BotaKryesore

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja qortojnë Serbinë: Marrëdhëniet me Rusinë “nuk janë normale”

Bashkimi Evropian i bëri thirrje Serbisë që të vendosë sanksione kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, pasi Serbia priti zëvendësministrin e Jashtëm rus, Aleksandr Grushko.

Më 2 korrik, Grushko u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa gjatë qëndrimit në Beograd kishte takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë serbë.

“Bashkimi Evropian ka qenë i qartë me partnerët tanë: marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë normale pas luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë kundër Ukrainës”, tha një zëdhënësi i BE-së për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se Këshilli i BE-së është në dijeni për ndihmat humanitare dhe të tjera të Serbisë për Ukrainën, por se, gjithashtu, pret që Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, të përafrohet me politikën e jashtme evropiane dhe të sigurisë.

Departamenti amerikan i Shtetit tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara “nuk besojnë se ndonjë vend duhet t’i japë Rusisë platformë për të promovuar luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës”.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe e gjithë Evropa, kanë një interes të madh në rrjedhën e luftës ruse kundër Ukrainës, e cila kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Prandaj, është e një rëndësie vendimtare të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë”, tha Departamenti i Shtetit.

Ai vlerësoi, po ashtu, mbështetjen që Serbia i ka dhënë Ukrainës deri më tani.

Me kë u takua Grushko në Beograd?

Grushko kishte një “bisedë të mirë”me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur vetë Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram, më 2 korrik.

“I kemi shqyrtuar marrëdhëniet e përgjithshme dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Federatës Ruse dhe i kemi vlerësuar si shumë të mira”, shkroi Vuçiq në postimin e tij.

Një ditë më parë, zëvendësi i ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, u takua me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Policisë të Serbisë, Ivica Daçiq.

Ai zhvilloi takim edhe me zëvendëskryeministrin serb, Aleksandar Vulin, dhe ministrin Nenad Popoviq. Të dy ata janë në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, për shkak të lidhjeve të tyre të ngushta me Kremlinin.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Në listën e zyrtarëve serbë me të cilët u takua Grushko, është edhe Marko Gjuriq, ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë.

Lidhja me Rusinë

Pushtimi rus i Ukrainës është në vitin e tretë dhe gjatë kësaj kohe Serbia nuk ka hequr dorë nga lidhjet e saj me Rusinë.

Zyrtarisht, Beogradi mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por refuzon të vendosë sanksione kundër Moskës.

Ai e arsyeton refuzimin e tij me lidhjet miqësore me Rusinë, por edhe me mbështetjen që merr prej saj në nivel ndërkombëtar.

Kjo nuk është vizita e parë e zëvendësit të Lavrovit në Serbi që nga fillimi i luftës.
Grushko ka qëndruar në Beograd edhe në tetor të vitit 2022, por, atëkohë, publiku serb ka mësuar për vizitën nga zyrtarët dhe mediat në Rusi.

Bëhet fjalë për një performancë pa thelb – kështu e vlerëson vizitën e zyrtarit rus për Radion Evropa e Lirë Darko Obradoviq, nga Qendra joqeveritare për Analiza Strategjike në Beograd.

“Bashkëpunimi mes Serbisë dhe Rusisë aktualisht është shndërruar në një aktivitet propagandistik mediatik, që, në fakt, nuk do të japë ndonjë rezultat thelbësor”, thotë Obradoviq.

Një vlerësim të tillë ai e mbështet në argumentet se “Rusia nuk ka më asgjë për t’i ofruar Serbisë në fushën e sigurisë”.

Vizita e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë në Serbi u zhvillua dy javë pasi Serbia mbështeti deklaratën në Samitin për Paqe në Ukrainë, i cili u mbajt në Zvicër, duke shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës.

Ajo është një prej disa deklaratave të Bashkimit Evropian dhe rezolutave të OKB-së që Serbia i ka mbështetur, e që dënojnë pushtimin rus të Ukrainës.

Megjithatë, ajo nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, tek e cila mbështetet, para së gjithash, për çështjen e Kosovës.

Vizita e Grushkos kësaj radhe u pasqyrua në media

Ndryshe nga vizita e mëparshme e Grushkos në Beograd, e fundit është raportuar nga zyrtarët përmes komunikatave për media.

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndarë një fotografi me Grushkon në llogarinë e tij në Instagram.

Kur ai është takuar me të në Beograd në tetor të vitit 2022, Ministria e Punëve të Jashtme ruse ka publikuar informacionin, por jo edhe Zyra e Presidentit të Serbisë.

Në serinë e kontakteve të Grushkos me zyrtarët serbë hyn edhe takimi me zëvendëskryeministrin Aleksandër Vulin në Moskë.

Ata u takuan në mes të qershorit, menjëherë pasi Vulin u emërua në një nga pozitat udhëheqëse në Qeverinë e re të Serbisë.

Mesazhet e Grushkos dhe Vulinit atëkohë kanë përçuar synimin për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Vulin, nga lista e zezë amerikane, ka diskutuar me zyrtarët rusë për “rezistencën e përbashkët ndaj Perëndimit”, kanë raportuar mediat ruse.

Si e raportuan mediat ruse vizitën e Grushkos?

“Nivel i jashtëzakonshëm i marrëdhënieve me Federatën Ruse” dhe “bashkëpunim i ngushtë” përmes Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Kështu u raportua për vizitën e Grushkos në Serbi më 1 dhe 2 korrik në mediat ruse.
Në raportet e tyre, agjencitë shtetërore ruse, TASS dhe Ria Novosti, iu referuan njoftimeve të Qeverisë së Serbisë dhe postimit të Vuçiqit në Instagram.

Ato raportuan edhe për deklaratat e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Vulin, për “miqësinë dhe respektin reciprok” të dy vendeve.

TASS njoftoi gjithashtu se Grushko, gjatë vizitës së tij në Beograd, vendosi kurora lulesh në Memorialin e Çlirimtarëve të Beogradit, te Flaka e Përjetshme dhe te Monumenti i Ushtrisë së Kuqe.

Darko Obradoviq, nga Qendra joqeveritare për Analiza Strategjike në Beograd, e sheh këtë si “një lojë që Rusia dhe Serbia e kanë pranuar”.

“Në të ardhmen do të jemi dëshmitarë të aktiviteteve të tilla, por nuk do të ketë realizime thelbësore. Kjo është vetëm një mënyrë e lehtë për të mos thyer ‘vëllazërinë’ shekullore”, thotë Obradoviq.

Serbia dhe Rusia, përndryshe, kanë një bashkëpunim të zhvilluar ushtarako-teknik, ndërsa nga viti 2016, kur ka filluar modernizimin e ushtrisë, Serbia ka siguruar armë nga Rusia, pavarësisht kritikave nga Brukseli./REL

YouTube player