Lajme

BE dhe Këshilli i Evropës prezantojnë në Prishtinë fushatën lokale “Blloko urrejtjen, fal dashni!”

“Askush në shoqërinë tonë nuk duhet të qëndrojë i heshtur përballë formave të ndryshme të gjuhës së urrejtjes, pasi ne të gjithë kemi një rol të rëndësishëm për të luajtur në luftën kundër diskriminimit, përmes kundërshtimit të narrativave të urrejtjes ndaj komuniteteve vulnerabël”.

Kështu u tha në aktivitetin prezantues të nisjes së fushatës së përbashkët ndërgjegjësuese të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Blloko urrejtjen, fal dashni”, që u mbajt sot në sallën e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Veprimtaria u hap nga Frank Power, Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, i cili përshëndeti pjesëmarrësit që iu bashkuan ngjarjes online dhe personalisht. Në fjalën e tij ai theksoi se “Urrejtja mund të luftohet duke thyer paragjykimet që kemi për të tjerët, duke transformuar dallimet në elementë pasurues për shoqërinë tonë. Kjo, duke u bashkuar, në vend që të krijojmë mure…”

Kryeministri Albin Kurti, foli në këtë ngjarje duke theksuar rëndësinë dhe domosdoshmërinë e fushatave të tilla, për emancipim dhe ndërgjegjësim drejt arritjes së një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë.

Lexo më shumë  Katër shtete heqin tarifat doganore për produktet industriale dhe për shumicën e produkteve bujqësore për Kosovën

“Zgjedhjet që bëjmë në jetë janë me të vërtetë përgjegjësia jonë, por askush nuk duhet të vuajë mungesën e lirive dhe të drejtave, e as të mundësive. Mundësitë e barabarta vijnë jo vetëm nga garantimi i lirive dhe të drejtave, por edhe nga ofrimi i shaneve të barabarta për sukses”, përfundoi Kurti.

Ambasadori Tomáš Szunyog – Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian – Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përshëndeti të pranishmit dhe rikujtoi të gjithë pjesëmarrësit për dëmet që gjuha e urrejtjes mund t’i shkaktojë çdo shoqërie.

“Gjuha e urrejtjes është një formë serioze diskriminimi, që kërcënon të drejtat individuale të njeriut dhe rrezikon bashkëjetesën dhe tolerancën paqësore kolektive. Mos lejoni që dallimet tona të na ndajnë, le të na bashkojnë”, tha Szunyog.

Verena Taylor, Drejtore e Zyrës së Drejtorisë së Përgjithshme të Programeve të Këshillit të Evropës, përsëriti dëmin e gjuhës së urrejtjes në shoqëritë tona, veçanërisht për grupet më të cenueshme, duke konfirmuar nevojën për të reduktuar pranimin e gjuhës së urrejtjes si online ashtu edhe offline.

Lexo më shumë  VOA: Trajtimi i mbetjeve, ende pa zgjidhje në Shqipëri

“Ndonjëherë duhen veprime të thjeshta, si përdorimi i një gjuhe që respekton të drejtat e njeriut kur flasim me të tjerët rreth nesh, apo shmangia e ripostimit të materialeve të urrejtjes në mediat sociale”, theksoi Taylor.

Në fjalën e tij Avokati i Popullit Naim Qelaj i bëri jehonë kësaj lëvizjeje rajonale për sigurimin e një shoqërie të larmishme dhe të barabartë, duke u bërë thirrje gjithkujt që të refuzojë çdo formë të gjuhës së urrejtjes që diskriminon dhe cënon dinjitetin e njerëzve si dhe t’i përdorin fjalët si mjet për t’u bashkuar në solidaritet.

“Blloko urrejtjen. Fal Dashni!”, fushata e nisur sot në Prishtinë synon të informojë dhe edukojë shoqërinë dhe veçanërisht të rinjtë në Kosovë, për rolin që secili ka në luftën kundër formave të ndryshme të gjuhës së urrejtjes që prek grupe dhe individë të veçantë në komunitetet tona lokale.

Kjo lëvizje ndërgjegjësuese, e cila nisi dhjetorin e kaluar në nivel rajonal, tashmë po prezantohet në nivel lokal në të gjithë Përfituesit e Ballkanit Perëndimor, duke filluar nga Prishtina.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *