Bashkëpunimi ndërmjet dy ushtrive Kosovë-Gjermani, gjeneral Jashari takon gjeneralin Breuer
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari së bashku me delegacionin përcjellës nga FSK, u pritën në takim pune në Ministrinë e Mbrojtjes në Berlin nga Shefi i Mbrojtjes së Republikës Federale të Gjermanisë, gjeneral Carsten Breuer.
Në njoftimin bëhet e ditur se dy homologët diskutuan rreth situatës së përgjithshme të sigurisë në Kosovë, rajon dhe me gjerë, ata gjithashtu theksuan rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ushtarak ndërmjet ushtrive të dy vendeve.
Gjenerallejtënant Jashari e falënderoi homologun e tij gjerman për mbështetjen e vazhdueshme që shteti gjerman dhe në veçanti Bundeswehri ka dhënë dhe po jep në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve të FSK-së.
KOMFSK gjithashtu i ofroi homologut të tij bashkëpunim mes dy ushtrive përfshirë bashke-zbarkimet në misione të ndryshme, në operacione ndërkombëtare si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët.
“Gjenerali Breuer shprehu vlerësim të lartë për gjeneral Jasharin në funksion të ngritjes dhe profesionalizimit të kapaciteteve të FSK-së, si dhe për angazhimin që po e bëjnë në funksion të paqes në Ballkan, si dhe rritjes së bashkëpunimit mes dy ushtrive.
Të dy shefat e mbrojtjes u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve dhe me këtë rast gjeneral Jashari e ftoi gjeneralin Breuer për vizitë zyrtare në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Rruga Press