Bota

BEI mbështet tranzicionin në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe të gjelbër

Banka Europiane e Investimeve (BEI), Komisioni Europian (KE) dhe Ministria e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm të Republikës së Kroacisë, mbajtën takim me përfaqësuesit e sektorit energjetik të Kroacisë, për një “Seminar të Financave të Energjisë” ku prezantuan mundësitë e investimit dhe mekanizmin mbështetës drejt një tregu të rinovueshëm, të gjelbër dhe të bazuar në eliminimin e energjisë nga karboni.

Për të mbështetur tranzicionin e energjisë dhe klimës në eliminimin e karbonit deri në vitin 2050, BE ka ngritur disa mekanizma dhe fonde të reja financimi dhe ka caktuar rreth 20% të fondeve të programit Next Generation EU për objektivat e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane.

Seminari ofroi një pasqyrë gjithëpërfshirëse të mundësive të financimit të BE-së, si dhe një gamë të gjerë të produkteve të reja, shërbimeve këshilluese dhe mundësive të financimit, të vendosura nga Banka Europiane e Investimeve, për nismat e mbrojtjes së klimës dhe tranzicionin e energjisë në sektorët publikë dhe privatë në BE.

Teresa Czerwinska, nënkryetarja e BEI-së, tha: “Përmbushja e objektivave të BE-së për klimën dhe energjinë, do të kërkojë investime thelbësore në sektorin e energjisë dhe BEI dëshiron që Kroacia të përfitojë sa më shumë nga ky proces. Këto investime do të ndihmojnë në frenimin e rritjes së mëtejshme të temperaturave dhe transformimin e BE-së dhe Kroacisë në ekonomi të qëndrueshme dhe ekologjike, të afta për të krijuar vende pune dhe të ardhura për qytetarët e tyre, pa kërcënuar mjedisin.

Lexo më shumë  Palestinezët kërkojnë mbështetjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për anëtarësim të plotë

BEI dëshiron që Kroacia të marrë të gjithë mbështetjen e nevojshme për të arritur tranzicionin e energjisë me shpejtësi dhe efikasitet dhe seminari ynë është vetëm një mënyrë për ta arritur këtë qëllim. Doja të falënderoja Ministrinë e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm për mundësinë për të punuar së bashku në këto çështje thelbësore për të ardhmen e Kroacisë, BE-së dhe planetit”.

Ivo Milatic, sekretari i Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm, tha: “Lidhur me sektorin e energjisë, ne filluam të marrim parasysh një qasje ekologjike në vitin 2007, kur nisën projektet e para të energjisë së rinovueshme. Ne gjithashtu mbështesim plotësisht transformimin në sektorin e energjisë dhe jemi të gatshëm të vendosim ligjet e nevojshme për sektorin e ri të energjisë së gjelbër.

Në Planet tona Kombëtare të Energjisë dhe Klimës, ne tashmë kemi përcaktuar qëllime ambicioze në lidhje me energjinë e rinovueshme. Më shumë se njëqind masa në NECP do të zbatohen në dhjetë vitet e ardhshme dhe do të nevojiten investime serioze në të gjithë sektorët. Ne e konsiderojmë Bankën Europiane të Investimeve, si një partner të rëndësishëm në këtë proces”.

Ognian Zlatev, shefi i përfaqësimit të BE-së në Kroaci, tha: “Ndryshimi i klimës dhe degradimi i mjedisit janë një kërcënim ekzistencial për Europën dhe botën. Përmbushja e objektivave të BE-së për klimën dhe energjinë në kuadrin e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane, do të transformojë BE-në në një ekonomi moderne, me burime të efektshme dhe konkurruese. Prandaj, jam mirënjohës ndaj BEI-së për mbajtjen e këtij seminari dhe doja t’u ofroja autoriteteve kroate gjithë mbështetjen tonë në procesin e tranzicionit në një ekonomi të qëndrueshme dhe të gjelbër”.

Lexo më shumë  Hamasi pranon marrëveshjen për armëpushim

Seminari i Financimit të Energjisë buron nga Memorandumi i Mirëkuptimit, i nënshkruar në janar 2021, midis BEI-së dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kroacisë, i cili zgjeroi bashkëpunimin për zhvillimin dhe financimin e projekteve kryesore të energjisë, qëndrueshmërisë dhe klimës në vend.

Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës

Plani Kombëtar i Energjisë dhe Klimës i Kroacisë (NECP) dhe strategjia kombëtare parashikojnë investime të rëndësishme në të gjithë sektorin e energjisë, duke përfshirë energjinë hidrike, fermat e erës, impiantet diellore, energjinë e hidrogjenit dhe prodhimin e baterive elektrike, si dhe rinovimin dhe zgjerimin e rrjeteve elektrike.

Në të njëjtën kohë, investimet në efikasitetin e energjisë gjithashtu paraqesin një potencial të rëndësishëm për të ulur emetimet e CO2 si dhe faturat e energjisë për qytetarët dhe bizneset.

Përdorimi efikas dhe në kohë i mbështetjes financiare dhe këshilluese nga BEI, së bashku me instrumentet financiare dhe grantet nga Bashkimi Europian, do të jenë thelbësore për të siguruar një tranzicion të shpejtë dhe efikas, i cili kërkon bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë midis BE-së, qeverisë, sektorit publik dhe privat./MONITOR

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *