KryesoreLajme

​Bashkimi i tregjeve energjetike Kosovë-Shqipëri, arritje e rëndësishme për të dyja vendet

Kosova dhe Shqipëria së bashku do të jenë pjesë e një blloku të rëndësishëm energjetik dhe rajonal me rëndësi ekonomike, politike dhe gjeopolitike.

Kështu u tha në ceremoninë zyrtare të organizuar nga Operatori i Sistemit Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) në emër të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike- ALPEX, me rastin e funksionalizimit të Tregut një Ditë Para për Zonën Ofertuese të Kosovës dhe Bashkimi i Tregjeve të Energjisë Elektrike Kosovë-Shqipëri.

Kosova dhe Shqipëria së bashku do të jenë pjesë e një blloku të rëndësishëm energjetik dhe rajonal me rëndësi ekonomike, politike dhe gjeopolitike. Kështu u tha në ceremoninë zyrtare të organizuar nga Operatori i Sistemit Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) në emër të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike- ALPEX, me rastin e funksionalizimit të Tregut një Ditë Para për Zonën Ofertuese të Kosovës dhe Bashkimi i Tregjeve të Energjisë Elektrike Kosovë-Shqipëri.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se ky është moment historik për sektorin e energjisë për të dy vendet, pasi sipas tij, kjo do të ketë rol në zhvillimin ekonomik si dhe në transparencën ne sektorin e energjisë.

Ai tha se thellimi i bashkëpunimeve ndërkufitare është një nga metodat më të mira për t’u përballur me sfidat dhe vështirësitë në këtë sektor.

“Inaugurimi i ALPEXIT shënon një moment historik për sektorin energjetik të Kosovës dhe përkushtimin tonë për bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë. Një bashkëpunim i cili luan rol në zhvillimin ekonomik dhe atë të transparencës në sektorin e energjisë si dhe në transformimin e sektorit tonë energjetik në harmoni me strategjinë tonë kombëtare të energjisë. Në vitet e fundit kriza energjetike e ka bërë një gjë të qartë: sektori i energjisë si në Evropë ashtu edhe në gjithë botën ka ndryshuar rrënjësisht. Thellimi i bashkëpunimeve ndërkufitare është një ndër mënyrat më të suksesshme për t’u përballur me vështirësitë, sfidat e realitetit të ri në këtë sektor”, tha Kurti.

Kurti gjithashtu tha se tregu i përbashkët krijon mundësi të reja biznesi dhe se bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri është hap strategjik për një ekosistem energjetik më efikas.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Ndërkaq, duke folur për rëndësinë e kësaj ngjarje, kreu i Qeverisë tha se nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të krijohet një mjedis më i favorshëm për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Tregu i përbashkët siguron mundësi të reja biznesi edhe më shumë tregti ndërkufitare. Bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike Kosovë-Shqipëri nuk është vetëm një hap strategjik drejt nxitjes së një ekosistemi energjetik më të lidhur e më efikas. Ai është gjithashtu një katalizator për përfshirjen e sektorit privat. Nëpërmjet bashkëpunimit me Shqipërinë dhe fqinjët tanë ne synojmë të hapim ekonominë duke ndihmuar bizneset të bëhen më efektive dhe kosto efektive, të optimizojnë integrimin teknologjik, të jemi gjithandej më efikas dhe të krijojmë një mjedis për tërheqjen e investimeve si të huaja ashtu edhe ato brenda vendit”, tha Kurti.

Ai gjithashtu foli edhe për krizën e fundit energjetike për të cilën tha se ajo nuk ka shkuar dëm, pasi sipas tij, mësimin dhe përvojën e fituar po e kthejnë në bashkëpunim dhe mundësi të reja.

Ndërkaq në fjalën e saj, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli thotë se kjo është, ka qenë dhe mbetet një aspiratë e përhershme historike e Kosovës që politik bërjen në sektorin e energjisë ta bëjë në një mënyrë të tillë që e sheh dhe vlerëson këtë komplementaritet dhe e zhvillon edhe më tej.

“Komplementariteti i sistemeve elektroenergjetike të Shqipërisë dhe Kosovës të bazuar në burime ujore termike respektivisht është gjëja e parë që mbaj mend që kam dëgjuar ndonjëherë për sektorin e energjisë qysh si fëmijë. Kjo është, ka qenë dhe mbetet një aspiratë e përhershme historike e Kosovës që politik bërjen në sektorin e energjisë ta bëjmë në një mënyrë të tillë që e sheh dhe vlerëson këtë komplementaritet dhe e zhvillon edhe më tej. Kemi ndërtuar linjat e transmisionit 400 kilovatë në mes Kosovës B dhe Gomanit dhe 220 kilovatë kV prej Prizrenit 2 deri në Fierz dhe po planifikojmë edhe ndërtimin e linjave të reja interkolektive 110 kilovoltëshe Dragash-Kukës e pastaj edhe Deçan- Bajram Currë. Kemi një bashkëpunim të jashtëzakonshëm i cili ka qenë veçanërisht i dobishëm përgjatë krizës, vetëm gjatë dimrit 2022-2023 kemi pasur 250 GW orë këmbim nga Shqipëria me një kursim prej 50 milionë euro për qytetarët dhe bizneset e Kosovës. Me ALPEX-in ne kemi një platformë tregtuese që të sigurojë efiçencë, konkurrencë të shëndoshë e transparencë, në mënyrën se si tregtohet energjia, si formohen çmimet e tregut gjë që është kaq e rëndësishme për të gjithë ne sepse këto kanë ndikim në çmimin përfundimtarë që e paguajnë familjet e bizneseve tona. Kosova dhe Shqipëria së bashku do të jenë pjesë e një blloku të rëndësishëm energjetik dhe rajonal me rëndësi ekonomike, politike dhe gjeopolitike” thotë Rizvanolli.

Lexo më shumë  Shefja e Parlamentit të BE-së: Gjermania duhet t’ia dërgojë Ukrainës raketat Taurus

Se ky bashkim është i rëndësishëm e shpreh edhe kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Evetar Zeqiri duke shtuar se kjo nuk do të arrihej pa vizionin largpamës të të dy qeverive, mbështetjen e pafund të ministrive respektive të dy shteteve.

Ai tha se kjo marrëveshje është epilog i një procesi të reformave të mbi dy dekadave në sektorin e energjisë.

“Kjo ngjarje është një epilog i një procesi dydekadësh të reformave në sektorin e energjisë që është mbështetur fuqishëm nga partnerët tanë zhvillimorë. Kjo nuk do të arrihej pa vizionin largpamës të të dy qeverive, mbështetjen e pafund të ministrive respektive të dy shteteve. ALPEX është një sipërmarrje e veçantë sepse është bursa e dytë operacionale e themeluar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, është unike sepse është hera e parë që një bursë paralelisht lanson bursën dhe bashkimin e tregjeve në të njëjtën ditë dhe me sukses të jashtëzakonshëm. Viti 2024 është vit i veçantë, i energjisë, i investimeve të mëdha në sektorin e energjisë sepse ALPEX po ashtu do të lansojë tregun një ndërditorë brenda këtij viti brenda dyja zonave të ofertimit, duke ofruar kushte më të mira për gjeneruesit, tregtarët ose BRE-të duke rritur kështu sigurinë e furnizimit, mundësuar integrimin më të shpejt të BRE-ve, duke ofruar çmime më të mira për konsumatorët “, shton Zeqiri.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe drejtoresha e misionit të USAID në Kosovë Eileen Devitt, dhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Rruga Press

YouTube player