KryesoreLajme

Bashkia mbyll “rubinetin” e financave, volejbolli në Durrës në kolaps total

Volejbolli në Durrës ndodhet një kaos të vërtetë. Bashkia e dytë më e madhe e Shqipërisë që prej muajit nëntor u ka prerë ekipeve të volejbollit çdo lloj mbështetjeje financiare, të cilat sportistët më parë i merrnin në formën e trajtimeve ushqimore.

Ndryshe nga çdo bashki tjetër në vend, ajo e Durrësit i ka bërë një interpretim të çuditshëm VKM-së më të fundit të qeverisë.

Duke iu referuar vendimit të Këshillit të Ministrave të 15 dhjetorit për shpërblimin e sportistëve elitarë, VKM që madje ende nuk është botuar në “Fletoren zyrtare”, Bashkia e Durrësit ka vendosur që t’i heqë mbështetjen financiare sportit të rrjetës për femra dhe meshkuj.

Ndonëse në asnjë nen të VKM-së nuk thuhet që sportistët e kategorisë së parë që luajnë në rang kombëtar duhet të lihen pa dieta ushqimore për shkak se nuk mbajnë statusin e “sportistit të nivelit të lartë” apo të “ekipit kampion kombëtar”, Bashkia e Durrësit u ka hequr trajtimet skuadrave dhe tashmë po e dërgon drejt shkrirjes volejbollin në qytetin bregdetar, nëse nuk ndryshon menjëherë qëndrim.

Lexo më shumë  Osmani thotë se Serbia po e ndihmon Rusinë të hapë një front të ri kundër Perëndimit

Kjo do të ishte një njollë e madhe turpi, pasi Durrësi njihet për traditën në volejboll dhe ka prodhuar në mënyrë të vazhdueshme lojtarë që u kanë dhënë tonin kampionateve tona. Aq më tepër që bëhet fjalë për paga modeste, të cilat variojnë nga 10, 15 apo 25 mijë lekë për lojtarët titullarë. Ndërsa ky problem përfshin gjithashtu edhe trajnerët.

Një situatë e paprecedentë, me Teutën e volejbollit që ndodhet në kolaps total, aq më tepër që në vendin tonë nuk ekziston një ligj favorizues sponsorizimi.

Gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me lojtarët apo lojtaret, që kanë shprehur të gjithë zhgënjimin për situatën e krijuar, ndërsa thonë se në këto kushte janë të detyruar të bojkotojnë, edhe pse ky veprim u rrezikon daljen nga kategoria, për të cilën kanë derdhur djersë dhe kanë punuar gjatë gjithë sezonit.

Burime pranë klubit bëjnë të ditur se përgjigjja e marrë në bashki është se “çdo gjë do të rregullohet dhe se është thjesht një keqinterpretim i juristes”, por koha kalon, ndërsa situata vazhdon të mbetet e pandryshuar, me Teutën që tashmë është në udhëkryq.

Lexo më shumë  Kurti: Rregullorja e BQK-së ka qëllim ligjshmërinë, jo ndëshkimin e dënimin

PARADOKSI – Këtë situatë e bën akoma më paradoksale edhe fakti që vetëm pak kohë më parë qeveria ndërmori një prej hapave më të mëdhenj për sa i përket zhvillimit të lojërave me dorë, teksa akordoi një fond prej 5 milionë dollarësh për sportin në të tria nivelet e arsimit për vitin 2022.

Një projekt që konsiston në formalizmin dhe masivizimin e sportit në shkolla, teksa këtë vit do të përfshihen basketbolli dhe volejbolli.

Por, në krahun tjetër shohim bashkinë e dytë më të madhe në vend që po u “ul qepenat” skuadrave për shkak se nuk janë kampione në kampionatet ku marrin pjesë, duke përdorur një standard krejtësisht të ndryshëm nga bashkitë e tjera, të cilat për asnjë moment nuk e kanë ndalur mbështetjen ndaj ekipeve të tyre.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *