Banorët e Tiranës shtrojnë rrugën pas 5 vitesh pritje, Ristani e Bashkisë: Do t’jua prishim!
Një ngjarje sa komike aq edhe shqetësuese po ndodh këto ditë në kompleksin IBN, në zonën e ish Fushës së Aviacionit në Tiranë.
Në vend që Bashkia e Tiranës të kishte ndërhyrë për shtrimin e rrugës në shërbim të banorëve, ajo pritet të dërgojë fadromat për të prishur asfaltin e hedhur nga vetë banorët dhe ndërtuesi i kompleksit, me argumentin se rruga është shtruar pa leje.
Skyweb.al mëson se banorët e kompleksit janë njoftuar së fundmi se nesër mjetet e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit do të shkojnë për të prishur segmentin e asfaltuar.

Banorë dhe pronarë biznesesh të zonës i thanë Skyweb.al se prej pesë vitesh i janë drejtuar Bashkisë së Tiranës me kërkesa për shtrimin e rrugës, por nuk kanë marrë zgjidhje.

Në mungesë të ndërhyrjes nga bashkia, pronari i kompanisë që ka ndërtuar kompleksin, së bashku me banorët, kanë marrë përsipër shtrimin e disa dhjetëra metrave asfalt, me qëllim shmangien e baltës, pluhurit dhe vështirësive të përditshme për banorët dhe bizneset.
Sipas banorëve, problemi nuk është vetëm estetik apo komoditeti i lëvizjes. Rruga e pashtruar prodhon pluhur të vazhdueshëm, sidomos në ditët e thata dhe kur kalojnë automjete.
Ky pluhur lidhet me grimcat PM10, të cilat janë grimca të imëta në ajër, më të vogla se 10 mikrometra, që vijnë nga pluhuri i rrugëve, ndërtimet, tymi, poleni dhe aktivitetet industriale.

Ekspozimi afatgjatë ndaj niveleve të larta të PM10 mund të shkaktojë kollë kronike, përkeqësim të astmës, bronkit, ulje të funksionit të mushkërive, irritim të rrugëve të frymëmarrjes, rritje të rrezikut për sëmundje të zemrës dhe mushkërive, si edhe infeksione më të shpeshta respiratore. Më të ndjeshëm janë fëmijët, të moshuarit dhe personat me astmë apo sëmundje të zemrës.
Pikërisht për të shmangur baltën në dimër dhe pluhurin në verë, banorët thonë se vendosën të ndërhyjnë vetë, pasi kërkesat e tyre nuk morën përgjigje për vite me radhë.
Por ky veprim është konsideruar i paligjshëm nga institucionet vendore. Sipas të dhënave të siguruara nga Skyweb.al, IMT i ka vendosur pronarit të kompanisë edhe një gjobë prej 500 mijë lekësh të reja, me arsyetimin se rruga është shtruar pa leje.
Në thelb, banorët thonë se janë ndëshkuar sepse kanë bërë vetë atë që bashkia nuk e bëri për vite me radhë.
Rasti ngjan me një ngjarje të ndodhur disa muaj më parë në një fshat të Roskovecit, ku banorët u denoncuan pasi shtruan vetë rrugën e tyre. Në atë kohë, Zegjine Çaushi, sot deputete dhe atëherë funksionare në bashki, deklaronte se denoncimi ishte bërë për të kuptuar qëllimet e banorëve, pasi sipas saj mund të kishte edhe motive politike.
Edhe në rastin e kompleksit IBN, situata ngre të njëjtën pyetje: çfarë duhet të bëjnë qytetarët kur bashkia nuk u përgjigjet për vite me radhë?
Nëse presin, jetojnë mes baltës dhe pluhurit. Nëse ndërhyjnë vetë, përballen me gjoba dhe fadroma.
Kjo është një nga ato situata që tregojnë më qartë se si funksionon shpesh administrata vendore. Nuk ndërhyn kur qytetarët kërkojnë shërbim, por shfaqet menjëherë kur qytetarët përpiqen ta zgjidhin vetë problemin. /skyweb.al
Rruga Press

