KryesoreLajme

Bashkimi Evropian i hap dyert Malit të Zi, Shqipëria ende në pritje të IBAR

Në të njëjtën kohë kur qeveria e Malit të Zi hodhi në Bruksel një hap historik drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, Shqipëria mbetet ende në pritje të dritës jeshile për këtë objektiv të largët. Një nyje e krijuar në negociata, që quhet IBAR, ka lënë pezull krejt procesin.

Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos e cilësoi përparimin e Malit të Zi si “një hap të madh në rrugën drejt anëtarësimit” dhe “një njohje të qartë të progresit” për qeverinë e vendit fqinj. Vendimi i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për hartimin e traktatit të anëtarësimit për Malin e Zi shënon hyrjen në një fazë të pakthyeshme të procesit të zgjerimit. “Sot, shtetet anëtare vendosën të fillojnë hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi në BE,” deklaroi  Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili e përforcoi këtë mesazh politik, duke theksuar se “për herë të parë që nga viti 2013, Bashkimi Europian nis matjen e kohës për zgjerimin e radhës”.

Pesha e këtij vendimi bëhet më e qartë nëse shihet në kontekstin historik. Mali i Zi aplikoi për anëtarësim në vitin 2008, mori statusin kandidat në 2010 dhe hapi negociatat në 2012. Sot, ai ka mbyllur 14 nga 35 kapitujt negociues dhe, siç u shpreh ministrja për Çështjet Evropiane, Maida Gorçeviç, “ky është një tjetër konfirmim se jemi në rrugën e duhur për t’u bërë anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028”.

Hartimi i traktatit për antarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Europian shihet si një akt besimi politik, që vjen vetëm kur një vend konsiderohet i parashikueshëm në kursin e tij reformues.

Po Shqipëria?

Në të kundërt, për qeverinë e Shqipërisë ende diskutohet nëse e meriton apo jo këtë besim. Procesi i negociatave është pezull në raportin e ndërmjetëm për “Themeloret”, IBAR, një instrument kyç që kushtëzon çdo hap të mëtejshëm. Pa një vlerësim pozitiv, që përfshin shtetin e së drejtës, drejtësinë dhe institucionet demokratike, negociatat nuk mund të avancojnë.

Diskutimet e fundit në Grupin e Punës për Zgjerimin, COELA, të zhvilluara më 17 prill në Bruksel, tregojnë se drafti i Pozicionit të Përbashkët për Shqipërinë mbetet ende i hapur. Edhe pse disa vende, si Gjermania, Franca apo Holanda, kanë konstatuar se teksti “ka lëvizur në drejtimin e duhur”, të tjera e konsiderojnë atë “tepër kërkues dhe të detajuar”, sidomos në krahasim me rastin e Malit të Zi. Presidenca e BE-së u kërkoi shteteve anëtare të dorëzojnë komente të reja deri më 22 prill, ndërsa drafti pritet të rikthehet për diskutim më 28 prill, një datë që mund të përcaktojë nëse Shqipëria do të marrë një sinjal pozitiv apo do të mbetet në vendnumëro.

Lexo më shumë  Mbi 20 garazhe, fillon lirimi dhe rrënimi i objekteve pa leje në pronë të Trepçës në veri të Mitrovicës

Në këtë pikë, ngërçi është politik. Vendimi i kryeministrit Rama për të mos lejuar arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku me votat e 82 deputetëve të Partisë Socialiste është lexuar në Bruksel si një test i dështuar për vullnetin politik në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta. Reagimet diplomatike që pasuan, përfshirë mesazhe të forta nga ambasadat e vendeve të BE-së, e bënë të qartë se çështja lidhej drejtpërdrejt me procesin e integrimit.

Por në pamundësi për t’u fokusuar në adresimin e këtyre shqetësimeve, politika e jashtme e Tiranës ka marrë një drejtim më të paqartë dhe në disa raste kontradiktore me linjën e Bashkimit Evropian.

Devijimet e Ramës nga linja e BE

Prej dekadash, Shqipëria ka punuar që të linjëzojë sa më shumë politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Europian. Vetëm në një rast, Edi Rama ka pohuar të kundërtën, për sulmet në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Atëherë, kryeministri Rama doli kundër deklaratës së Brukselit duke thënë se: “Moslinjëzimi me politikën e jashtme të Bashkimit Europian, nuk është fjalë goje për një vend kandidat që synon anëtarësimin në BE”.

Por sapo SPAK goditi disa nga njerëzit e tij më të afërt, Belinda Ballukun dhe Ergys Agasin, kryeministri Rama ka devijuar në mënyrë të ndërgjegjshme nga linja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian me disa shembuj të hapur.

Editoriali i përbashkët i Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, me titull “Një rrugë realiste drejt BE-së”, ishte një propozim për integrimin e Shqipërisë dhe të Serbisë në Tregun Unik dhe zonën Schengen pa anëtarësim të plotë. Në tekstin që botuan, dy politikanët propozuan një integrim të pjesshëm të vendeve të tyre, që në praktikë zhvendos fokusin nga përmbushja e kritereve te kërkimi i rrugëve alternative.

Vetë njehsimi i qëndrimit të Shqipërisë me atë të Serbisë, e cila ka ruajtur me fanatizëm marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, dukej si një hap fals i Ramës në një moment tepër delikat, kur në Bashkimin Europian kishte pakënaqësi për “djemtë e këqinj” të unionit që flirtonin me Rusinë. Ky devijim nga Bashkimi Europian vazhdoi edhe më qartë në pozicionimet e tjera ndërkombëtare.

Lexo më shumë  Kushtoi 1.2 milionë euro, degradohet gjendja e rrugës në Unazën e Poshtme të Burrelit

Vizita e Edi Ramës në Izrael, fjalimi i tij në Kneset dhe shtrëngimi i duarve me Netanjahun, ishte një tjetër lëvizje që ndodhte nën vështrimin e pakënaqur të europianëve. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu është nën akuzë nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për genocid në masakrat në Palestinë, madje disa vende europiane kishin vendosur ta njohin këtë shtet, kur Edi Rama udhëtoi drejt Jeruzalemit për t’i shprehur gjithë mbështetjen e tij kryeministrit Benjamin Netanjahu. Duke shkuar akoma më tej, Edi Rama u bë pjesë e një konference të organizuar në Izrael ku ishin të pranishëm të gjithë faktorët e së djathtës ekstreme europiane.

Në të njëjtin kontekst regjistrohen edhe flirti ekonomik me vendet e Lindjes së Mesme, hapja e dyerve për investimet e kompanive arabe në Shqipëri, përjashtimi nga gara të kompanive europiane në projekte strategjike si ai i portit të Durrësit, apo edhe pjesëmarrja e Shqipërisë në iniciativa si “Bordi i Paqes”, në një moment kur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ishin theksuar dhe shumica e vendeve të BE-së kishin zgjedhur të mos përfshihen.

Brenda pak muajsh, Shqipëria jo vetëm që nuk e harmonizoi politikën e saj të jashtme me atë të Unionit, por e përforcoi perceptimin për ndjekjen e një kursi tjetër, që bie ndesh me objektivin për integrimin në Bashkimin Europian.

Por më shumë se një aventurë drejt të panjohurës, flirtet e Ramës herë me Beogradin e herë me Jeruzalemin ngjajnë me një lëvizje bllofi gjatë lojës, për të kompensuar mungesën e progresit në reforma. Problemi është se në strategjinë e bllofit nuk ka një të mesme. Rezultatet janë thuajse përherë ekstreme; ose humbje me kosto të rënda, ose fitore e pandalshme. Vetëm se për këtë duhet të bindësh kundërshtarin se je gati të shkosh deri në fund, pa pasur asgjë në dorë./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player