KryesoreLajme

BE: Lobimi i Serbisë kundër Kosovës, shkelje e qartë e Marrëveshjes

Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se lobimi i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare përben shkelje “të qartë” të Marrëveshjes së Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit është e vlefshme dhe plotësisht detyruese për të dyja; Kosovën dhe Serbinë. Kjo përfshinë edhe nenin 4.

Lobimi i Serbisë kundër Kosovës është shkelje e qartë e kësaj marrëveshje”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për Radion Evropa e Lirë.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha të enjten më herët se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në BE.

I pyetur për këtë nga REL-i, Stano tha: “Natyrisht se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën dhe tani Marrëveshja e Ohrit aktualisht e bën këtë shumë të qartë: Nëse nuk ka progres në normalizimi, nuk do të ketë progres në negociatat e anëtarësimit”.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia më 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më vonë ajo u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe ajo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

Serbia loboi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës në maj, i cili përfundimisht vendosi të mos jetë në agjendë kërkesën e Prishtinës për anëtarësim, pavarësisht se ajo i kaloi dy prej tri fazave të nevojshme.

Bashkimi Evropian nuk është shprehur qartë nëse njohja formale e Kosovës do të jetë kusht për Serbinë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe Stano përsëriti se “qëndrimi i bllokut rreth kësaj çështjeje mbetet i pandryshuar”.

“Qëndrimi i BE-së rreth kësaj nuk ka ndryshuar dhe mbetet i njëjti, siç u është thënë në të kaluarën dhe siç është cekur në kriteret e anëtarësimit”, tha Stani.

Prej se Kosova e shpalli pavarësinë 15 vjet më parë, Bashkimi Evropian është shprehur vazhdimisht se çështja e njohjes së Kosovës është një çështje në kompetencë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe, si BE, ka mbajtur një qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.

Lexo më shumë  ​27 vjet më parë nisën luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe

Por, në anën tjetër, Kosova ka raporte të veçanta kontraktuale me Bashkimin Evropian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, ndërsa në procesin e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE nuk përfshihet territor i Kosovës.

Në BE gjithmonë kanë ngulur këmbë që të përdorin normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën si kusht për Serbinë. Interpretimin se a nënkupton “normalizimi i plotë” edhe njohjen formale të Kosovës nga Serbia, në BE ua kanë lënë palëve ta interpretojnë vetë.

Një zyrtar i BE-së, duke rikujtuar edhe ndryshimet në kornizën e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE, ku në kapitullin 35 është përfshirë si kusht edhe normalizimi i raporteve me Kosovën, ka thënë se pa ketë normalizim, Serbia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së./REL

Rruga Press

YouTube player