Bashkimi Evropian miraton një tjetër plan mbështetjeje ushtarake për Ukrainën
Udhëheqësit e BE-së do të miratojnë një marrëveshje që synon t’i dërgojë Ukrainës 1 milion predha artilerie brenda 12 muajve të ardhshëm, për të ndihmuar vendin të mbrohet kundër forcave ruse.
Procedura e shpejtë u miratua gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes në fillim të kësaj jave dhe krerët e mbledhur në një samit në Bruksel të enjten do t’i japin asaj një bekim politik, sipas disa diplomatëve të lartë të BE-së.
Me Ukrainën që po përballet me mungesë municionesh për të luftuar Rusinë, ideja e krijimit të një plani veprimi të përbashkët blerjeje, të ngjashëm me atë të krijuar gjatë pandemisë së koronavirusit për të blerë vaksina, u soll për herë të parë në tryezë muajin e kaluar nga kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha se ai ka fituar miratimin për propozimin e tij për të ofruar 1 miliard euro për të inkurajuar vendet anëtare që të ofrojnë predha artilerie nga rezervat e tyre.
Nga 27 vendet të BE-së, Hungaria është e vetmja që ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në furnizimin me municion për Ukrainën, duke përmendur angazhimin e saj për paqen, por tha se nuk do t’i pengojë anëtarët e tjerë ta bëjnë një gjë të tillë.
Muajin e kaluar, kryeministri i Hungarisë Viktor Orban tha se blloku është pjesërisht fajtor për zgjatjen e luftës së Rusisë në Ukrainë, për shkak të sanksioneve që i kanë vënë Rusisë dhe duke furnizuar Ukrainën me para dhe armë, në vend që të kërkojë të negociojë paqen me Moskën.
Sipas vlerësimeve të ndryshme, Ukraina po gjuan 6,000-7,000 predha artilerie çdo ditë, rreth një e treta e totalit të Rusisë, një vit pas luftës.
Udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu mundësinë e plotësimit me 3.5 miliardë euro shtesë të Facilitetit Evropian të Paqes – një fond që përdoret për të rimbursuar vendet anëtare që ofrojnë armë, municion dhe mbështetje ushtarake për Ukrainën.
Në takimin e tyre dyditor, udhëheqësve do t’iu bashkohet Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do t’i drejtohet takimit me video-lidhje.
Rruga Press