Lajme

BE përkujton gjenocidin në Srebrenicë, pranon se ka dështuar t’i mbrojë viktimat

Në përkujtim të gjenocidit në Srebrenicë, Bashkimi Evropian thekson përkushtimin ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës. Sipas BE-së pajtimi, paqja dhe drejtësia janë thelbësore për të ndërtuar një të ardhme të mirë për të gjithë popullin e Bosnjë-Hercegovinës.

Në reagimin e BE-së, pranohet dështimi dhe përgjegjësia për mbrojtjen e viktimave të cilët u masakruan nga forcat shtetërore serbe.

“Njëzet e tetë vjet më parë u shkrua një nga faqet më të errëta të historisë evropiane. Ne ndajmë pikëllimin dhe dhimbjen e familjeve dhe miqve të viktimave dhe të të mbijetuarve të gjenocidit në Srebrenicë”, thuhet në komunikatën e BE-së.

Lexo më shumë  Kroacia i merr aeroplanët që Serbia i kërkon nga Franca

“Evropa kujton përgjegjësinë dhe dështimin e saj për të mbrojtur. Sot, ndërkohë që lufta shpërthen sërish në kontinentin evropian, ne zotohemi të bëjmë më mirë për të mbrojtur paqen dhe për të mbrojtur jetën”, vijon reagimi.

BE-ja thotë se është i përkushtuar që Bosjna dhe Hercegovina të anëtarësohet në këtë union.

“Në përkujtimin e pasojave të konfliktit të armatosur, Bashkimi Evropian përsërit përkushtimin e tij ndaj sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës. Si një vend kandidat, e ardhmja e Bosnjë-Hercegovinës qëndron brenda Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim.

Më tutje në komunikatën e tyre specifikohet se BE-ja nuk do të këtë tolerancë ndaj atyre që mohojnë gjenocidin në Srebrenicë.

Lexo më shumë  Dita kombëtare e të zhdukurve, Osmani: Pas anëtarësimit në KiE, familjarët e të pagjeturve do të mund të padisin Serbinë

“Pajtimi mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, paqen dhe drejtësinë. Nuk mund të ketë tolerancë për mohimin e gjenocidit, revizionizmin historik dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Të gjithë liderët civilë dhe politikë në Bosnje dhe Hercegovinë kanë përgjegjësinë të punojnë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë të bazuar në dialog dhe mirëkuptim të ndërsjellë për të forcuar dhe mbrojtur paqen dhe dinjitetin njerëzor për të mirën e të gjitha brezave”, ka përfunduar komunikata e Bashkimit Evropian.

Rruga Press

YouTube player