noteres Valbona Sulkaj.

Lexo më shumë  Osmani e Abbott flasin për investime në bujqësi, teknologji e arsim

Noterja, së bashku me Blushin janë kallëzuar të dy penalisht rreth një vit më parë. Prokuroria e Tiranës, pasi ka kryer hetimet, ka vendosur të kërkojë në gjykatë pushimin e hetimeve.

Sipas asaj që ka mësuar “Bold”, hetimet e prokurorisë nuk janë të plota dhe ka ende vend për kryerjen e veprimeve proceduriale.

Megjithatë, rasti është para gjyqtares Shefkie Demiraj, e cila do të jetë në provë publike dhe ligjore për të dëshmuar integritetin e saj profesional.

Në një rast normal, gjyqtarja mund të vlerësojë që të rikthejë rastin në prokurori, për t’u plotësuar hetimet.

Por, kjo mbetet për t’u parë në vendimin e pritshëm që do të jepet të premten e kësaj jave.

Sipas kallëzimit, vajza e Ben Blushit, në 28 Maj 2015 ka nënshkruar një kontratë shit-blerje për pronën në qendër të Korçës.

Por, referuar të dhënave të siguruara nga kallëzuesi, vajza e ish-deputetit socialist, N. Blushi, nuk ka qenë në Shqipëri në momentin e nënshkrimit të kontratës.

Lexo më shumë  Sot mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni të Veriut

Sipas të dhënave të sistemit TIMS, N. Blushi ka qenë jashtë Shqipërisë në periudhën nga Prilli deri në Qershor 2015. Pra, për kallëzuesin, nuk ka asnjë mundësi reale që ajo të ketë qenë para noteres për të nënshkruar kontratën e blerjes së pronës, me vlerë të shënuar 30 mijë euro.

Mbështetur në këto të dhëna, biznesmeni Andon Dhima kërkoi nga prokuroria e Tiranës që të zhvillonte hetime për falsifikim dokumentash ndaj noteres Sulkaj dhe Ben Blushit.

Ben Blushi ka qenë deputet i Partisë Socialiste për disa legjislatura dhe më tej drejtues i televizionit Top Channel.

Ai ka gjithashtu lidhje familjare me Ervin Pupen, një prej anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë në Shqipëri.

Mbetet për t’u parë nëse Pupe do të ushtrojë influencën e tij mbi gjyqtaren e gjykatës së Tiranës, Shefkie Demiraj.

Gjyqtarja Shefkie Demiraj
Notere Valbona Sulkaj

Anetari i Gjykates se Larte-Ervin Pupe

YouTube player