Sport

BBC: Broja shija e shkëlqimit te ”Southampton”

Nënshkrimi i ”Chelsea”-t me sulmuesin Romelu Lukaku, supozohej se do të ishte pjesa e fundit e një puzzle fitues për blutë, shkruan BBC.

Por, Lukaku ka shënuar vetëm pesë gola në një sezon të prekur nga dëmtimet dhe skuadra e Thomas Tuchel tani gjendet 10 pikë larg liderit ”Manchester City”.

Belgu është ende sulmuesi më i mirë i klubit këtë sezon, por ata kanë në listën e tyre një sulmues tjetër që ka tronditur rrjetën po aq shpesh sa Lukaku.

Megjithatë, në vend që të bëjë përshtypje në ”Stamford Bridge”, ai po bie në sy te ”Southampton”-i.

Një produkt i akademisë së famshme të bluve, Armando Broja po shijon një periudhë të shkëlqyer huazimi te ”Southampton”-i.

20-vjeçari ka shënuar pesë gola në 18 ndeshje, lojtari më i ri që ka arritur këtë shifër në sezonin aktual të Premier League.

I çmendur pas futbollit që kur ishte fëmijë duke parë legjendën braziliane Ronaldo, Broja po jeton ëndrrën e tij në skenën e madhe, pasi u shfaq si një nga talentet e spikatura të sezonit.

I lindur në Slough nga prindër shqiptarë, futbolli ka qenë pjesë e jetës së Brojës që prej kohësh.

Ai luante rregullisht me kushërinjtë, mamanë dhe tezen në park kur ishte i vogël, dhe ndërkohë që ishte pjesë e ekipeve të të rinjve të klubeve profesionale.

Broja kishte ambicien të luante për më të mirët e më të mirëve.

“Unë shkova për disa prova me Reading”, thotë ai në një intervistë në 2019.

“Aty shkoi mirë dhe më pëlqeu, por në atë kohë po kërkoja një klub më të madh”, shton ai.

Një periudhë e shkurtër në akademinë e ”Fulham”-it pasoi, përpara se të vinte një moment kyç në zhvillimin e tij të hershëm, kur ai u pa nga ”Tottenham”-i duke luajtur në një turne me skuadrën e tij lokale ”Burnham Juniors”.

Pasi shkëlqeu te ”Tottenham”, Broja, një tifoz i madh i ”Chelsea”-t, do të bënte gjithçka që mundej për të rënë në sy të kundërshtarëve sa herë që dy klubet londineze luanin me njëri-tjetrin.

“Ne luajtëm me ‘Chelsean’ dhe ata me të vërtetë më pëlqyen mua si lojtar, dhe atëherë u bashkova me akademinë”, shton ai.

Ashtu si shumica e lojtarëve të rinj, Broja ka marrë frymëzimin nga një numër lojtarësh që i ka parë ndërkohë që rritej.

Një nga kujtimet e tij më të hershme te ”Chelsea” ishte të shihte Didier Drogba.

“Ai ishte thjesht një lojtar i pabesueshëm”, thotë Broja.

“Kam parë shumë nga ndeshjet e tij. Ai ishte i fortë, i shpejtë, kishte gjithçka. Ky është ai që unë aspiroj të jem”, thekson Broja.

Broja iu bashkua ”Chelsea”-t në vitin 2009 dhe kaloi 11 vite duke përparuar në radhët e klubit.

Pasi shënoi 18 gola në 30 ndeshje me të rinjtë gjatë 2019-2020, atij iu dorëzua kontrata e tij e parë profesionale në shkurt 2020.

Broja e ka kaluar gjithë jetën e tij në Angli, por me prindërit dhe pjesën më të madhe të familjes së tij nga Shqipëria, ai zgjodhi ta përfaqësonte atë.

Vendimi i tij mund të jetë ndikuar edhe nga fakti se nuk ka pasur ndonjë interes nga Anglia dhe kështu, që në maj 2019 ai u thirr për skuadrën e Shqipërisë U-19.

Broja shënoi në debutimin e tij në një fitore 3-1 ndaj Kosovës.

Përparimi i tij ka vazhduar të jetë sa mbresëlënës aq edhe i shpejtë. Ai tani ka 10 ndeshje ndërkombëtare dhe ka shënuar tre gola gjatë kualifikimeve të Kupës së Botës, duke përfshirë fitoret 1-0 kundër dy herë finalistëve të Kupës së Botës, Hungarisë.

Me afrimin e afatit të transferimeve, ”Southampton”-i dëshiron të nënshkruajë përgjithmonë me të riun, por një lëvizje e tillë, të paktën në afat të shkurtër, do ta bënte që tifozi i përjetshëm i ”Chelsea”-t të vendoste në një anë ëndrrën e tij për të bërë emër për veten e tij në ”Stamford Bridge”.

Ditët e ardhshme mund të jenë të mëdha në karrierën e re të Brojës./ATSH/

Rruga Press

YouTube player