Lajme

BBC: Lulzim Basha përdori infrastrukturën ruse për lobimin në SHBA

Infrastruktura që përdori për të paguar foton me Donald Trump po e ndjek Lulzim Bashën ende pas 6 vitesh në mediat më serioze të botës. BBC ka publikuar një investigim mbi kompanitë guaskë të ishujve Sejshelle, një prej parajsave fiskale me taksa të ulta ose pa taksa fare për kompanitë, që janë në të drejtën e tyre të mos zbulojnë të dhënat dhe pronarët.

Por një hetim i gazetarëve të BBC ka zbuluar se një prej këtyre kompanive Alpha Consulting me bazë në Ishujt Sejshelle kishte formuar më shumë se 900 partneritete biznesi në Mbretërinë e Bashkuar, mes të cilëve biznesmenë dhe politikanë të rrethit të afërt të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Një prej këtyre partneriteteve është edhe ai me Biniata Trade, kompania guaskë e njohur për publikun shqiptar falë përdorimit që i bëri  Lulzim Basha për të paguar lobistin e tij amerikan, Nick Muzin në vitin 2017, në këmbim të një fotoje me Donald Trump dhe disa takimeve dhe intervistave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shkrimi i BBC me titull “Kriminelët dhe të sanksionuarit që shfrytëzojnë Mbretërinë e Bashkuar” nis me një zbulim që lidhet me ish-shefin e trupave ëagner, Jevgeni Prigozhin. Edhe atij, për të fshehur jahtin i është dashur të përdorë “Alpha Consulting”, si qindra të tjerë që kishin një pasuri për të fshehur, qoftë për shkak të origjinës kriminale, qoftë për shkak të sanksioneve që Perëndimi vendosi ndaj Rusisë pas luftës në Ukrainë.

Mijëra dokumente janë shqyrtuar nga gazetarët e BBC për të analizuar të dhënat e kompanive që shfrytëzuan partneritetin me Alpha Consulting për të përfituar.

“Përveçse u shërbente rrethit të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin, Alpha Consulting ishte një fabrikë sekrete – një nga kompanitë më frytdhënëse në keqpërdorimin e boshllëkut ligjor në Mbretërinë e Bashkuar. Disa nga partneritetet që u krijuan kanë qenë të përfshirë në mashtrime apo në drejtimin e një faqeje që shiste ese akademike. Njëri është akuzuar për ndërhyrje në një zgjedhje të huaj” thuhet në shkrimin e BBC.

Jahti dhe avioni privat i Jevgeni Prigozhin

Shkrimi vazhdon me përfitimet e Prigozhin nga partneriteti me këtë kompani. Bosi i mercenarëve rusë kishte përdorur ishujt Sejshelle për të shmangur sanksionet për kompaninë e tij që kishte në pronësi jahtin dhe avionin e tij privat dhe që ishte regjistruar në emër të vjehrrës së Prigozhin.

Më tej BBC sjell rastin e Leonid Reiman, i cili prezantohet si mik i ngushtë dhe bashkëpuntor i Vladimir Putinit. Edhe ky shfrytëzoi të njëjtën infrastrukturë për të fshehur paratë e tij të korrupsionit. Në vitin 2006, kur ishte ministër i komunikimit i Rusisë ai u shpall fajtor nga një gjykatë zviceriane për ryshfet.

Në foton më lart është një biznesmene ruse e quajtur Victoria Valkovskaya, e cila drejton kompaninë Alpha Consultin dhe që ndihmoi në krijimin e 927 partneriteteve të kufizuara – një në pesë nga ato të regjistruara në Angli, Uells dhe Irlandën e Veriut që nga viti 2017.

Lexo më shumë  Zëdhënësi i Qeverisë thotë se qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme

Si provë se sistemi i kontrollit financiar në Mbretërinë e Bashkuar ka dështuar, shkrimi i BBC sjell rastin kur një partneritet me kompaninë Alpha Consulting u përdor edhe nga një politikan pro-rus në Ukrainë për të transportuar naftë, nga një kompani e pacertifikuar që shiste ilaçe për zemrën, nga një kompani që shiste ese në mënyrë të jashtëligjshme etj.

Sipas raportimit, shqetësimi për autoritetet britanike është se kompanitë offshore po përdoren gjithnjë e më shumë për pastrim parash, mashtrim apo për financimin e terrorizmit.

Këtu vijmë tek rasti i Lulzim Bashës, që së fundmi është emëruar nga Këshilli i Evropës si raportues për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. Basha është pyetur më herët nëse ka konflikt interesi me postin që mban, por e ka mohuar këtë. Këtu gazetarët risjellin edhe një herë historinë e parave që Basha pagoi për lobimin në SHBA dhe që ka lidhje me kompaninë që është në qendër të shkrimit: Alpha Consulting.

“Alpha mund të ketë shkelur ligjin në lidhje me partneritetet skoceze, gjë që kërkon që njerëzit që vërtet i kontrollojnë ato të zbulohen. Në mars 2017, firma e përfshirë, Biniatta Trade LP, pagoi një lobist amerikan në emër të Lulzim Bashës, kreut të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Lobisti organizoi takime me politikanët republikanë dhe një mbledhje fondesh, ku zoti Basha mundi të realizonte një foto me Presidentin e atëhershëm Donald Trump – e përdorur më vonë në fushatën zgjedhore shqiptare.

Lulzim Basha dhe Donald Trump

Raportet e vitit të kaluar sugjeruan se inteligjenca amerikane besonte se fushata zgjedhore e zotit Basha, slogani i të cilit ishte “Ta bëjme Shqipërinë të Madhe sërisht”, ishte mbështetur fshehurazi nga Rusia me 500,000 dollarë.

Pronësia e Biniatta-s ishte fshehur përmes sekretit offshore dhe drejtorëve të rremë, por dokumentet e zbuluara të Alpha përfshijnë një marrëveshje nga viti 2015, kur u krijua partneriteti, i cili emëronte pronarin përfitues si një shtetas rus i quajtur Maxim Trofimets.

Në verën e vitit 2017, kur ligji për partneritetet skoceze ndryshoi, z. Trofimets nuk u deklarua si “personi i kontrollit të rëndësishëm” të Biniatta-s dhe një kandidat i Alpha deklaroi në mënyrë të rreme se firma kishte dhënë të gjithë informacionin që duhej. Të nesërmen, i njëjti kandidat i Alpha nënshkroi fshehurazi një marrëveshje të re autorizimi, duke rinovuar kontrollin e z. Trofimets mbi Biniatta.

Pas raportimeve të mediave për një lidhje të mundshme me Rusinë në vitin 2018, pronarja e Alpha-s Victoria Valkovskaya tregoi në një email se si Biniatta mund të fshehë pronësinë e saj.

Lexo më shumë  Rafineria ruse e naftës pezullon funksionimin pas “sulmit me dronë ukrainas”

Pronësia e Biniatta mund të ristrukturohet duke përdorur skemën me pesë këshilltarë të emëruar “për të mos deklaruar një person kontrollues”.

Kjo do të jepte idenë se asnjë person nuk kishte kontroll mbi 25% të kompanisë, pragu sipas ligjit të Mbretërisë së Bashkuar për kërkesën për të emëruar një person me kontroll të rëndësishëm.

Biniatta ndoqi këshillën dhe nuk u deklarua asnjë person me kontroll të rëndësishëm. Alpha tha se kundërshton pretendimin se u përpoq të shmangte që Biniatta të bënte një deklaratë të tillë.

Në shtator të këtij viti, Këshilli i Evropës caktoi zotin Basha për të përgatitur një raport për mbështetjen e rindërtimit të Ukrainës pas pushtimit rus. Ai tha se nuk kishte konflikt interesi.
BBC u përpoq të kontaktonte z. Trofimets dhe z. Basha, por ata nuk u përgjigjën.

Zonja Valkovskaya, drejtoresha menaxhuese e Alpha, mohoi “kategorikisht” që kompania e saj të ishte e përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm. “Ne kemi ndjekur gjithmonë ligjin. Përdorimi i të nominuarve nuk është diçka e re apo e paligjshme në industri,” tha ajo.

Alpha Consulting tha se “përfshirja e saj në partneritetet e kufizuara me bazë në Mbretërinë e Bashkuar është e kufizuar në ofrimin e këshillave dhe asistencës për regjistrimin, inkorporimin dhe strukturimin e tyre në përputhje me rregulloret e MB”.

Ajo nuk “angazhohet, ose merr asnjë përgjegjësi për, menaxhimin, funksionimin ose vendimmarrjen e klientëve tanë fundorë ose kompanive që ne i ndihmojmë të formohen”.

Alpha tha gjithashtu se ka kujdesin e duhur dhe procedura kundër pastrimit të parave që janë në përputhje me ligjin. Muajin e kaluar, Seychelles u shtua në listën e zezë të parajsave fiskale të BE-së” shkruan BBC.

Lobisti Nick Muzin dhe Lulzim Basha

Lulzim Basha i ka mohuar gjithnjë akuzat për financim nga Rusia. Kur është pyetur për origjinën e parave, ai ka thënë se kanë qenë financim i diasporës shqiptare, ndërsa ka mohuar çdo lidhje me Biniatta Trade LP.

650 mijë dollarë u paguan nga Partia Demokratike në prag të zgjedhjeve të qershorit 2017, kur Basha siguroi një takim të shkurtër dhe fotografi me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Në Departamentin e Drejtësisë në SHBA, kompania lobuese “Stonington Strategies” deklaroni se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD në vitin 2017 dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP”-një kompani guackë e regjistruar në Skoci, në vlerën e 150 mijë USD.

Për hetimin e Bashës në lidhje me këtë çështje u angazhua edhe ish-shefi i zyrës së FBI në Neë York, Charles Mcgonigal, të cilit iu ofruan materiale dhe dëshmitarë nga zyra e kryeministrit Edi Rama. /Lapsi.al/

Rruga Press

YouTube player