Lajme

Begaj: Dialogu Kosovë-Serbi të përfundojë me njohje reciproke! Shqipëria krah Kosovës

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi mbrëmjen e djeshme pritjen me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri.

Kreu i Shtetit në fjalimin e tij u fokusua në arritjet e vitit që lamë pas, te sfidat e Shqipërisë, ato rajonale dhe globale përgjatë vitit 2024, ndërsa ndau me të pranishmit vizionin për përballimin me përgjegjshmëri të këtyre sfidave në funksion të zgjidhjeve afatgjata dhe të qëndrueshme.

Ai bëri thirrje për bashkëpunim e dialog për paqen, sigurinë dhe shpresën për një të ardhme më të mirë duke e cilësuar diplomacinë jo si opsion, por domosdoshmëri.

Presidenti Begaj konfirmoi qëndrimin se Shqipëria do të vijojë të ketë politikë të jashtme dhe të sigurisë të linjëzuar me Bashkimin Evropian dhe SHBA, si dhe do të angazhohet në forcimin e multilateralizmit dhe të bashkëpunimit rajonal.

Lexo më shumë  Aktivisti nga Lugina, Muharrem Salihu kandidati i parë nga Italia për zgjedhjet në Parlamentin Evropian

‘Për mua ky takim është i një rëndësie të veçantë, sepse është mundësi e mirë të ndajmë bashkë jo vetëm rezultatet e vitit që shkoi, por edhe sfidat dhe shpresat për vitin që sapo ka filluar.

Akti terrorist i shtatorit 2023 në Banjskë dhe ngjarje të tjera të ndodhura në Kosovë janë shenja të një status-quo-je të brishtë dhe të një situate që mund të sillte pasoja të rënda për rajonin dhe Europën. Fatmirësisht, nuk pati përshkallëzime.

Mbështetja e BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare për kryerjen e hetimeve të thelluara për identifikimin dhe dënimin e nxitësve dhe të autorëve është e domosdoshme. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një çështje sigurie për rajonin dhe Europën.

Lexo më shumë  Kryeministri në ardhje i Serbisë: Do të mbajmë miqësinë me Kinën e Rusinë, nuk vendosim sanksione për luftën ruse në Ukrainë

Shqipëria do të vijojë të ketë politikë të jashtme dhe të sigurisë të linjëzuara me Bashkimin Evropian dhe SHBA, si dhe do të angazhohet në forcimin e multilateralizmit dhe të bashkëpunimit rajonal.

Gjej rastin të ritheksoj mbështetjen tonë që dialogu Kosovë -Serbi të jetë i hapur dhe të avancojë, të normalizojë marrëdheniet mes palëve dhe të çojë drejt njohjes reciproke.

Sot bota ka nevojë për më shumë diplomaci, bashkëpunim e dialog. Diplomacia nuk është opsion, është domosdoshmëri që lind nga nevoja për një botë të paqtë e të sigurt.’- tha Begaj.

YouTube player