BB: Fitimet nga puna në Shqipëri nga 2015-2019 në vendnumëro
Produktiviteti i punës në Shqipëri ka mbetur në vendnumëro, çka do të thotë se fitimet e shqiptarëve nga puna nuk kanë ndryshuar.
Shqipëria jo vetëm renditet e fundit në Rajon në këtë drejtim, por po thellon hendekun nga viti në vit sipas një studimi të fundit të Bankës Botërorë që trajton ecurinë e tregut të punës para dhe pas pandemisë në vendin tonë.
Siç shihet në grafikun bashkëngjitur produktiviteti i punës i matur nga fuqia blerëse për një person të punësuar në Shqipëri ishte 20 mijë dollarë në vit. Kjo shifër mbeti e njëjtë nga 2014-2019, duke e renditur vendin tonë të fundit në rajon.
Vendet e Rajonit jo vetëm që kanë produktivitet më të lartë të punës, por kanë përparuar më tej vitet e fundit. Psh PBB për një të punësuar në Serbi ishte 52 mijë dollarë në vitin 2015, ndërsa në vitin 2019 ishte 58 mijë dollarë, referoi Banka Botërore
Deri në fillim të vitit 2020, tregu i punës në Shqipëri ishte në drejtim pozitiv, duke dëshmuar rritjen e punësimit dhe pjesëmarrjen e femrave në fuqinë punëtore.
Por pavarësisht këtyre rritjeve në punësim, produktiviteti i punës në Shqipëri është i ulët dhe ka mbetur në vendnumëro kohët e fundit.
Por pjesa më e madhe vendeve të reja të punës ishte në sektorët me paga të ulëta prej 30,000 lekë.
Shqipëria spikat nga vendet e tjera të Rajonit për përqindjen e lartë të individëve me aftësi të ulëta (53 për qind në Shqipëri kundrejt 31 për qind në Ballkanin Perëndimor në 2019), dhe ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, shkalla e papunësisë në mesin e individëve pa shkollë në Shqipëri është më e ulët se në mesin e atyre me shkollë të mesme dhe të lartë.
Individët me arsim të lartë në Shqipëri përbëjnë rreth dy të tretat e të gjithë të papunëve në Shqipëri, duke sugjeruar kthime të ulëta nga arsimi për shkak të cilësisë së ulët.
Edhe pse papunësia e Shqipërisë është më e ulët se mesatarja rajonale, shumë prej tyre janë të punësuar në sektorë me produktivitet të ulët. Shqipërisë ka peshën më të lartë të të punësuarve në vetëpunësim (34 për qind kundrejt mesatares rajonale prej 22.9 për qind në 2018) dhe në punësim me kohë të pjesshme (18.3 për qind kundrejt mesatares rajonale të 10.6 për qind në 2018).
Për më tepër, punësimi në Shqipëri është i përnderuar në bujqësi (zona rurale) ose në profesione elementare (zona urbane) dhe pjesa më e madhe është në informalitet me vlerësime që variojnë nga 25 në 50 për qind të PBB-së.
Si rrjedhojë e këtyre faktorëve produktiviteti i punës ka ndalur rritjen vitet e fundit dhe është vazhdimisht më e ulët se çdo homolog i saj rajonal, i matur me PBB-në për person të punësuar. Banka Botërorë vlerëson se sfida e Shqipërisë është krijimi i më shumë vendeve të reja punës me vlerë më të lartë pagesë. Për të arritur këtë duhet përmirësuar cilësia e arsimit dhe trajnimit.
Shqipëria ka pothuajse gjysmën e fuqisë punëtore në bujqësi dhe kështu ka hapësirë për të promovimin e mundësive alternative të punësimit. Ndërsa totali i të punësuarve në sektorin e bujqësisë ka disa vite që është në rënie, sërish 40 për qind e punonjësve vazhdojnë të punojnë në bujqësi.
Kjo reflekton faktin se, ndërsa sektorët e prodhimit dhe shërbimeve kanë qenë në rritje kohët e fundit, bujqësia mbetet një pjesë e rëndësishme e ekonomisë. Të dhënat tregojnë që familjet e angazhuara në sektorin e bujqësisë ishin kryesisht të nënpunësuar, me numrin e ditët e punuara mesatarisht vetëm tre të katërtat e ekuivalent me kohë të plotë. /Revista Monitor/
Rruga Press