Belind Këlliçi publikon dokumentin për Inceneratorin e Tiranës: SPAK kreu hetime të njëanshme dhe të paplota
Gjatë një konference për shtyp, Shefi i Organizimit në PD, Belind Këllici, publikoi dokumentin për inceneratorin e Tiranës, ku u shpreh se SPAK ka kryer hetime të njëanshme dhe të paplota.
Sipas Këlliçit, hetimet e kryera nga prokurori i çështjes, janë të mangëta, pasi shumë persona me funksione të larta apo të mesme publike, janë shmangur qëllimisht nga hetimet dhe përgjegjësia penale.
“Duke dashur ta nis edhe unë me një urim për gjithë shqiptarët dhe gazetarët që kanë ardhur këtu, uroj që ky të jetë një vit i mbarë dhe më i begatë.
Dua ta nis me një ngjarje që ka ndodhur ditën e parafundit, të vitit të kaluar, me 30 dhjetor 2023, me një skenar të dirigjuar në kufijtë e perfeksionit, ka patur dy vendime të dhëna në atë ditë.
Ka pasur dy vendime. Një vendim që burgosi kryetarin e opozitës, Sali Berisha për ti mbyllur gojën opozitës dhe këtë vendim ju e keni parë dhe ju ftoj shikoni çdo media.
Dhe ka pasur një vendim i cili ka lënë në fuqi masën e sigurisë, ‘arrest me burg’ për Naim Simixhiu dhe mbi të gjitha për Taulant Tushën dhe ftoj çdo media dhe portal për ta gjetur këtë lajm.
Nëse Erion Veliaj ka menduar se mund ta kalojë në heshtje këtë lajm, dhe kjo ka qenë mënyra për t’i thënë që nuk do të preken, unë i rikujtoj edhe njëherë qytetarëve se prej 8 muajsh kemi parashikuar dhe paralajmëruar drejtorët e bashkisë Tiranë se do të ishin ata vetë, viktima të një skenari të dirigjuar nga kryetari i bashkisë Tiranë.
Në datë 05.12.2022, Prokurori i Posaçëm Dritan Prençi, u ka komunikuar të gjithë personave nën hetim vendimin për“Përfundimin e Hetimeve”, për procedimin penal nr. 187/2020.
Në datën 19.12.2022, Prokurori i paraqet Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë “Kërkesën për kalimin e çështjes për gjykim”.
Në datën 24.03.2023, Gjyqtarja e Seancës Paraprake Flojera Davidhi, ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme datë 19.12.2022 për “Dërgimin e çështjes në gjyq”.- tha Këlliçi.
Rruga Press