Lajme

Barrikadat, të shtënat me armë zjarri dhe kërkesa e SHBA-së, çfarë ndodhi në veri të Kosovës

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë për një muaj vendimin për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit, kjo pasi serbët vendosën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak. Shtyrja për implementimin e vendimit për reciprocitet me dokumente karshi Serbisë erdhi nga kërkesa e SHBA-së. Kjo kërkesë u përcoll nga ambasadori Jeff Hovenier, në një takim urgjent në orët e vona me presidenten Osmani, kryeministrin Kurti dhe dy zv.kryeministrat, Bislimi dhe Gërvalla.

Policia konfirmoi se në veri pati të shtëna me armë zjarri dhe disa qytetarë u keqtrajtuan në kufi. Në disa vende policia tha se është shtënë edhe ndaj njësiteve policore, por që nuk ka asnjë të lënduar.

Në këtë situatë, dy pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje u bllokuan. Prandaj Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i udhëzoi bashkatdhetarët që t’i përdorin pikëkalimet e tjera kufitare për të hyrë në Kosovë.

“Gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999”, u tha në reagimin e KFOR.

Në komunikatën e qeverisë u dënuan bllokimet e rrugëve nga grupet e serbëve dhe u përmend tendenca për destabilizim të vendit nga strukturat ilegale.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

“Qeveria zotohet se do të shtyjë zbatimin e vendimit e datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”, tha Qeveria e Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në reagimin e saj tha se Policia e Kosovës po punon pa ndaluar që të garantohet respektimi i ligjit dhe liria e lëvizjes. Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se veprimet janë duke u marrë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Masa e reciprocitetit nuk është e drejtuar kundër askujt, por në favor të qytetarëve pa dallim përkatësie. Prandaj, ftoj qytetarët serbë të Republikës së Kosovës që të mos bien pre e propagandës nga Beogradi.  Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë po punojnë shumë për të garantuar respektimin e sundimit të ligjit dhe lirinë e lëvizjes. Jemi duke u koordinuar e punuar pandalur me partnerët tanë ndërkombëtar”, shkruan ajo.

Tutje Osmani tha se veprimet nga grupet serbe në veri janë përpjekje të Vuçiçit që të destabilizohet Kosova.

“Përpjekjet e Vuçiçit për destabilizim të Kosovës, i cili po shërbehet me metoda të mentorit të tij- Putinit, do të dështojnë”, shtoi ajo.

I dërguari special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak për Dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se ideja për shtyrjen e vendimit të reciprocitetit ishte e Josep Borrelli, shef i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

“Mirëpresim vendimin e Kosovës për ta pranuar propozimin e Josep Borrelit për shtyrje për 1 mua të vendimit për reciprocitetit. BE pret që të gjitha pengesat të hiqen menjëherë. HRVP Borrell ftoi Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog në rrugën përpara. Mirënjohës ndaj USAmbKosovo për mbështetje të fortë”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka reaguar pas takimit që e kishte me Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë serbe, duke i falënderuar serbët për siç tha ai “guximin dhe përmbajtjen” që sipas tij serbët lokalë treguan në kundërshtimin e reciprocitetit.

Ai ka thënë se kanë kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të bisedojnë me zyrtarët e Kosovës të cilët i quajti si “të papërgjegjshëm”.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që dialogu të vazhdojë dhe të fillojmë t’i zgjidhim gjërat në mënyrë paqësore. Kemi kërkuar nga të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë që të bëjnë gjithçka që është e mundur. Është e rëndësishme që dialogu të vazhdojmë dhe të përpiqemi t’i zgjidhim gjërat në mënyrë paqësore”.

Po ashtu ka thënë se “Serbia nuk do të dorëzohet”.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *