KryesoreLajme

Banditizëm shtetëror/ Si e shembi Veliaj pallatin në Tiranë para vendimit gjyqësor

Me një ndërhyrje të ngjashme me operacionet për kapjen e personave të rrezikshëm, qindra forca policie rrethuan rreth orës 04:00 të mëngjesit një pallat në Tiranë duke nxjerrë nga shtëpitë e tyre dhjetëra banorë të pallatit nr.4 në rrugën “Myslym Keta”. Burra e gra u nxorrën forcërisht nga shtëpitë e tyre, pasi Bashkisë së Tiranës i duhej me urgjencë shembja e pallatit ende pa zbardhur dita e hënë.

Historia ka nisur prej kohësh, që kur u ndryshuan dokumentat e dëmeve nga tërmeti nga D3 në D5 tre vite pas tërmetit.

Sipas banorëve pallati nuk do të shembej për shkak të dëmtimeve të tërmetit, por sepse një kompani ndërtimi i kishte vënë syrin zonës ku ata banonin. Nëse kompanitë e ndërtimit do të negocionin me banorët ata do të përfitonin një pjesë të mirë të pallateve të reja, por kur bashkia u fut në lojë me pretekstin e dëmeve nga tërmeti, përfitimi për ta është shumë më i vogël.

Dhe për t’i nxjerrë me dhunë nga shtëpitë shteti u angazhua me të gjithë forcën e tij.

“Vijnë dy vetë civilë në 04:00 të mëngjesit, që na presin ujin dhe policia i mbështet. Nuk kanë as letra, as vendim, asgjë nuk kanë me vete” tregoi një prej banorëve 3 ditë më parë, kur punonjësit e Ujësjellësit sharronin tubat e ujit që furnizonin familjet nën mbrojtjen e policisë.

“Gjejnë pleq, plaka e fëmijë që na marrin zvarrë. Le të vijnë. Mazniku, Veliaj, Edi Rama të vijë këtu kush të dojë. Nuk kemi asnjë njoftim ku do na çojnë” tregoi një banore e zonës.

Lexo më shumë  Ministria e Financave: Qeveria me sukses ka kthyer nivelin e borxhit shtetëror në nivelin para pandemisë

Të tjerë thanë se nuk kishin asnjë informacion se ku do të strehoheshin në rast të prishjes së pallatit, megjithëse kryebashkiaku Veliaj pretendonte të kundërtën.

Në media ai kishte sjellë rastet e familjeve që kishin pranuar marrëveshjen dhe ishin strehuar në banesa me qira përkundrejt bonusit 180 mijë lekë të vjetra.

Prandaj kur Ujësjellësi u bllokoi furnizimin me ujë, kur OSHEE u ndërpreu energjinë elektrike dhe pasi u përplasën me forcat e policisë, e vetmja shpresë për 70 familjet e pallatit mbeti gjykata.

Në padi ata kërkuan ndalimin e presionit shtetëror dhe për pezullimin e urdhrit të bashkisë për shembjen.

Vendimi pritej të merrej këtë të hënë paradite, por me një operacion tinzar dhe të pabesë, policia nxorri me forcë banorët herët në mëngjes dhe iu hapi rrugë fadromave të IKMT-së për shembjen e pallatit.

Në sallën e gjyqit përfaqësuesit e Bashkisë sollën fotot e bëra herët në mëngjes, që tregonin se shembja ishte kryer dhe se gjyqtari nuk kishte se çfarë të vendoste më.

“Bashkia në sallë ngriti pretendimin që prishja ka nisur, solli dhe prova nga aksioni. Gjykatës iu vu në dukje që kërkesës nuk ke çfarë i bën se prishja ka nisur. Gjykata u shpreh se në këtë pikë nuk mund të vendosim më asgjë në lidhje me kërkesën për pezullim se prishja është në kryerje e sipër.
Nëse do lihej një ditë më shumë dhe të pritej gjykata për tu shprehur, me gjasë do kishim një vendimmarrje tjetër. U vendos para faktit, nuk kishte çfarë bënte” u shpreh avokati i banorëve, Dorian Matlija në një intervistë për Syri Tv.

Sipas tij, vendimi për t’i nxjerrë me forcë banorët në orën 04:00 të mëngjesit ka qenë i mirëmenduar. Sepse vendimi i gjykatës do të kishte qenë kundër urdhrit të Erjon Veliajt.

“Mbroj 20 raste të ndryshme të pallateve në Tiranë. Gjykata në rastet ka vendosur pezullimin, ose kanë fituar banorët. S’ka asnjë rast të vetëm ku këshilli bashkiak dhe gjykata të ketë pasur të drejtë në këto procese. IMT dhe bashkia vepruan me nxitim që mos t’i linin mundësi gjykatës ta thoshte diçka të tillë”-tha Matlija duke zbuluar skemën e Bashkisë.

Argumentat e avokatit dëshmojnë se kryebashkiaku Veliaj veproi në urgjencë për të shmangur gjykatën. Nëse fadromat e IMT-së do të vonin dhe nuk do ta kishin prishur pallatin, atëherë me gjasë plani i Veliajt do të kishte dështuar. Prandaj me terror, me dhunë dhe me fadroma, ai veproi nën presionin e kohës njësoj si të ishte një bandit. /lapsi.al/

Lexo më shumë  MPJD-ja ia refuzon kërkesën patriarkut Profirie për të vizituar Patriarkanën e Pejës

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *