Bota

BE-ja propozon plan për zhvillim të mbrojtjes përballë kërcënimeve të Rusisë

Zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian të martën kanë përshkruar planet ambicioze për të rritur industrinë e mbrojtjes në një ritëm të paprecedentë, teksa blloku kërkon t’i përgjigjet kërcënimit të shfaqur nga lufta e Rusisë në Ukrainë dhe partnerit trans-Atlantik që mund të ndryshojë angazhimet e tij në Evropë, ka raportuar Associated Press.

Për dekada, kombet e BE-së kanë pushuar të qeta duke ditur se janë nën mbrojtjen nukleare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes aleancës së NATO-s, ndërkohë që shpenzimet e tyre për mbrojtje dhe gatishmëria ndaj krizës kanë shënuar rënie. Pas komenteve të ish-presidentit Donald Trump dhe tash me Moskën gjithnjë e më agresive, nevoja për të rritur mbrojtjen është bërë më e qartë.

“Pas dekadash shpenzimesh të ulëta, ne duhet të investojmë më shumë në mbrojtje, por duhet ta bëjmë më mirë dhe së bashku”, ka thënë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell. “Një industri më e fortë, elastike dhe konkurruese e mbrojtjes evropiane është lëvizje strategjike”.

Lexo më shumë  Ministrja gjermane në vizitë të paparalajmëruar në Kiev

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka ekspozuar dobësinë e kapacitetit prodhues të armëve në Evropë që ishin neglizhuar pas rënies së murit të Berlinit në vitin 1989 dhe premtimit për paqe në Evropë.

Kështu që kur Kievi ishte në nevojë të madhe për municione elementare për të ndalur forcat ruse, kombet evropiane u bllokuan, të paafta për të dërguar çfarë ishte kërkuar dhe premtuar.

Dhe pas vitesh strategjish individuale që lanë Evropën të ndarë pavarësisht shpenzimeve të larta, plani kërkon të imponojë strategji të përbashkëta.

“Shpenzimet tona të mbrojtjes shkojnë te shumë sisteme të ndryshme të armëve, kryesisht të blera nga jashtë BE-së”, ka thënë zëvendëspresidentja e Komisionit të BE-së Margrethe Vestager. “Me rritje të buxhetit nga anëtaret e BE-së, ne duhet të investojmë më mirë, që nënkupton shpenzimin e përbashkët dhe evropian”.

Lexo më shumë  Polonia arreston 12 të dyshuar për sabotazh, paralajmëron akte armiqësore nga Rusia

Bazuar në këtë propozim, 27 vendet anëtare do ftohen të blejnë se paku 40% të pajisjeve të mbrojtjes së bashku dhe të sigurohen që vlera e shpenzuar për mbrojtje të përfaqësojë 35% të tregtisë së brendshme deri në vitin 2030.

Plani tani shkon te vendet anëtare, ku do të negociohet në vazhdim.

Teksa prodhimi ka nisur, BE-ja ka synuar të prodhojë 1 milion predha artilerie në vit. Deri tani janë prodhuar gjysma e tyre. Zyrtarët kanë thënë se prodhimi mund të arrijë në 1,4 milionë predha për vit deri në fund të dhjetorit.

Rruga Press

YouTube player