BE-ja e quan sulm terrorist dhe akt të neveritshëm sabotimi shpërthimin në Ibër-Lepenc
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka dënuar dhe e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin në kanalin ujor të Ibër Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.
“Bashkimi Evropian dënon me shprehjen më të ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër Lepenc në Zubin Potok në veri të Kosovës” – shkruan në deklaratën e BE-së.
Borrel e ka quajtur sulmin “një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovësë.
BE- ka deklaruar se ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës dhe vazhdon të koordinojë hapat e ardhshëm me partnerët përkatës, duke përfshirë këtu edhe KFOR-in. Misioni civil i BE-së për sundimin e ligjit EULEX po ofron ndihmë për autoritetet e Kosovës në përputhje me mandatin e tij.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjithë ata në mbarë Kosovën që janë prekur nga sulmi. Këto mesazhe solidariteti dhe mbështetje ia kam përcjellë drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti pasditen e sotme”- shkruan BE.
Borrel ka thënë se veprimi kriminal i kryer në Zubin Potok duhet të hetohet dhe autorët e tij të sillen para drejtësisë.
Në këtë aspekt, BE-ja iu ka bërë thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe do të vazhdojnë të ndjekin nga afër zhvillimet.
Kryeministri Albin Kurti ka konfirmuar se tashmë janë bërë arrestimet e para në lidhje me sulmin terrorist të mbrëmshëm në Zubin Potok.
Në orët e para të mëngjesit kanë nisur bastisjet në disa lokacione lidhur me sulmin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit.
“Policia po i zhvillon hetimet. Ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike të Kosovës” – ka thënë Kurti nga vendi i ngjarjes.
Rruga Press